Çiftin Rrjolli, Shabanin 87 vjeç e Hasijen 80 vjeçe, i takova një pasdite prilli të vitit 2000. Shtëpia ku banonin ishte njëkatëshe dhe e vjetër. Errësira kishte hise më shumë se drita.
E kujtoj edhe tani atë pasdite prilli shkodran. Dielli bëhej gati për të perënduar. Udhët lageshin nga një shi i lehtë i një prilli çapkën.
Gjatë gjithë udhës ndjeja freskinë e stinës e duhmën e pluhurit, që dalëngadalë po humbiste ngjyrën e athët që lëshonte përreth.
Gjelbërimi më shfaqej aty-këtu, shpesh befasues e me copëza lirizmi, të cilat m’i falte shiu shkodran, kësaj here si një mrekulli, ku shfaq pak si rrallë butësinë e tij nazike.
Si shtëpia, ashtu edhe të zotët e saj, numëronin ditët e pleqërisë. Brenda kufijve të kësaj pleqërie, kujtesa e Shabanit dhe e Hasijes ndjehej e paplakur.
I gjallëronte rituali proverbial i traditës së bejtexhinjve shkodranë: “Qit e prit…”. Dhe për këtë çift pleqsh, mosha e të cilëve udhëtonte drejt një shekulli, rituali hokatar, thumbues e ngacmues:
“Qit e prit…”, ishte e vetmja relike e përbashkët dialogu, që u kishte mbetur nga koha e magjishme dhe ëndërrimtare e rinisë. Ky “Qit e prit…” nëpër këto vite, kishte nisur “të rrudhosej”. Sepse, tani heshtja, dhembja e vetmia kishin pushtet më të madh.
Gjatë bisedës mësova se, në kujtesën e çiftit Rrjolli, çdo ditë regjistroheshin vargje të pafund të improvizuara. Në këtë pafundësi vargjesh shkëlqenin thërrmijëza humori, të cilat kishin vlerën e një batute, të një situate, të një dëshire, të një …
Dhe ajo kujtesë që shpesh merrte formën e shpirtit të çiftit Rrjolli, “jetonte”, buronte e rridhte pa pushim humori shkodran. Por… ndodh shpesh (fatkeqësisht shpesh) që vargjet…”Qit e prit…” aty, në atë dhomë me pak dritë e shumë errësirë, lindin, jetojnë, humbasin…
Ndodh që kthen kokën pas për t’i kujtuar e përsëritur, dhe padashur kupton se janë shndërruar në hireoglife të pakuptueshme, të cilat i ka rrëmbyer një mjegullnajë të trishtueshme, që udhëton e mbulon copëzën e qiellit të fantazisë e të dhembjes së krijimit.
Megjithatë… dhembja e krijimit nuk vdes. Për të portat e kujtesës rrinë hapur… Ndonëse teksti i krijimit “mbërrin tek ne si kujtesë dhe si pakujtesë”. [1]
Trishtimin që herë pas here e mbulon këtë dhomë dhe fytyrën e këtyre dy njerëzve, e largon e qeshura e këtij çifti pleqsh (si në një baladë dashurie). Kjo e qeshur, si një ujvarë, është një refren i përditshëm.
Kjo shtëpi e ka një magji. E dritëson humori shkodran, pavarësisht se varfëria, këtu, është një jetesë të dukshme, me siguri disa vjeçare.
Shaban Rrjolli tregon:
“Jam i ditëlindjes 1915. Kam lindur në Shkodër, te xhamia Begas. Për një periudhë të shkurtër kam jetuar në lagjen “Kiras”, për t’u vendosur përfundimisht në lagjen “Rus”.
Afërsisht në moshën 17-vjeçare kam krijuar një grup ahengu shkodranë. Këngëtar kishim Muharrem Drishtin. Unë i kam rënë pak violës. Met Sula i ka rënë dajres. Met Rrapushi i ka rënë mandolit. Si grup ahengu kemi shkuar në fejesa e martesa të shumta të familjeve shkodrane.
Gjatë jetës sime kam ndenjur edhe me ahengxhi të vjetër, si me mjeshtrin humorist Kolë Tivari, me këngëtarët Shuk Prifti [2], Sadik Spahia [3] e Muho Shkreli që kanë kënduar “me të pasë lezet shpirti”. Bile, ky i fundit, pa pyetur fare se ishte hafiz, e këndonte bukur këngën: “Aman medet!”
