Flitet për Shën Naumin, hapen debate, zihen koka, por askush nuk ka pyetur se ku ka ndodhur e kush e ka marrë këtë vendim. Ahmet Zogu kurrsesi nuk e merrte dot se vendi drejtohej nga koka të cilat as e konsideronin Zogun në krye pasi ishin burra shteti i Eshref Frashëri, Mehdi Frashëri, Myfit Libohova e shumë të tjerë. Bisedimet shqiptaro-jugosllave mbi çështjen e Manastirit të Shën Naumit dhe të Velipojës së Vermoshit u zhvilluan në mbledhjen e përbashkët të të dyja dhomave legjislative – në Senat dhe në Parlament.
Ato vazhduan tri ditë (17-19 korrik 1925). Këto debate deri sot nuk janë trajtuar në fushën e historiografisë. Procesverbalet e këtyre bisedimeve kanë qenë botuar në Fletoren Zyrtare të kohës kushtuar bisedimeve të Asamblesë Legjislative, të cilat, për shkak të ekzemplarëve tepër të rrallë, janë të shfrytëzueshme me vështirësi nga publiku i interesuar. Për fat të mirë, këto kohët e fundit procesverbalet e bisedimeve të dyja Dhomave Legjislative janë përfshirë në vëllimin e botuar nga Kaliopi Naska, Shën Naumi dhe diplomacia e kohës. Tiranë 2012.
Më 16 korrik 1925 u bë mbledhja plenare e të dyja Dhomave Legjislative të Republikës – Parlamentit dhe Senatit, – nën kryesinë e Eshref Frashërit.
Në rend të ditës ishte shkresa e Ahmet Zogut, kryetarit të qeverisë, me të cilën ai kërkonte autorizimin për të filluar bisedime me palën jugosllave me objekt “shkëmbim” territoresh në sektorin e Shën Naumit dhe në atë të Vermoshit. Me shkresën e vet, A. Zogu kërkonte si President i Republikës që mbledhja të bëhej e fshehtë. Jo pak asamblistë kërkuan që mbledhja të bëhej e hapët. Më në fund, u vendos që mbledhja të bëhej e fshehtë. Për këtë arsye, debatet e zhvilluara në këtë mbledhje nga asamblistët nuk i njohim. Në të njëjtën kohë, mbledhja plenare ngarkoi komisionet e Punëve të Jashtme të të dyja Dhomave Legjislative të merrnin në shqyrtim kërkesën e kryetarit të qeverisë.
Për t’i dhënë kohë Komisioneve të Punëve të Jashtme që të hartonin rezolutën, u vendos që mbledhja plenare që të fillonte ditën e nesërme. Të nesërmen, më 17 korrik kur u hap mbledhja, kryetari i saj Eshref Frashëri njoftoi se Myfit Libohova nuk ishte dakord me kërkesën e Presidentit të Republikës që mbledhja plenare i kishte zhvilluar punimet e saj me dyer të mbyllura. Kërkesa e tij për mbledhje me dyer të hapura u pranua. Më pas u lexua rezoluta e përbashkët e dy Komisioneve të Punëve të Jashtme nga Xhemil Dino, sekretari i seksioneve të Punëve të Jashtme. Të dy seksionet i propozonin mbledhjes plenare që ta miratonin kërkesën e qeverisë shqiptare për të hyrë në bisedime me palën jugosllave për “shkëmbim” territoresh në sektorin e Shën Naumit dhe në atë të Vermoshit. Kështu filluan debatet.
Deputeti Ferit Vokopola kërkoi nga Mehdi Frashëri, delegati shqiptar në Komisionin e Kufirit, që t’i jepte mbledhjes plenare shpjegime se çfarë propozonte pala jugosllave për ndryshimin e kufirit. Meqenëse shpjegimet që M. Frashëri dha në mbledhjen e djeshme kanë qenë të fshehta – tha F. Vokopola, – ato duhet të përsëriten edhe sot në mbledhjen e hapët, mbasi është e domosdoshme që kërkesat e palës jugosllave dhe pikëpamjet e qeverisë shqiptare t’i dijë edhe publiku.
