Edhe pse nuk u rendit në dhjetëshen më të mirë, Eugent Bushpepa u konsiderua një ndër zërat më të mirë mashkullorë të Festivalit Evropian, që sivjet u mbajt në Lisbonë.
Dhe për këtë gjë duhet të jemi të gjithë dakord, zëri i Gentit është si një këmbanë buçitëse dhe për këtë, këngëtari i muzikës rock duhet të falenderojë gjyshen e tij, por edhe provat sfilitëse dhe talentin që e ka dhuratë nga Zoti. I ftuar në puntatën e parë të ‘’Wake Up”,
që sivjet do të prezantohet nga Isli Islami dhe Ori Nebiaj, Bushpepa tregoi që nuk ka studiuar kurrë muzikë dhe se zërin e ka të trashëguar nga gjyshja, e cila mund të mos e besoni, por ka punuar si vajtuese.
”Gjyshja ime ka punuar si vajtuese. Thirrej nga njerëzit, sidomos nga njerëzit e babit nëpër ceremoni mortore. Babi më thotë gjithmonë se asaj i ngjaj”- tregoi Eugenti.
Ndërsa kur vjen puna te projektet muzikore, këngëtari zbuloi se në dhjetor do publikojë një këngë të re, pasi jeta e natës kohët e fundit i merr shumë kohë dhe e ka larguar nga studiot e prodhimit.