Ne 12 Korrik ndërron jetë në moshën 84-vjeçare, dom Simon Jubani, kleriku që mbajti meshën e parë pas rënies së komunizmit. Humbja e tij, si pasojë e një hemorragjie cerebrale, është njoftuar nga zëdhënësi i Konferencës Ipeshkevore të Shqipërisë, dom Gjergj Meta. Emri i dom Simon Jubanit është i lidhur ngushtë me një proces të rëndësishëm të ringjalljes së Kishës Katolike në vend. Jubani është kleriku që mbajti meshën e parë publike pas rënies së komunizmit në qytetin e Shkodrës, me 4 dhe 11 nëntor 1990. Ai u lind më 8 mars të vitit 1927 në Shkodër, në një familje të devotshme katolike, e cila i fali kishës e atdheut dy meshtarë: martirin e intelektualin dom Lazër Jubani, i cili u helmua me arsenik nga Policia Sekrete komuniste në vitin 1982 dhe të guximshmin dom Simon Jubani. Më 4 maj të vitit 1958
shugurohet meshtar nga imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbejë në Abacinë e Mirditës. Arrestohet në vitin 1963 dhe vuan plot 26 vite të burgut. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë dhe i papërkulur përballë torturave të komunistëve dhe gjithmonë nën vëzhgimin e spiunëve, lirohet më 13 prill të vitit 1989,
së bashku me klerikë të tjerë. Më 4 nëntor 1990, në varrezat e Rrmajit në Shkodër u mbajt një meshë me rreth 200 deri në 300 besimtarë katolikë, për të kujtuar shpirtrat e vdekur. Meshën e drejton dom Simon Jubani, ndërkohë që më 11 nëntor, në meshën e mbajtur në këto varreza u mblodhën mijëra njerëz, pavarësisht nga besimi, e cila pati një jehonë të madhe jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë e jashtë saj. Dom Simon Jubani, meshtar katolik para 20 vjetësh,
kremtoi meshën e parë katolike në Shkodër duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e bëri të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Ai u bë kështu nismëtari i rihapjes së kishave e xhamive në Shqipëri, kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar.
Jubani, titull “Doctor Honoris Causa”
Për kontributin e çmueshëm mbarëkombëtar, Universiteti i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi Jubanit diplomën “Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacion: “Protagonist i një epoke të re në Shqipëri”. Pas komunizmit, ai shërbeu për disa vite përsëri në malet e Mirditës dhe dekadën e fundit me përkushtim të madh dhe besnikëri shërbeu në përvujtërinë e rrëfyestores së Katedrales së Shkodrës.
________
Intervista e fundit e Dom Simon Jubanit
Dom Simoni, Ju keni vuejtë tepër shumë në burg, e se – simbas jush – ma shumë ju kanë dhunue të burgosunit sesa vetë gardianët. A asht e vërtetë se gjatë periudhës së vuetjes së dënimit, ma shumë kohë keni kalue në birucë – si i ndëshkuem – sesa në qeli, si tanë të burgosunit e tjerë?
Kjo asht nji e vërtetë e amshueme. Për arsye se kapitali politik – o ma mirë me thanë spiunazhi, asht në plan të parë, gjithmonë ka kenë në plan të parë, sepse spiunazhi e ruen pushtetin e njerëzit kujtojnë se janë të përjeshtëm me atë pushtet politik. Kurse pushteti politik asht sot për nesër, nuk asht trashedental, nuk ka ideale politika. Politika asht xhungël, barbarizëm. Por me spiunazh nuk mbahet në kambë nji pushtet. Nëse nuk ka vlera, ai pushtet asht i destinuem me mbarue…
Kjo që thoni ju asht krejt e vërtetë, edhe më falni nëse intervista ime nuk del e përsosun, sepse mue më mungon funksioni fonetik; m’i kanë thye tanë dhambët gjatë 26 vjetëve në burg, e pa dhambë fjala nuk del si duhet.
Mirë pushteti, dom, po të burgosunit çka i ka shtye me spiunue njeni-tjetrin, çfarë përfitimi kanë pasë ata?