Duke iu përgjigjur Ferit Vokopolës, Mehdi Frashëri pohoi se fjala e deputetit të Lushnjës ishte thjesht një “demagogji”. “Populli, – pohoi ai, – është si një çilimi, të cilin mund ta bësh të qajë apo të qeshë me pak fjalë. Megjithatë, vazhdoi ai, meqenëse populli shqiptar është patriot, atij duhet t’i thuhen gjërat që i nevojiten”. 1 Gjatë regjistrimit të debateve vihen re disa formulime kontradiktore të Mehdi Frashërit. Kur njoftoi se Konferenca e Ambasadorëve ia përcolli më 27 prill 1925 vendimin përfundimtar se Shën Naumi dhe zona e Vermoshit i takonin Shqipërisë, – M. Frashëri shtoi se së bashku me këtë njoftim Konferenca ia përcolli Shqipërisë edhe propozimin e Jugosllavisë për ta zgjidhur çështjen e kufirit me marrëveshje dypalëshe.
Përkundrazi, gjatë shpjegimeve që dha në Parlament Mehdi Frashëri, ai flet sikur Konferenca e Ambasadorëve kishte marrë vendim që çështja e kufirit të zgjidhej midis dy palëve, gjë që nuk është e vërtetë. Në relacionin e seksionit të punëve të jashtme, flitet qartë se ajo kishte marrë në shqyrtim jo vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, i cili nuk kishte përse të diskutohej pasi ishte në favor të Shqipërisë, por propozimin e palës jugosllave, të cilën e kishte përcjellë Konferenca e Ambasadorëve. Në relacion thuhej tekstualisht: “Qeveria shqiptare mbas këshillave (pra jo vendimeve – K.F.) dy herë të përsëritura të Konferencës së Ambasadorëve u ndodh përpara disa propozimeve të Qeverisë Jugosllave, për sa i përket Shën Naumit dhe një pjese të Velipojës në zonën e Vermoshit”. Siç shihet, pretendimi i Mehdi Frashërit ishte një shtrembërim i të vërtetës. Konferenca e Ambasadorëve nuk kishte të drejtë të kërkonte pëlqimin e të dyja palëve për një vendim që kishte marrë formë të prerë, i cili kishte gjetur miratimin jo vetëm nga Konferenca e Ambasadorëve, por edhe nga Gjykatorja e Hagës, madje edhe nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve.
Mehdi Frashëri shtoi ndër të tjera se për të hyrë në bisedime me palën jugosllave ishte mbështetur në një vendim të qeverisë së Tiranës. Madje, shtoi, se edhe ai personalisht e kishte miratuar këtë vendim, mbasi Shqipëria po të jepte Manastirin do të merrte fshatin Piskupat të banuar nga rreth 60 familje shqiptare dhe një sipërfaqe katër herë më të madhe se ajo që po jepte. Edhe lëshimin e pyllit të Velipojës në sektorin e Vermoshit ai e kompensoi me disa përfitime, të cilat Beogradi i dha pa asnjë garanci.
“Unë, – theksoi Mehdi Frashëri, – ja kam propozuar qeverisë që t’i kërkojmë Jugosllavisë një copë bjeshkë që ndodhet në mes të Bajcës e të Libovicës, që është pronë e Bajrakut të Vuklit (të cilën Beogradi nuk e pranoi – K.F.). Tani, – nënvizoi ai, – Parlamenti dhe Senati të bëjnë çfarë të duan”. Siç shihet, këtu po vazhdon loja e volejbollit: Zogu ngarkoi Myfit Libohovën, ky ia la topin në dorë Mehdi Frashërit, kurse ky, nga ana e tij, e hodhi topin në fushën e Asamblesë.
Ministrit të Punëve të Jashtme nuk i pëlqeu shprehja e Mehdi Frashërit se qeveria kishte marrë vendim për të shkëmbyer Shën Naumin (në favor të Jugosllavisë) me fshatin Piskupat (në favor të Shqipërisë).
Ai tha, sipas procesverbalit, tekstualisht: “Më duket se zoti delegat (Mehdi Frashëri – K.F.) gabimisht tha se Qeveria ka marrë një vendim për shkëmbimin e Shën Naumit me Piskupatin”. Për të shkarkuar veten nga përgjegjësia, ai vazhdoi: “Qeveria, zotërinj, nuk ka marrë ndonjë vendim dhe çështjen jua ka paraqitur Juve për vendim. Në është se ju pranoni që të bëhet një shkëmbim, atëherë qeveria do të hyjë në marrëveshje. Kur t’i mbushet mendja që shkëmbimi është në dobi të popullit dhe të shtetit dhe nuk i sjell dëm si moral ashtu dhe material, qeveria do të hyjë në pazarllëk. Përndryshe, qeveria nuk bënë një shkëmbim”.
Pas tij e mori fjalën deputeti Mihal Kaso. Qeveria, tha ai, e ka për detyrë që të mbrojë interesat e shtetit dhe të popullit. Lëshimi i Shën Naumit “është me të vërtetë një hidhërim për ne si shqiptarë, por është dhe një hidhërim veçanërisht për ne orthodoksët, mbasi humbim Manastirin e Shën Naumit”. Ai e mbylli debatin e vet duke thënë: “Qeveria ka ndoshta frikë që të marrë një vendim të tillë (i cili dëmton popullin), por ne duhet t’i japim kurajë dhe të marrim përgjegjësinë dhe të autorizojmë qeverinë dhe kësaj çështje t’i japim kështu përfundimin, siç e kërkon nevoja dhe interesi”.
Deputeti Kol Mjeda bëri një propozim interesant: “Përderisa ministri i Punëve të Jashtme kërkon autorizimin tonë për të hyrë në pazarllëk me qeverinë jugosllave dhe përderisa është fjala për shkëmbim territoresh, – tha Kol Mjeda, – që përkundrejt Manastirit të Shën Naumit, Jugosllavia t’i jepte Shqipërisë Hotin, Grudën dhe Triepshin”. Ai linte të kuptohej se territori që Beogradi propozonte për shkëmbim të Shën Naumit ishte pa vlerë.
Deputeti Ndrek Kiçi nuk ishte dakord për shkëmbimin e propozuar nga pala jugosllave. Premtimet e Beogradit për “hapje rrugësh”, për “treg të lirë”, për “heqje takse doganore”, për “heqje takse pasaportash”, këto – theksoi ai, – nuk më gëzojnë aspak, mbasi po na lëjnë si “një trup pa këmbë e pa duar”. “Vermoshi, zotërinj, për malësitë tona ka një rëndësi të veçantë. Për to është humbja e fikja (vdekja). Ju lutem zotërinj, – përfundoi ai, – të mendoni pak se ç’po heqin që nga viti 1913 malësitë tona. Gati 100 shtëpi nga Kelmendi, Nikçi dhe Vukli janë larguar dhe po largohen nga ato anë, mbasi nuk kanë mjet jetese… Prandaj ju lutem shumë, këtë çështje ta lëmë për në vjeshtë”.
Deputeti Selaudin Blloshmi, pasi kujtoi se historia e Shqipërisë ishte një histori shkëputje territoresh, kur erdhi te shkëmbimi i Shën Naumit dhe i pyllit të Vermoshit, tha: “Humbja e 4 mureve të Manastirit dhe e pyllit të Vermoshit, kundrejt humbjeve të mëparshme janë shumë të vogla. Shkëputja e tyre nga ne është e hidhët, sepse ato kanë rëndësi politike, strategjike dhe historike. Por kur kemi një milion e ca shqiptarë, që janë jashtë kufirit tonë, ato katër mure nuk mund të luajnë ndonjë rol… Ne prisnim nga Fuqitë e Mëdha që t’i jepnin Shqipërisë tokat që i takonin, por ata fatkeqësisht na dhanë vetëm katër muret e Manastirit. Se çfarë roli mund të lozë dhe çfarë rëndësie mund të ketë Shën Naumi me këto përmasa e kupton secili. Po të kishte rrethinat atëherë po, do të kishte rëndësi. Ndonëse Fuqitë e Mëdha dhe Gjykatorja e Hagës na e ka dhënë Shën Naumin, fqinji ynë nuk do që ta lëshojë. Fuqitë e Mëdha kur kanë formuluar vendimin e tyre, me një dorë na e kanë dhënë të drejtën dhe me dorën tjetër atë na e kanë marrë, veçse na kanë lënë (trashëgim) një grindje të mërzitshme. A ia vlen që për një pikë të tillë të hapet një luftë? Të thuash jo – është keq, të thuash po – po-ja ka problemet e veta”. Përfundimisht, S. Blloshmi ishte dakord me rezolutën e Komisionit të Punëve të Jashtme.
