Shtypi bullgar për Isa Boletinin në kryengritjen e vitit 1912: Në gusht të vitit 1912 gazeta «Makedonija», duke cituar gazetën ruse «Novoje Vremja», shkruante: «Ndonëse shqiptarët janë gjysmë të egër, ata i detyruan turqit t’iu nënshtroheshin ultimatumit të tyre».
Një muaj më vonë raportonte se «në Shqipëri nuk ka pushtet turk. Pushteti në Mitrovicë, Vushtrri, Prizren, Shkup e Tetovë është përqendruar në duar të komiteteve popullore shqiptare, të përbëra nga kryengritësit».
Në fillim të korrikut 1912, në kryeartikullin redaksional të gazetës bullgare «Balgarija», me titull «Kryengritja shqiptare», pasi i bëhet një analizë e gjerë dhe mjaft objektive kësaj kryengritjeje, vihet në dukje fenomeni i dezertimit në masë të ushtarëve,
oficerëve e xhandarëve shqiptarë nga radhët e formacioneve turke dhe bashkimi i tyre me forcat kryengritëse, duke vënë në dukje se «në krye të Lëvizjes kryengritëse në Jug është Ismail Qemali. Gjithë Shqipëria është në flakë, atje vepron Isa Boletini»