Sipas historianëve dhe studiuesve, dokumeni i parë i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e Pagëzimit”, shkruar nga Ipeshkvi Palë Engjëlli në vitin 1462. Ajo është vetëm një fjali: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit” që do të thotë “Unë të pagëzoj në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”.
Ky dokument u zbulua për herë të parë në vitin 1915 në Bibliotekën e Milanos nga historiani i njohur romun Nikolla Jorga dhe më pas u bë një botim filologjik i këtij dokumenti, bashkë me riprodhimin fotografik të tij, nga filologu francez Mario Roques në “Recherches sur les anciens textes albanais”, Paris 1932.
Por, në po të njëjtin vit (1932), profesori italian Gaetano Petrotta, botoi librin “Popolo, Lingua e Litteratura Albanese” i cili erdhi në shqip vetëm në vitin 2008 nga shtëpia botuese “Almera”.
Studiuesi Petrotta, ndër të tjera, jep një fakt mbi dokumentin e parë shqip, i cili, sipas tij, nuk është “Formula e Pagëzimit” e Kryeipeshkvit të Durrësit.
Ai shkruan se në vitin 1912 një murg bazilian kishte gjetur një fragment ungjilli në gjuhën shqipe, i cili kishte një rëndësi të madhe, pasi, sipas dr. Petrotta, përbën dokumentin më të vjetër të njohur të kësaj gjuhe.
Për këtë, murgu bazilian, njofton Imzot Pal Skiroin duke i shkruar “Kam ndërkohë kopje të një fragmenti të gjuhës shqipe gjetur në vitin e kaluar: kufizohet megjithatë në Ungjillin e Varrimit, që thuhet në fundin e ‘Opopaç të së Shtunës Shenjtë’.
Teksti është mjaft i vejtër, pa dyshim më i hershëm në kohë se shpikja e shtypit; ende nuk mund të përcaktoj me siguri as kohën e saktë e as prejardhjen.
Kam ndërmend ta botoj brenda këtij viti… Me gjasë, në një rast të tillë do të shtjelloj edhe çështjen e gjuhës liturgjike (në këndvështrimin historiko-juridik), nëse bie në ujdi të miratohet nisma e disa bashkëvëllezërve tanë ortodoksë, ose në çfarë caqesh do të mund të jepej e drejta e përdorimit të gjuhës kombëtare.”
Murgu i dërgoi eprorit të tij në hiearkinë kishtare një kopje të këtij dokumenti, të cilën, studiuesi Petrotta ka mundur ta shqyrtojë.
Sipas tij, përkthimi është në dialektin toskë, jo përherë i saktë; është përdorur në të alfabeti grek; ortografia është e pasigurtë; gjuhësisht është diçka mjaft e varfër; vlera e saj është vetëm historike përderisa paraqet një provë të gjuhës shqipe të shekullit XV, përveç gjurmës vetjake të atij që e shkruan, i cili nuk duhej të ishte shkrues me përvojë.