Dama e lashtë e ilirëve

Nga Marin Mema

Në vitin 1881 një statuetë e veçantë u gjet në fshatin Gur i Zi, jo larg qytetit të Shkodrës. Objekti me vlerë arkeologjike doli rastësisht teksa një banor punonte tokën pa e ditur se në thellësitë misterioze të saj qëndronte ajo që më pas u njoh si Dama e Lashtë Ilire. Jehona e këtij zbulimi siç ndodhte shpesh në ato kohë të turbullta solli në fshat konsullin italian që qëndronte në Shkodër.

Ashtu si shumë objekte të tjera statueta përfundoi e trafikuar, pasi zyrtari italian e bleu për t’ja shtuar koleksioneve të tij. Megjithatë Dama e Lashtë e Gurit të Zi, që pasqyron veshjen Ilire të 3000 mijë viteve më parë aventurën e saj e përfundoi në muzeun e famshëm të Luvrit në Paris.

Të dhënat e tjera arkeologjike në afërsi të zonës ku u gjet statueta mungojnë, ç’ka ka bërë që banorët të mendojnë gjithmonë se ajo ka ardhur nga një prej qyteteve të shumtë që përmban krahina. Jo larg ngrihen Gajtani apo Ganjolla dy qendra pak të njohura, por me një histori që i shtrin rrënjët e saj që në periudhën prehistorike.

Sipas mjaft arkeologëve dhe ekspertëve të fushës veshja e statuetës në masë dërrmuese paraqet elementë të njëjtë me ato që mbajnë edhe sot zonjat e Zadrimës. Veshja e tyre shekullore është një shembulltyrë që pavarësisht ndryshimeve ruan ngjashmëri të rëndësishme sidomos në pjesën e përparëses apo siç njihet ndryshe boçja zadrimore. Nga krahu tjetër një vend të veçantë zënë edhe elementët paganë që për hir të së vërtetës janë pjesë e mjaft veshjeve të vjetra tradicionale shqiptare siç është mes tyre xhubleta 4 mijë vjeçare.

At Gjergj Fishta e ka quajtur Zadrimën, një zonjë hijerëndë, krenare dhe qëndrestare, që mesaduket kaq shumë i përngjan statuetës që ndodhet në muzeun e Luvrit në Paris. Sigurisht mes tyre qëndrojnë shekujt por gjurmët nuk kanë humbur sepse ato ruhen tek zonjat e sotme zadrimore, tek kultura e lashtë, traditat dhe trashëgimia që këtu e gjen në çdo fshat, në çdo shtëpi, në çdo banor…

Pra, nuk është e nevojshme që historinë ta kërkojmë gjithmonë sa më të largët, në varganë dokumentash të pluhurosura. Shpesh ajo është e gjallë krah nesh dhe ruhet si dëshmi autentike e lashtësisë së këtij populli. Shqipëria jonë është e tillë, një vend i jashtëzakonshëm, me gjurmë të jashtëzakonshme.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME