Shkodra, në shekujt XVIII dhe XIX ishte një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore. Tregu shkodran zhvillonte një veprimtari të gjerë tregtare, e cila kulmoi me një zhvillim të madh ekonomik nga mesi i shek. XIX. Letërkëmbimet tregtare me qendra të rëndësishme si Raguza, Venediku, Trieste, Korfuzi etj.,(Shkodra 1984, 236) dëshmojnë për lidhjet e ngushta të Shkodrës me qytetet e tjera bregdetare të Adriatikut, si dhe me ishujt jonianë.
Dëshmitë e disa ndalesave për zhvillimin e tregtisë apo lëvizjes së tregtarëve nga Shqipëria drejt Italisë, në vitet 1699, 1707 dhe 1729 (ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1, 26 mars 1699/ ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1r, 5 shkurt 1707/ ASHQ, Fondi 132, dosja 1, fleta 1r, 1 qershor 1729) të shpallura nga guvernatorët e Piaçencës, për arsye të rrezikut të përhapjes së sëmundjeve tregojnë për marrëdhëniet e ngushta me qytetet italiane. Në këto vite çdo lloj tregtie ose praktike shkëmbimi u ndalua, jo vetëm për Shkodrën, por dhe për qytete të tjera si Korfuzi, Qefalonia e Raguza.
E pikërisht në këto qendra tregtarët shkodranë, që në shekullin XVIII, kishin krijuar agjencitë e shtëpitë e tyre tregtare (Shkodra 1984, 261). Hapja agjencive konsullore të disa vendeve të huaja, duke filluar nga shekulli XVIII dëshmon për klimën e favorshme institucionale, shoqërore e kulturore të këtij qyteti. Ndërsa, në anën tjetër, lidhjet me Romën, nga ku rrezatonte politika e Propaganda Fides, ndihmonte në përforcimin e depërtimin e frymës katolike. Pra në tërësi Shkodra shfaqet si një qytet me karakteristika të zonave të tokave të kufirit, një qytet me disa referenca kulturore.
Termi tokë kufiri (borderland) i përdorur nga studiues për të shpjeguar natyrën kozmopolite dhe hibride të qyteteve-porte osmane, ndihmon për të kuptuar mjedisin kulturor, shoqëror e institucional të Shkodrës të shekullit XIX. Këto qytete ‘kufiri’, ndryshe nga tokat e zonat e brendshme, funksiononin si zona ndërmjetëse, si “toka të mesit” midis osmanëve dhe europianëve (Inal 2011, 148), e kishin më shumë ngjashmëri me ato europiane e të Mesdheut, sesa me hinterlandin (brendësinë e tokës, në rastin tonë). Ato ishin kulturalisht heterogjene. Marrëdhëniet tregtare e të afërta të Shkodrës me Venedikun, ndikimi e rrezatimi i autoritetit të Propaganda Fides të Romës, sistemi administrativ osman, konsullatat e huaja në vend, mjaftojnë për të kuptuar se ky qytet ishte një pikë nevralgjike e përballjeve kulturore e politike. Si e tillë Shkodra formësoi e artikuloi dinamikat e lëvizjes së grupeve apo individëve në mesin e shekullit XIX.
Situata e saj shoqërore e politike, strukturoi zhvendosjen e atyre individëve, të cilët jetonin ose përballeshin me jetën e të qenit në kufi, siç ishte në rastin e ishullit të Korfuzit. Falë pozitës së saj gjeografike, por dhe njëkohësisht të kushteve dhe rrethanave që ofronte ky qytet, mund të ishte i depërtueshëm nëse krijoheshin hapësira të njëjta veprimi për ata individë, të cilët kërkonin të vendoseshin këtu, por pavarësisht kësaj, kufijtë midis qytetërimeve nuk ishin hapësira mbi të cilat mund të aplikoheshin rregullat e vendit tjetër apo të krijohej i njëjti mjedis në vendin tjetër, sepse ata që mund të kalonin kufirin kishin nevojë për mbështetje, nga ana tjetër, dhe paraqitej domosdoshmëria e një familjariteti me vendin ku do të vendoseshin.
(Ortega 2014, 94.) Kjo fillonte fillimisht me familjet e rëndësishme tregtare shkodrane që kryenin tregti me Venedikun, Piaçencën, Austrinë, Stambollin etj., ishin përçues të kulturave dhe ideve, gjë që favorizonte, e mundësonte strategji për krijimin e terreneve e zonave hibride, si dhe familjaritet me qytetet përtej: njerëz më kozmopolitë dhe më të familjarizuar me kulturën përtej Adriatikut. Në panoramën e mes shekullit XIX, Shkodra ishte një dëshmi e konvergimit kulturor.