Për një periudhë kohe kam punuar në Fabrikën e Cigareve. Gjithashtu kam qenë aktor teatri në Shoqërinë “Malet tona”. Këtu njoha dhe kujtoj me nderim Ndoc Mëshkallën, Gjergj Delinë, Shaban Cenin. Kujtoj gjithashtu që Ndoci kishte gjithmonë rol të parë. Regjisor kemi pasë Luigj Kakarriqin. Si natyrë ishte i dobët dhe vinte i hajm. Ky ka qenë mësuesi ynë.
Si bejtexhi, kam njohur edhe Hamdi Bejtjen, nipin e Sheh Ahmedit. Ishte i shkathët, i shpejtë. Kam njohur edhe një kafexhi në Parrucë. Ymer, Ymer katundari [4] i thoshin. Bejtet e tij ishin me fjalë banale.
Në të shumtën e herës, bejtet i kemi qitë te shtëpia e Ymer Manit në Tepe. Por kjo nuk i përjashtonte edhe shtëpitë e tjera. Ne i kemi ndenjur besnik traditës së bejtes shkodrane”.
Bejte nga Shaban Rrjolli
Këto copëza bejtesh që do të paraqes më poshtë i kishin mbetur të fshehura në kujtesë Shabanit atë ditë prilli, kur u takova për herë të parë e të fundit me të. I recitonte me gjithë shpirt, ndonëse zemra e tij ishte e lodhur, e sfilitur dhe e plakur.
Në vargjet që m’i dhuronte nuk mungonin herë pas here edhe ngjyrimet apo nuancat humoristike, të cilat i krijonte me lehtësi Shabani, teksa vizatonte situata të këndshme, që në shumicën e rasteve ishin të improvizuara.
I ruaj këto copëza bejtesh si gurë të çmuar shumëngjyrësh (pjesë e mozaikut të krijimtarisë së bejtarit), të regjistruar vite më parë në magnetofonin tim. Aty jetojnë, në atë tapi!
Duke vërejtur me kujdes bejtet në fjalë, e kupton që Shabani ruan me fanatizëm veçoritë e traditës së bejtes shkodrane.
Dhe këto ndikime të kësaj tradite i shohim te koncepti i dhënies së mesazhit, te modelet e gatshme e skemat e njohura që përdor në ndërtimin dhe arketipin e bejtes, në mënyrën e krahasimit me objekte të njohura, në përdorimin e fjalëve parazitare: me kuptim dhe pa kuptim,
në spontanitetin e formulimit të motivit, në vibracionet e tij, në krijimin e dimensionit real, humoristik, grotesk apo sarkastik e evidentues të realitetit si dukuri, fenomen apo gjendje që ekziston realisht, etj. etj.
1.
Po ju baj t’gjithëve nderim,
e si shok ju paraqitem,
disa bejte me kuptim
m’i mbajt n’mend datën e ditën.
2.
Unë kaher jam tuj mendue,
disa bejte i rreshtova,
me më fal n’paça gabue
se me punë pak xanë qëllova.
3.
Gjithsekush të ket’ kujdes,
edhe fjalën mos me e ndrye,
disa bejte unë po i qes,
ishalla kanë me ju pëlqye.
4.
Në dynja ka dhe horllek,
askërkund nuk ndihet kiza,
janë ba makinat shtatë një lek,
shkojnë e vijnë porsi miza.
5.
Dojnë me i dhanë vedit kyvet,
tanë bërtasin prej nji zanit,
ministra e deputetë,
janë si qejtë e Ymer Canit.
6.
Çdo dasëm bahet me lodër,
më vjen keq që jam plakë,
bejtexhinjtë që janë në Shkodër,
asnjëherë s’kanë pasë nafakë.
Qit e prit…
Në traditën e bejtarëve ka qenë zakon “dyluftimi” me anë të bejteve. Në këtë rast shquhej bejtja e improvizuar. Dhe “sheshet” ku shfaqej talenti i bejtarëve ishin: mjedisi publik, ceremonitë e fejesave, të martesave, ceremoni të ndryshme, mejhane, etj. etj.
Pak a shumë “dyluftimi” kishte këtë ecuri: Ia fillonte njëri dhe ngacmonte shokun me një strofë të improvizuar (katër vargje ose një distik), “kundërshtari” i përgjigjej aty për aty. Kësaj udhe nuk i ka “dredhuar” edhe bejtexhiu Shaban Rrjolli.