Ju e dini se komunizmi asht nji ideologji – madje s’mundesh as me e quejtë ideologji por surrogato, kërpudhë, e tana ideologjitë janë shembë, janë zhdukë si vesa para diellit. Ajo asht e vërtetë kudo, edhe sot; ma shumë se sot nuk kam kenë i spiunuem kurrë, për arsye se un’ kam shkrue nji libër “Burgjet e mija”, apo “Mesha e parë” që s’i kanë pëlqye klasës politike…
Por ne jetojmë në nji sistem demokratik…
Nuk asht e vërtetë! Njerzimi, qysh mbas Luftës së Dytë Botnore ka fillue me humbë arsyen, ka ra në barbarizëm. Kur mbaroi Lufta e Dytë, nuk u mblodhën krerët për me pa kush fitoi e kush humbi, e për me pague damshpërblimet, por për me ba ligjin e ma të fortit. Në Jaltë, Ruzvelti, Stalini e Çurçilli, si tre ujq, morën hartën e botës dhe ndanë zonat e influencës, pa marrë parasysh se humbshin pavarësinë edhe shumë kombe që kishin kenë gjatë Luftës n’anën e fituesve. Pra, humbi arsyen drejtuese klasa politike botnore: Uashingtoni, Londra e Moska. E kur humb arsyen, punohet me metoda primitive: puno, gabo, shkatrro.
Vendi tipik për këte asht Shqipnia. Shqipnia ra në zonën e influencës ruse, e Jugu komunist që mori pushtetin në ’44-shin, punoi me këte metodë. Ata u mbrojtën prej sllavëve, se sllavët mbrojtën Mehmet Shehun e Enver Hoxhën, për me shkatërrue kulturën evropiane në Shqipni. Këshilltarët italianë e gjermanë u nxorën jashtë e mandej erdhën këshilltarët e Titos. Ata filluen me thanë se këtu ka njerëz me mentalitet perëndimor e të gabuam, e nisën me vra krejt inteligjencën. Mandej u prishën me Titon për çështje ideologjish të marra, e u shkatërrue sistemi serb, por erdhi sistemi rus. U prishën edhe me rusët e filloi sistemi kinez. Prandaj Shqipnia sot asht si nji gërmadhë me rrënoja, mbeturina serbe, ruse, kineze. Edhe amerikane, sepse ajo çka kanë ba amerikanët këtu, ia kalon edhe komunistave, për sa i takon degjenerimit, korrupsionit…
A nuk mendoni se këto janë vese njerëzore, jo veç amerikane, perëndimore?
Shiko. Globalizimi zëvendësoi diktaturën e proletariatit. Globalizimi amerikan na shkatërroi bujqësinë, industrinë, blegtorinë, na shkatërroi moralin. Na mbushi vendin me qendra korrupsioni e degjenerimi – si edhe në Kosovë, pak a shumë.
Tu’ u kthye te komunizmi, dom. Ju thoni se komunizmi barbar i ka pasë qendrat e veta edhe në Shkodër, edhe ndër katolikë, edhe ndër myslimanë…
Baza mikroskopike ka pasë, por komunizmi ka ardhë prej Jugut. Tuk Jakova ka qenë komunist, por komunist babaxhan, me qëllime të mira. Edhe në Jug ka qenë Sejfulla Malëshova, por kanë qenë komunista naivë…
Idealistë, mundemi me thanë…
Jo, jo. Naivë. Zef Mala, po kështu. Por këto naivët u eliminuen shpejt e shpejt. Sepse këta s’ishin për barbarizëm. Prandaj un’ them se komunizmi ka ardhë prej Jugut, i subvencionuem prej Titos t’Jugosllavisë. Sepse nuk mundshe në Veri me gjetë nji Mehmet Sheh, nji gjaksor, nji katil. Apo nji Enver Hoxhë. Sepse Veriu ka qenë gjithmonë ma i zhvilluem…
Meqë dolët te figura e Mehmet Shehut, kohët e fundit asht vërejtë nji përpjekje për me e ridimensionue këte figurë, tue u thanë se ka qenë agjent i CIA-s, se ka pasë ndër mend me vra Enver Hoxhën…
Ajo nuk asht aspak e vërtetë. Jo. Kjo vërtetohet vetëm me atë se revolucionet i hanë këlyshët e vet. Pse Dantoni, Robespieri e të tjerët hangrën njeni-tjetrin? Kjo që asht vërtetue në Revolucionin Francez asht vërtetue edhe në Shqipni. Mehmet Shehu e Enver Hoxha kanë qenë gjakësorë, sepse nuk kanë pasë bazë morale. Sepse nji gja që nuk ka bazë morale, asht e destinueme me u shembë.
Kthehemi edhe nji herë te burgu juej. Mbas 26 vjetësh, ma prift keni dalë se keni hy në burg?
Dihet se persekutimi të kalit. Un’ kam pasë fatin me gjetë në burg, nji bibliotekë të t’burgosurve të regjimit të Zogut, të regjimit t’Enver Hoxhës…
Po thoni, libra që qarkullojshin fshehtas?
Jo, jo fshehtas. Deri në mbylljen e kishave, kanë qarkullue lirshëm. Kush kishte libra në shtpi, mundte me i marrë edhe në burg. Deri në ’67-n. Mandej, kur kinezët suprimuen fenë, atëherë u mbyllën edhe bibliotekat.
