Pasditen e së mërkurës, saktësisht në orën 15.30 në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës do të zhvillohet ndeshja e kthimit e Kupës së Shqipërisë në mes ekipit të Vllaznisë dhe atij të Burrelit.
Këto dy ekipe janë përballur ditët e fundit edhe dy herë të tjera në Burrel, duke rregjistruar një barazim 1-1 për kupë dhe një fitore 2-0 të shkodranëve në kampionat.
Këta të fundit do të tentojnë fitoren edhe nesër dhe këtë jo vetëm për të siguruar kualifikimin për në turin e dytë të këtij kompeticioni, por edhe për të vijuar serinë e rezultateve pozitive të këtij fillim-sezoni.
Vllaznia në fakt e ka nisur në mënyrën e duhur atë. Në kampionat kryeson renditjen me tre fitore ndërsa në kupë është pranë kalimit në turin e dytë sepse e favorizon rezultati i ndeshjes së para dy javëve në Burrel.
Kjo nuk do të thotë se kualifikimi është punë e kryer. Për këtë arsye, stafi teknik pritet që të hedhë në fushën e lojës disa nga titullarët e formacionit sepse dëshiron t’i paraprijë ndonjë të papriture të pakëndshme.
Përveç tyre pritet të luajnë edhe portieri Selimaj apo dhe mbrojtësit Malota e Marku të cilët kanë patur probleme shëndetësore apo mungesë aktivizimi aq sa duhet deri më tani.
Vërtetë Vllaznia do të përballet nesër me Burrelin por vëmendjen më të madhe e ka të përqendruar tek sfida e fundjavës me Besëlidhjen për kampionat. Lezhjanët luajnë në fushën e tyre dhe janë vetëm tre pikë larg në renditje nga kuqeblutë prandaj do të tentojnë t’i mundin.
Këtë gjë do të synojnë edhe shkodranët sepse në rast fitoreje edhe këtë javë, do të hedhin një hap edhe më të sigurtë për vazhdimin drejt arritjes së objektivit që kanë.
© shkodrasport.com