Në këto “ndeshje” shfaqen disa tipare karakteristike, të cilat Prof. Ramadan Sokoli i evidenton në këtë mënyrë:
“… Biramela prej natyre, me një shikim të shpejtë ata dijnë me vrejtë ambientin e me i kapë shpejt e shpejt tiparet karakteristike të secilit për t’i qitë në bejte me lehtësi të madhe.
Ata kërkojnë anët qesharake dhe i përshkruajnë në qetësi, tue i paraqitë të metat dhe shëmtimet trupore të zmadhueme ose të zvoglueme si në karikaturë…
Mbrendia e bejteve asht mjaft e larmishme: përmbajnë thërime përvojësh, gjykime morale, përshtypje dhe mendime rreth ndonjë problemi për t’u zgjidhë. Kryesisht përmbajnë tallje tipash dhe individësh…” [5]
Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Kolë Tivarit [6]
Shabani: Kush i dyti, kush i pari,
ta tham fjalën flakë për flakë,
po ku je, mor Kolë Tivari,
a ke mujt me rrejt ndoj plakë.
Kola: Të tanë bejtet i kam n’krye,
me kët’ fjalë ti po më tutë,
nuk kam kohë m’u marrë me ty,
se qes bejtet n’pesë minutë.
Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Ndoc Temalit (Bildja) [7]
Shabani: Du me i folë dy fjalë boshe,
m’duket vetja si midil,
rroftë e qoftë vllaznia n’qoshe
bashkë me Ndocin ndën kandil.
Ndoci: Me kët’ bejtë më ke habitë,
por diçka në mend m’u duk,
jam kandil që baj dritë,
e nuk jam si ti bishtuk.
Shabani: Njiksaj pune t’i dalë lezeti,
do t’jesh rritë me bukë e shllinë,
bishtukun mbaje për veti,
ka me t’u dasht me e ndez n’kuzhinë.
Ndoci: Unë po flas la e pa la,
e kërkuat, s’ia kam nxjerrë bojën,
unë nuk deshta për me t’sha,
pata qejf me ta çilë gojën.
Qit e prit… në mes Shaban Rrjollit e Pjetër Gjinit [8]
Pjetri: Gjithkush ka hallet e veta
jam tuj folë hir e pa hir,
ti, Shaban mundohesh me qit bejta,
por nuk din me i qitë mirë.
Shabani: Ban shyqyr që je i kshtenë,
po s’ke din e s’ke iman,
topall je, topall ke kenë
topall ke me kenë gjithmonë.
Qit e prit… në nderim të humoristit Mërgim Muhja [9]
Shabani: Pak prej qefit, shum’ prej gzimit,
unë qes bejta ditë e natë,
falenderoj familjen e Mërgimit,
e paçin jetën e gjatë!
Qit e prit… Hasije Rrjolli [10]
Hasija: Unë gjithmonë flas të vërtetën,
motrës sime i kanë thanë Leqe,
Shabani ma qiti nji bejte
sigurisht po i jap përgjegje…
Djemtë na qofshin me nafakë,
për çdo gja kena nevojë,
Shabani tash asht plakë,
kot sa ban luftë me gojë.
Shabani: Si me kenë tas hashafit
për me i dhanë punës shyret,
kto janë bejta mbas pilafit,
me qit shumë nuk ka lezet.
Hasija: Ndigjo mirë çka thotë Hasija,
veç të lutem me m’ndigjue,
ti ke msu n’lagjen “Liria”
e po qet bejta me mue.
Shabani: Rrnoftë e qoftë gjithmonë shoqnia,
si zagari që del me gjue,
ndigjoji mirë bejtat e mia
që hala ti si ke msue…
Hasija: Na qofshim faqebardhë,
nji e nji na bajnë dy,
qysh se ktu kam ardhë
kam qit bejta me ty…
Shabani: A ke kenë ndoj herë te plepat
aty njerëzit qajnë me pecë,
unë me bejta t’i mbush xhepat,
nuk sheh rrugën ka me ecë…
Hasija: Çdo gja n’zemër e mbaj t’ndryme,
me ju flas e jam tuj qeshë,
derisa kam moshë të thyeme
ma s’po mundem me qit vjershë…
Kujtesë…
Shaban Rrjolli vdiq, më 23 korrik 2001, në Shkodër. Ashtu siç e thamë edhe në fillim të shkrimit: ishte përfaqësuesi i fundit që i mbeti fanatik traditës së bukur të bejtes shkodrane,
traditë që duhet njohur, mbledhur e studiuar, sepse kemi të bëjmë me një thesar që është pjesë e identitetit shkodran, pa të cilën nuk mund të kuptohet Shkodra.