Xhemil Dino e mbrojti tezën e rezolutës së Komisionit me këto argumente: se dinjitetin kanë mundësi ta mbrojnë vetëm Fuqitë e Mëdha, kurse shtetet e vegjël janë të destinuara të bëjnë lëshime në dëm të dinjitetit. Megjithatë, sipas tij, Shqipëria ka përfitime nga marrëveshja e propozuar nga pala jugosllave, mbasi “Shqiptarët do të kenë liri të plotë të hyjnë e të dalin pa pasaporta e të bëjnë tregti pa paguar taksë doganore”. Këtu pati zëra që e vunë në dyshim saktësinë e këtyre përfitimeve dhe se kërkuan garanci për to. Xh. Dino u përgjigj se nuk ishte ai, por qeveria që duhej të jepte garanci për realizimin e këtyre premtimeve.
Më pas e mori fjalën deputeti Fiqiri Rusi. Ai pohoi se ndryshimi i kufirit u propozua jo siç njoftoi Mehdi Frashëri, nga Konferenca e Ambasadorëve, por nga qeveria jugosllave. Në këtë mënyrë, Konferenca tërthorazi plotësoi dëshirën e Jugosllavisë në kurrizin tonë. Propozimi që i bëhet qeverisë shqiptare për shkëmbim tokash unë nuk di, theksoi ai, nëse është ose jo në përfitim të shtetit shqiptar. Por, meqenëse, sipas tij, Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahnin Shqipërinë, ai mendonte se dy Dhomat Legjislative ta përkrahnin përfundimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë jugosllave, me besim të plotë se qeveria do ta ruante nderin e Shqipërisë.
Deputeti Rauf Fico pohoi çiltazi se “katër muret e kishës së Shën Naumit për mua nuk kanë ndonjë vleftë. Thuhet se për këto do të na japin Piskupatin, ku ka dhe atje një kishë, e cila do të zërë vendin e kishës së Shën Naumit” (Duket se ai nuk e kishte të qartë se një kishë fshati nuk mund të zëvendësojë nga pikëpamja institucionale dhe fetare një manastir). Në lidhje me Vermoshin, ai pohoi se pylli i Velipojës ka qenë kurdoherë shkak grindjesh midis shqiptarëve dhe malazezëve.
Ai pohoi se, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe vendimeve të Gjykatores së Hagës, ai pyll i takonte Shqipërisë. Por “mjerisht, – nënvizoi ai, – fati ynë nuk po na do. Shqipëria ka pësuar operacione pas operacionesh: humbi Kosovën, humbi Çamërinë, humbi një milion e ca prej bijve të saj, të cilët gjenden jashtë kufijve të Shqipërisë. Tani po i bëhet edhe një operacion tjetër. Na thonë të japim Velipojën, Shën Naumin. Por këto pse do t’i japim? Dua të them zoti kryetar, se e drejta në vetvete nuk ka vleftë. Kush ka fuqinë, e ka të drejtën në dorë. Mbasi do t’i humbasim këto vise, do të pësojmë një operacion tjetër në kurrizin e ardhmërisë tonë. Në mos tjetër, ajo që qeveria shqiptare duhet të përfitojë nga ky shkëmbim është të kërkojë nga Beogradi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë ku kemi më tepër se një milion vëllezër tanë. Të kërkojmë ngritjen e konsullatave tona në Shkup e në Prizren.