Ju jeni arrestue më 13 dhjetor të 1990-s…
Arrestue? Në ’90-n? Uh! Un’ jam arrestue njiqind herë!
Po flas për arrestimin e fundit, atë mbas mbajtjes së meshës së parë….
Mue këta më kanë kapë njiqind herë. Edhe në ’91-shin. Regjimet diktatoriale tremben edhe nga nji mizë, dyshojnë edhe te njeni-tjetri, e jo ma prej meje, kur ne thamë atë meshën e famshme, në kohën kur të tana kishat ishin të suprimueme, atë meshën ku morën pjesë katolikë e myslimanë, edhe prumë demokracinë. Sepse baza e demokracisë asht liria e fesë. Prandaj u mblodhën 50 mijë vetë. Erdh’ tanë bota këtu në Shkodër, për me vërtetue mrekullinë, sepse qe nji mrekulli, mbasi katolikët ishin pa institucione,
ishin pa kisha, pa kurrgja. E megjithatë, populli vetë u grumbullue, erdh’ e më mori mue me 4 nandor 1990, dhe kena shkrue historinë, datën ma të lavdishme të historisë tonë. Sepse e kena shkrue midis terrorit komunist. Kur gjakësori Ramiz Alia vritte njerëz përditë, në kufi sidomos. E liria e feve, që katolikët i dhanë shqiptarëve, solli demokracinë në Shqipni. Këte demokraci me origjinë fetare, sepse vetëm feja sjell vlera. Politika nuk sjell vlera. E këte demokraci me origjinë fetare e përshneti tanë bota. Gazetarët e kamerat e botës kanë ardhë me regjistrue këte datë të shënueme. E sa ka zgjatë mesha – 35-40 minuta – aq ka zgjatë me u rrëzue pushteti komunist.
Pushteti komunist që erdhi prej Jugut?…
Po, prej Jugut, sepse kështu asht. Jugu ka vra krejt inteligjencën e veriut. Krejt. I kam pa me sy un’, jam un’ dëshmitar, i kam pa tu’ i pushkatue mbas murit të vorreve (të Rrmajt), qindra intelektualë nga Veriu. E kur i pushkatojshin, toskët hidhshin valle rreth kufomave, tue këndue: “Lule Sofo, lule djali”. Sepse po përmbysshin Veriun, po përmbysshin Evropën. Veriu përfaqëson Shqipninë e vlerave, Shqipninë evropiane. Këtu janë hapë shkollat e para. Këtu ka kenë Budi, Bogdani, kurse Jugu ka gjimnazin e parë në ‘41-n!
Por kjo që po thoni ju, a nuk çon në nji dasi mes Jugut e Veriut?
Jo! Përkundrazi! Jugun kurrkush nuk e ka pengue me i zhvillue shkollat. Por ata i kanë zhdukë edhe tonat. Kanë zhdukë krejt shkollat tradicionale të Buzukut, Budit. S’kena shkue ne me i vra atje, ata kanë ardhë këtu me na vra ne, me zhdukë qytetnimin. Nuk ka asnjë fakt se ne kena shkue në Jug me i vra inteligjencën o me i zhdukë shkollat. Jam 83 vjeç e nuk di asnjë fakt për këte. Përçamjen e ka ba Enver Hoxha, Mehmet Shehu. Demorkacinë e kena prue ne, tanë bota e di këte fakt, e tash ia dha meritën gjaksorit Sali Berisha e gjaksorit Ramiz Alia.
Çka përfaqëson kjo katedrale e madhe e Shkodrës?
Nji shenjë e demokracisë asht se kjo kishë ka kenë e kthyeme në pallat sporti. Komunizmi pra, u mundue me e shkatërrue qytetnimin kristian-katolik, por nuk mundi me e zavendsue. Sepse feja asht shkenca e perëndisë.
Po besimi, çka asht?
Feja asht shkenca që na flet për perëndinë, sepse njeriu asht krijue në ngjasim të perëndisë. Ideja e Zotit lind bashkë me njeriun. Kinezët, për herë të parë suprimuen fenë, e dënuen Zotin me vdekje, mirëpo Zoti u ngjall. Nga toka, hyni nën tokë, në katakombe, e me 4 nandor erdhi këtu. Nuk dënohet Zoti me vdekje.
Po kultura, dom, çka asht?
Kultura asht njohuni. Kultura e vërtetë buron nga feja. Çdo kulturë e vërtetë, po s’pat për bazë morale fenë, nuk asht kulturë. Por edhe liria ekonomike, po nuk pat bazë morale, nuk asht liri ekonomike. Edhe liritë kulturore nuk janë liri të vërteta nëse nuk kanë bazë morale. E moralin ta mëson feja.