Për të nderuar figurën e Shaban Rrjollit, një bejtexhi tjetër i njohur shkodran, i një brezi paksa më të ri, Isa Teli (edhe ky tashmë ka ndërruar jetë), e ka “portretizuar” Shabanin kështu përmes vargjeve:
Ju përshëndes në përgjithësi,
po kam qejf me fol taman,
po kujtoj një bejtexhi,
Shaban Rrjollin, veteran…
Koha ban punën e vet,
e ndër ne ishte ma plaku,
të gjithë i thonë: rahmet pastë,
në farë e fis ma qesharaku.
Njikshtu, pra, ç’asht e vërteta,
ishin t’rrallë shokët e tij,
nëpër gëzime nxirrte bejta,
çdo ambienti i jepte gjallëri.
Bejtexhi hangri bukë veç,
ja kish dhanë Zoti dhunti,
gati ishte 90 vjeç,
mendjen top si djalë i ri.
_______________
[1] Tufa, Agron: “Kuja e Mnemozinës” (Studime), Botime pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2010; studimi “Kuja e Mnemozinës”, f. 15.
[2] Sipas Kolë Gurashit, autor i shkrimit; “Të dhana biografike mbi disa kangatarë popullorë” (almanaku “Shkodra” Nr. 1 (4), Viti IV, 1964) lexojmë:
“I biri i Gjonit të Matisë së Hilë Pjetrit lindi në Shkodër më 1892 dhe vdiq në Tiranë në vitin 1952. …
Me gjithë se i ati e kishte vendue me mësue zejen e këpucarit, Shuku kahë kishte za të bukur tenori, u dha mbas ahengjeve e këtë profesion e mësoi shumë mirë, nën drejtimin e Qorr Jakovës; por, mjerisht, zuni edhe pijen.
Prej kësaj i erdhi edhe fundi i keq. Një natë dimni, me akull, i dejën siç ishte, e zuni gjumi në breg të Lanës, mbasi nuk diti me shkue, ku banonte. Në mëngjes u gjet i vdekur, në një moshë gjashtëdhjetëvjeçare.
Ka inçizue mjaft disqe gramafoni me kangë të ndryshme. Ndër ma kryesoret janë këto kangë: “Ti, qi je Mehmeti myftar”, “Në Shkodër ka ra një dritë”, “Më shkoi lala në Tiranë”, “Edhe ‘i herë due me kja hallin”, etj.”
Kolë Gurashi, më 2 prill 1967, në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, shkruan “Vjersha në kujtim të ahengçinjëve të vjetër shkodranë”, ku për Shuk Priftin lexojmë:
Kje kangtar por i zi si zifti
Mbyti vedin me raki
Ai i mjerë u quejt Shuk Prifti
Si bylbyl kje zani i tij. (f. 259)
[3] Sipas Kolë Gurashit: “Nga kangatarët dilektanta po përmendi disa: … Caf Drishti, Ymer Podgorica, Sadik Spahia, Oso Dibra… etj.” (Gurashi K. “Shkodra e Baballarëve”).
[4] Sipas Kolë Gurashit: “Përveç atyne që përmendëm ma sipër, ka pasë edhe të tjerë sidomos vjershëtarë,
që improvizojshin aty për aty vjersha të ndryshme, si p.sh. Temo Dushi, Ymer Katundari, … Ndoc Temali… Simon Çurçija, Gjon Çela, etj.” (Gurashi K. “Shkodra e Baballarëve”, Botime françeskane, Shkodër, 2002).
[5] Sokoli, Ramadan: “Humori dhe satira në lirikën tonë popullore”, “Nëntori”, 02.02.1961.
[6] Të paktë janë ata që nuk e kanë njohur Kolë Tivarin (1892-1964). “Bëmat” e tij humoristike i kanë kaluar muret e Vendlindjes.
Qysh herët, veçanërisht, në Shkodër, emri i tij bëhet aq popullor sa merr vlerat e një Nastradini të ri, që tashmë kishte “Një mijë e një netët” e humorit të tij.
Kolë Tivari bëhet paraardhës i asaj satire të ashpër e të hapur, që shpërtheu në mesin e viteve ’30, që me aq forcë e qartësi, guxim e trimëri e mbarti në bejtet e karnavalet e tij, Kolë Lush Shiroka.