Në Shkodër ku banon një pjesë fare e vogël serbësh, rreth 1500 frymë, Jugosllavia ka një konsullatë dhe një shkollë për ta. Jemi pra, të shtrënguar t’i japim leje qeverisë tonë të hyjë në marrëveshje me qeverinë jugosllave. Rauf Fico duhet ditur se kjo është një plagë e pashërueshme në zemrat dhe në trutë tona”. Rauf Fico e përfundoi fjalën e tij me një thirrje patetike: “Ashtu siç serbët pritën katër shekuj për të plotësuar idealin e tyre, ashtu do të presim edhe ne. Do t’i drejtojmë nipërit e stërnipërit tanë dhe dikur shkarazi, barkazi një ditë do të vemi në Kosovë, nën hijen e shkabës dykrenare”. Fjala e tij pati duartrokitje të vazhdueshme.
“Pra, – vazhdoi ai, – i jap leje qeverisë dhe e porosis edhe një herë të nguli këmbë për të dërguar konsull në Shkup e në Prizren dhe të çeli në vende të tjera (të Kosovës – K.F.) shkolla shqipe, mbasi të drejtat janë reciproke”.
Tef Gera kërkoi nga qeveria që në marrëveshjen me Jugosllavinë të përfshihej edhe liria e katundeve të malit të Krajes për të vizituar lirisht tregun e Shkodrës.
J. Erebara deklaroi se e linte çështjen në dorë të qeverisë për ta zgjidhur siç ishte në interes të Shqipërisë. Ferit Vokopola shpjegoi edhe një herë arsyen përse populli duhet të dijë se si qëndron e vërteta, me qëllim që “përgjegjësinë ta kemi së bashku me të”. Pastaj ai kaloi në trajtimin e dy problemeve të kufirit. “Shteti përbëhet, – tha ai, – nga kombi, toka (territori – K.F) dhe organizata e qeverisë (administrata shtetërore – K.F.). Kur cenohet toka, është cenuar krejt organizata. Nga bisedat që u mbajtën këtu mbi pikën e Shën Naumit e mbi pikën e Vermoshit, kuptohet se nuk janë lënë toka të mëdha…
Sipas shpjegimeve që na dha delegati ynë, Vermoshi i mbetet Shqipërisë dhe vetëm një pjesë të tij kërkon qeveria jugosllave… Delegati i qeverisë, si dhe relatori i komisionit na thanë se po lëmë Shën Naumin me një region 750 metrash dhe në tjetrën anë po marrim fshatin Piskupat, ku banojnë 50-60 familje shqiptare me 500 frymë”. Pastaj pyeti: A e cenon kjo vepër prestigjin e kombit dhe a e siguron interesin e tij? “Unë jam i mendimit, se duhet të kemi kurajë civile dhe ta themi çiltas se kjo vepër nuk e cenon prestigjin e kombit.
Prandaj jam i mendimit t’autorizojmë qeverinë tonë që të hyjë në marrëveshje me qeverinë jugosllave”. Ai shtoi se e njëjta gjë ndodhi edhe në sektorin e Vermoshit: Edhe këtu Shqipëria jep dhe merr. Veç kësaj, Shqipëria “fiton lehtësira tregëtije dhe komunikacioni”.
Përfundimisht, edhe ai pranoi të autorizohej qeveria që të fillonte bisedimet me palën jugosllave për zgjidhjen e çështjes së kufirit. Mbasi mbaruan debatet e senatorëve dhe të deputetëve, kryetari i Asamblesë, Eshref Frashëri, u kujtua se me këtë debat ishte shkelur neni 2 i statutit themeltar në të cilin thuhej se kufijtë e Shqipërisë ishin të paprekshëm.
Për këtë arsye, para se të vihej në votim kërkesa për të autorizuar qeverinë që të hynte në bisedime me palën jugosllave për shkëmbim territoresh, ai shpjegoi detyrimin që kishin të dyja Dhomat për ta përligjur ndryshimin e kufirit me Statutin themeltar, i cili në nenin 2 në të vërtetë e ndalonte kategorikisht çdo cenim apo prekje të kufirit shtetëror. “Nëse kemi të bëjmë me një shkëmbim territoresh pa u ndryshuar artikulli numër 2 i Statutit, – nënvizoi ai, – do të bëjmë një vepër antikushtetore. Prandaj është e domosdoshme që më parë t’i shtojmë një paragraf të vogël nenit 2 të Statutit dhe vetëm pasi të pranohet kjo shtojcë, atëherë mund të vihet në votë kërkesa e qeverisë për “shkëmbim” territoresh dhe çështja të marri përfundimin e duhur”. Ai iu kujtoi asamblistëve se “ndërrimi i Statutit bëhet me 2/3 e votave të mbledhjes legjislative duke u mbledhur të dyja Dhomat bashkë”.
