Vitin e kaluar, sektori i arsimit u financua në 3.1% të PBB, teksa pritet që financimi të jetë po në këtë nivel edhe këtë vit. Mirëpo nga të dhënat e detajuara nga Ministria e Arsimit mësohet se 1% e PBB, nga 3.1%, financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkte.
Përqindja e financimit të familjarëve u rrit dukshëm pas rritjes së tarifave në arsimin e lartë pas vitit 2015. (tarifat që paguajnë familjarët derdhen në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, që më pas i rishpërndan për nevojat e veta). Sipas një analize të fundit të United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO) Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin në raport me PBB në raport me vendet e tjera të kontinentit.
Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverise për arsimin kane qenë të ulëta, dhe përgjatë 15 viteve te fundit mbeten kryesisht nën 3.5% te Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Në vitin 2007, një vit përpara krizës ekonomike financiare dhe recesionit ekonomik, përqindja përkatëse mezi arriti ne 3.2%. Pas krizës f8inancimet për arsimin kanë qenë sistematikisht poshtë 3 për qind të PBB-se.
Po ashtu, shpenzimet private/familjare për arsimin si përqindje e PPB-se kanë qenë në rritje që në 2011, dhe, duke ruajtur ketë tendence, arriti ne 0.9% në fundin e vitit 2015 dhe pak më shumë se 1% më 2017. Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-se, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7 % të PBB-së tyre për arsimin.
Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat pavaforizuara të popullsisë. Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria ka planifikuar të kundërtën, fondet do të ulen më tej gjatë tre viteve në vijim. Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1 – 3.3% e PBB-së më 2018-2019 do të zbresin në 3 % në 2020 dhe 2021.
Shqipëria u rendit e fundit në Rajon për shpenzimet dedikuar arsimit gjatë vitit të kaluar. Shqipëria shpenzoi 3.1 për qind të PBB-së për arsimin teksa vendet e tjera të rajonit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së. Në arsimin parauniversitar do të financohen me prioritet projekte për ndërtime të reja, rikonstruksion/rindërtimin apo shtesa në objektet aktuale për më shumë se 170 objekte arsimore të tjera ose rreth 1500-1700 klasa / laboratorë mësimore, nga të cilat do të përfitojnë 50,000- 55,000 nxënës dhe 3000-3500 mësues dhe edukatorë.
Infrastruktura e sektorit e arsimit në Shqipëri mbetet shumë e dobët dhe nuk po bëhet para për zhvillime në sektorin e Teknologjisë dhe informacionit dhe Komunikimit (TIK) në nivel kombëtar, teksa modeli arsimor vijon të jetë nën presionin e politikave afatshkurtra, ku kurrikulat ndryshojnë vazhdimisht me ndryshimin e ministrave.