Ishte anekdotik i përmendur dhe humorist me famë. Krijimtaria e tij humoristike përqendrohet veçanërisht në dasma e mbledhje, ku s’ia ka përtuar dhe ka nxjerrë bejte “Qit e prit…”.
Sipas studiuesit Lec Shllaku (autor i librit “Maska shkodrane”, Shkodër, 2000): “Kolë Tivari e zhvilloi veprimtarinë e vet si humorist në Shkodër e ma vonë në Tiranë.
Kolë Tivari e gati gjysmë shekulli para tij, Oso Mani, ato që kishte për t’i thanë si gaztor apo si kritik satirik e shprehte drejtpërdrejt edhe me pjesëmarrjen e vet aktive në jetën e gjallë të qytetit.
Pra, jo vetëm si subjekt krijues, por edhe si subjekt, si protogonist i shumë ngjarjeve, të cilat njerëzit e kohës ua përçonin njeri-tjetrit si grimca të jetës së tij, plot surpriza, si qyfyre të Kolë Tivarit, si veprues i drejtpërdrejtë.”
Pak çaste, para se të jepte shpirt, Kola këndoi me një zë të mekur këngën: “Vaj si kenka ba dynjaja!” – e cila u bë e njohur dhe këndohet edhe sot e kësaj dite. Së bashku me vargjet, melodinë e këngës, nuk harrohet edhe emri i Kolë Tivarit.
Ka mbetur e përmendur bejta, kur Kola mori me qera shtëpinë e Kel Kadares. Pronari e zboi nga shtëpia, sepse kishte disa muaj pa i paguar qiranë.
Ku po rri me shpi?/ Te Kel Kadarja, / Po qiranë a e ke pague? / E kam derën me tre shula / Nuk m’len Keli me mbajtë pula. / Po del Gjystja me kmishë t’gjanë, / Paret i kam lanë n’ mejhanë… (Sipas dorëshkrimit të studiuesit Gjush Sheldia).
Sipas studiuesit Kolë Gurashi (autor i librit “Shkodra e Baballarve”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2002, kapitulli “Humori ndër kangë dhe valle shkodrane”, faqe 250, lexojmë për Kolë Tivarin: “Është ndër ma të njohurit për bejte dhe anekdota në Shkodër.
Megjithëse nuk ka lanë gja të shkrueme, shokët e tij i kanë ruejtë disa. Kola, si i vorfën që ishte, pat marrë një shtëpi përdhese me qira. Kur e pyetën shokët se si ishte shtëpia, ai u përgjigjet me bejte:
Nji këso punësh dashnija m’bani
Kur kam ndejë njëherë në shpi
Me qira te Ndoc Nallbani
Aty flejshe në jerevi.
Nën arkë këndonte nji bretkocë
Edhe mue m’u ba marak
Ish e madhe sa nji bocë
Atë e mbyta me dajak.
Mbi krye magjen me dy qetha
Kurse kishin me gatue
Mbushej oda plot me gretha
Taksirat i zi për mue.
N’arkë i shtieshe brandavekët
Kishe frigë se m’i han mini
Rreth dyshekut plot agrepë
Prap belaja mue ma mbërrini.
M’thirrën nalt me pi raki
Ndeja pak te tezja Gila
Kur u ula n’jerevi
M’hangri daci nji tas me njila. (f. 255-256)
[7] Ndoc Temali (Bildja), 1894-1937, mori pjesë në shoqërinë e surretërve. Vetëm përmendja e kësaj fraze të krijon ndjesinë e humorit.
Pastaj kujton maskat që s’kanë numërim së vizatuari në mënyrë qesharake, të cilat, si prapa kuintave edhe para tyre fshehin diçka të mistershme, enigmatike, befasuese, lodruese… të shfaqura me zërin e karnavalistit plot truke, sajesa të çuditshme e si gjithnjë me humor bashkëkohor.
Kështu do të thoja për Ndoc Temalin (Bildja), i cili ishte shok i ngushtë me Kolë Tivarin, dhe që, vdekja e mori në moshë të re, moshë që në kontrast me të, kishte strehë koliben e varfërisë…
Ndoc Temali (Bildja) mori pjesë në shumë shoqëri, të cilat zhvillonin aktivitet aso kohe. Ishte një ndër themeluesit e Shoqërisë së punëtorisë, dhe anëtar i shoqërisë “Vllaznia”. Përveç që bëri shenjë si amator, ishte dhe ahengxhi i mirë e dinte me qitë bejta.