Përfundimisht, miratimi i shtojcës së nenit 2 të Statutit dhe pas tij miratimi i rezolutës së Komisioneve të Punëve të Jashtme u la për ditën e nesërme më 18 korrik.
Të nesërmen, më 18 korrik, punimet e Asamblesë Legjislative u zhvilluan me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Arsyeja që e shtyu Asamblenë Kushtetuese të zhvillonte tri mbledhje brenda pak orëve për të plotësuar një nen të Statutit të Republikës qëndron te interesi i Presidentit të Republikës për ta mbyllur sa më parë çështjen e ndryshimit të kufirit. Në fakt, më 18 korrik të dy Dhomat Legjislative – Senati dhe Parlamenti – zhvilluan në të njëjtën kohë në orën 9 të mëngjesit mbledhje të veçanta për të hartuar secila më vete shtojcën e nenit 2 të Statutit. Brenda një ore kryetari i Senatit hartoi dhe miratoi shtojcën e nenit 2 të Statutit, të cilën ia përcolli me shkresë kryesisë së Parlamentit.
* * *
…Komisioni pranoi se kufiri mund të ndryshonte pa përcaktuar motivacionin, vetëm me kushtin që ai të miratohej nga dy e treta e asamblistëve. Shumica e asamblistëve, të cilët tashmë dihet se ishin përkrahës të A. Zogut, e miratuan në parim ndryshimin e kufijve të Atdheut pa përcaktuar motivacionin.
Kur shtojca e nenit 2 të statutit u vu në votim në dy Dhomat Legjislative nga 65 asamblistë (18 senatorë dhe 47 deputetë), në sallë ndodheshin 54 deputetë dhe senatorë. Prej tyre në favor të shtojcës së nenit 2 të Statutit votuan 43 asamblistë. Kundërshtuan haptas 8 asamblistë (Pjetër Shan Deda, Kol Mjeda, Kolec Deda, Ndrek Kiçi, Prenk Llosh Gjoni, Said Kalaja, Tef Gera, Zenel Mandiqi). Një asamblist abstenoi (Maliq Bushati), kurse 2 asamblistë kur filloi votimi u larguan nga salla (Dr. Loni Gjini, Syrja Pojani). Si rrjedhim, shtojca e Statutit u miratua me 43 vota, të cilët ishin dy e treta e numrit të përgjithshëm të asamblistëve dhe jo të asamblistëve të pranishëm.
Pasi përfundoi votimi, kryetari Eshref Frashëri u paraqiti dy Dhomave Legjislative një mocion dërguar nga Myfit Libohova të formuluar në këtë mënyrë:
“Senati dhe Dhoma e Deputetëve të mbledhur së bashku, sot më 18 korrik 1925 për të biseduar mbi çështjen e kufijve shqiptaro-jugosllav, pranon në parim ad referendum një shkëmbim toke midis dy shteteve dhe autorizon qeverinë të hyjë në marrëveshjet e duhura në përputhje me interesat e shtetit dhe të popullit shqiptar”. 15. Më tej në mocion thuhej: “Përpara se të përfundohen (nënshkruhen – K.F.) këto marrëveshje, qeveria do t’ia paraqesë në sesion të vjeshtës në fillim secilës Dhomë veçanërisht për të marrë vendimet e tyre sipas dispozitave të artikullit 141 të Statutit dhe për të thirrur pastaj mbledhjen e Asamblesë Legjislative për vendim përfundimtar”.
Duke pasur parasysh rëndësinë kombëtare që kishte çështja e kufijve, Eshref Frashëri i kujtonte kryetarit të qeverisë (A. Zogut) se para se të hynte në marrëveshje me palën jugosllave, duhej të kërkonte autorizimin e dy Dhomave. 16 Propozimi u pranua njëzëri. Këtë mocion, tani të miratuar, kryetari i dy Dhomave Legjislative ia paraqiti kryetarit të qeverisë të nesërmen, më 20 korrik 1925. /konica.al/