Më shoqërinë “Vllaznia” interpretoi te drama “Erminja e vorfën” ( 10.08.; 27.11.; 14.12. të vitit 1919), te komeditë: “Vllazni e interesë” (6.04.1920), “Nder e qytetni” (21.10.1920), te lojërat e gazit: “Do të vras vedin”, “Reklama e blof” (21.10.1920), “Dragomani” (23.01. dhe 4.09. të vitit 1920), ku luan përkrah Shyqyri Borshit e Shuk Radojës.
Me shoqërinë “Populli” interpretoi te dramat “Gjenovefa e Brabantit” (28.12. 1921), “I merguemi” (3.09. 1924), te komedia “Kashata e koprracit” (22.10.1923) e te drama “Gjin Bue Shpata”.
Pasioni për bejtet, endja e tij nëpër piacë, ditën e karnavaleve, e bëri edhe artistin amator Ndoc Temali (Bildja) të përmendur dhe me vlera.
Tematika e bejteve të tij ishin të lidhura me ngjarje të mëdha, të rëndësishme e tronditëse për Shkodrën. (Ndryshe ishte e Kolë Tivarit, që shquhej për një karakter e veprim impersonal që lëviznin në një sfond social.
Kujtojmë vitin 1922, kur Shkodra pësoi një vërshim të jashtëzakonshëm uji e njëkohësisht u përballë edhe me një dimër të ftohtë. Ndoci si bejtexhi e përjetoi me ngjyra humoristike duke i dhënë vështrim, fryme e koncept karnavalisti. Për ilustrim:
Karnival, për ne je mik,
veç n’paç fol ndoj fjalë kund kundra,
asht ba Shkodra Venedik,
der n’Parrucë po vijnë me lundra.
Ndryshe ishte e Simon Çurçisë, ku evidentohej përmbajtja historike, por pa harruar edhe ato që ia kishte “qejfi” – humorin… Kjo e fundit shpeshherë lindte spontanisht, por edhe si rezultat i “vakive” që i ndodhnin ngjarjeve të subjektit. Për ilustrim:
Lum kush pat një mik n’Tiranë,
hangri petlla e terhan,
unë i mjeri mik nuk pata,
s’m’del me hangër saraga t’thata…
Ndryshe ishte e karnavalistit Luigj Lacuku, nga që ishte mësuar me qitë bejta për çdo vit, ditën e karnavalit, del me djep në dorë, duke e përkundur nana o e ooo, nis humorin… (për ata që nuk u pëlqen shkolla). Për ilustrim:
Bir, ti shkollës, kimetin dija,
n’daç me u kamun djalë për nder,
ndryshe rritesh si bagëtija,
shkon si pluhni që çon erë…
Ndryshe ishte komiku i ri shkodran Gjon Çela që krahas vjershave humoristike shkruan dhe erotike. Syrit të tij nuk i shpëton kjo ngjarje: Disa shokë me të ardhur stina e verës, veshën brakesha të bardha. I bëri përshtypje të madhe. Bile, disa thanë se ishte “braktisje” e kostumit shkodran. Për ilustrim:
Unë, sot nadje, fort u qesha,
tuj u nis me dal n’pazar,
janë veshë hallku me brakesha,
m’u përzi me katundarë.
Ndryshe ishte bejtexhiu Gjushi i Lac Kosit, që korrespondencën me shokët, e mbante në formë vjershe, sigurisht me bejte. Për ilustrim:
Jam largue prej jush, zavalli;
e kam lanë shokë edhe shoqe,
për pogaçe kur më merr malli,
marr një copë bukë kollomoqe.
Ndryshe ishte komiku Pjetri i Lukë Loces, që është në të rrallët humoristë që ka disa mbiemra. Dikush e thërriste Pjetri i Nuses, ca të tjerë e thërrisnin Pjetri i Çi Galuqes.
Gjithsesi ai mbeti Pjetri i Lukë Loces, vjershëtor dhe humori i tij kishte ngjyra satirike. Veçori e krijimtarisë së tij ishte se parapëlqente anekdotën, dhe kjo dukej edhe në ndërtimin strukturor të vjershave.
Në një nga vjershat e tij, ka në qendër figurën e Tones, e cila ka filluar të vishet “allafranga”. Për ilustrim:
Me tri drrasa bahet banga,
asht vesh Tonia ala franga,
ti nuk ke, moj me vesh tlina,
ke penxheren me koltrina…
Ndryshe ishte Gjon Topçija, përveçse ishte komik, i binte violinës. Tingujt e violinës së tij, përmes bejtave “Qit e prit…” krijonin një mjedis lakmues dhe të këndshëm.
Është veçori e krijimtarisë së komikëve shkodranë, që shpesh ngjarjet e tyre, të mos mbeteshin “sekret” në mjedisin familjar, por të përhapeshin dhe të bëheshin shoqërore, pra, ta merrnin vesh të gjithë. Kështu ndodhi edhe me Gjonin.
Me shokët shkon e lahet në lumin Kir. Merr një të ftohur. Shkon në Trieste (Itali) për t’u shëruar. Që andej u dërgon letër miqve. Për ilustrim:
Sa të zorshme i kisha dhimat,
e me fjetë më dhimshin eshtnat,
m’u zbulue m’pickojshin mizat,
e m’u mblu më hajshin pleshtat…
Ndryshe ishte ahengxhiu Nush Pali (lindi në Shkodër më 1868 dhe vdiq në Tiranë më 1946), i cili ishte sazexhiu i ahengut. Iu lutën orkestrantët, që për miqtë që do të vinin, t’u bënte një bejte. Për ilustrim:
Bani qejf e këndoni qyl,
muhabetin kem pa pare,
jeni thirrë si mysafirë,
me i gotë e nji cigare…
(Vargjet e cituara janë marrë nga vepra në dorëshkrim e studiuesit Gjush Sheldija)
[8] Pjetër Gjini: 18 nëntor 1910 – 30 mars 1988, është një nga humoristët më të mëdhenj të humorit shqiptar. Së bashku me kitarën e tij dhe humorin improvizues e elegant, ai u dha gjallëri e të qeshura sofrave e gëzimeve familjare shkodrane.
Pjetri qe një figurë poliedrike: poet, publicist, humorist, muzikant dhe përkthyes.
Mësimet e para dhe të mesme (kreu Kolegjin Saverian) i mori në Shkodër. Mosha e rinisë e gjeti në Tiranë. Si fillim punoi redaktor në shtypshkronjën “Nikaj”. Më pas Radio Tirana, që në krijimin e saj, i hap portën Pjetër Gjinit dhe ai nis punon si redaktor. Me pseudonimet “Terini” apo “Terini me shokë”, çdo të diele organizon dhe drejton “Orën gazmore”, një emision i dashur dhe shumë i dëgjuar. Shkëlqen humori i hollë e fin shkodran, falë kulturës së gjerë të Pjetër Gjinit.
Boton librat:
“Flamuri Shejt” (vjersha atdhetare, Tiranë, Shtyp. “Nikaj”, 1930. 15 f në 16.;
“Malsori në Paris” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, 1932, shtyp. “Mbrothësia” Kristo P. Luarasi, 23 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr.1);
“Besniku?” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, 1932. 24 f. në 16, (Biblioteka argëtuese Nr. 2);
“Gjaja e keqe” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1932, 24 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr. 3);
“Dat-lindja e Zogut 1-rë”, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1932, 34 f. me 2 portrete: në 16, vjersha);
“Flija e atdheut – Llesh Topallaj”, (vjersha rreth atentatit të Vienës, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1932, 24 f., me portr. në 16);
“Flija e atdheut – Llesh Topallaj” (vjersha rreth atentatit të Vienës, botim i 2-të, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1933. 33 f. me il. e portr. në 16.);
“Darkë madhështore” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, “Nikaj”, 1933, 25 f. në 16, Biblioteka argëtuese nr.4);
“Tridhtedyshit ose zotni Ndoc Vasis”, (Tiranë, shtyp. “Gutenberg”, 1933, 16 f. në 16., polemikë në formë vjershe me Ndoc Vasin.);
“Dy lot mbi varr të N. M. S. Nanës Mbretneshë”, Tiranë, shtyp. “Gutenberg”, 1934. 15 f. me portret në 16., vjersha);
“Kurtha e dashunis”, (novelë, Tiranë, shtyp.”Shkodra”, 1934. 31 f. në 16.);
“Letrar: Meshirë për gjuhën shqipe”, (Tiranë, 1934. 16 f. në 16., vjershë);
“Tri përshëndetje Llesh Topallaj – në tre vjetorin e vdekjes së tij” (Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1934. 22 f. në 16., vjersha);
“Burri ban voe” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. “Gutenberg”, 1935, 24 f. në 16., Biblioteka argëtuese Nr. 6);
“Frushullime të reja”, (Tiranë, “Gutenberg”, 1935, 155f + IIIf., vjersha);
“Vasa në Vjenë” (Kallxim Popullor, vjersha, Tiranë, shtyp. “Nikaj”, 1935, 30 f. në 16., Biblioteka argëtuese nr. 5);
“Çaste rinije” (Kangë origjinale, të përkthyeme dhe t’adaptueme, Durrës, Litho-Tipografia “Stamles”, 1938, 30 f. në 16);
“Frushullime të reja”, (botim i 2-të, Tiranë, Botonjës Luarasi, 1938. 155 f. në 16., vjersha);
“Ora e Dishrueme”, (Tiranë, 1938, 15 f. me portr. Vjershë për fejesën e Zogut);
“Kangët e Frorit”, (1939, të këndueme në Radio-Tirana, Tiranë, shtyp. “Gutenberg”, 1939, 32 f. në 16.);
“Kangë të këndueme në Radio-Tirana”, (Tiranë, shtyp. “Tirana”, 1940. 73 f. në 16., vetëm teksti i këngëve pa nota).
Krijimtaria e gjerë dhe e larmishme zë vend edhe në shtypin e kohës. Zakonisht botonte në rubrikën “Shtylla satirike” nën titullin “Hallet tona”. Bashkëpunoi me organet “Radio-revista Tirana” (e cila nga nr. 14 doli me titullin “Vatra shqiptare”), “Shkëndija”, “Bashkimi i Kombit”, “Bleta”, etj.
Nuk ka shtëpi shkodrane që nuk ka të regjistruar zërin dhe humorin (shpesh në kujtesë) të humoristit brilant Pjetër Gjini.
[9] Mërgim Muhja, humorist me emër dhe mjeshtër në “Qit e prit…”
[10] Në jetën e Shabanit, ose më mirë në jetëgjatësinë e tij, fuqishëm ka ndikuar edhe e shoqja, Hasija. Një grua e qeshur e gazmore, me shumë sentiment, por e vrarë në shpirt.
Këtë lidhje të bukur e të heshtur e kuptoje menjëherë: nga mënyra se si komunikonin me njëri-tjetrin, me sa ëmbëlsi e vështronin njëri-tjetrin, dhe me vargjet e batutat humoristike që ngacmonin njeri-tjetrin aq lirshëm e pa dorashka, sa dukej, dhe kjo ishte e vërteta, ata plotësonin portretin e njëri-tjetrit.
Jo vetëm kaq, por gazi i saj mundohej të sfidonte pleqërinë, varfërinë e i jepte gajret Shabanit.
Sipas Hasije Rrjollit:
“Kam lindur me 1919, në Rus të vogël. Lezetin e prindërve të mi e kam ndjerë që e vogël. E kam jetuar jetën si kërkush.Në fejesa e dasma i kam rënë dajres. Shpesh, në të tilla gëzime, kam qenë me Bik Ndojën e Muhamet Salobegun. Në fejesa e dasma, jo vetëm kam kënduar, por edhe kam qitë bejta.
Bejtat m’i ka mësue nji qiraxhije. Emrin, me m’vra, nuk ia kujtoj. Të shoqit, çuditërisht: po. E quanin Halil.
Ajo ishte qeraxhije te motra ime. Si e vogël që isha, shpesh shkoja atje. Ajo, qeraxhesha, nxirrte vjersha. Unë çuditesha se sa e zgjuar dhe e mençur ishte ajo! I dëgjoja me vëmendje vjershat e saj.
Më vonë, sipas modelit të saj, nisa të nxirrja dhe unë bejta. Përsa i përket bejteve, unë eci në gjurmët e vëllait tim, Teufikut, që edhe ai ka nxjerrë bejta.”
Hasije Rrjolli ishtë e vetmja bejtare, që kishte Shkodra. Them kishte, sepse ka disa vite që ka ndërruar jetë.
Takimi me Hasijen për mua, ishte fatlum. E pse të mos ishte fatlum, unë takova një bejtare, që s’e kishte takuar askush… Më bënë përshtypje: mënyra e të menduarit se si…, mënyra e dhënies së përgjigjes se si…,
ndërtimi e pasuria leksikore e bejtes se si…, krijimi i situatës humoristike se si… Ky arketip ruante pothuajse të njëjtat tipare si modeli i bejtes së Shabanit, pra, edhe Hasija ishte rob i traditës së bejtarisë shkodrane.