Fillimi i muajit tetor do t’i gjejë në parket basketbollistët e të gjithë ekipeve të vendit. Sipas vendimit që ka marrë kryesia e Federatës Shqiptare të Basketbollit, kampionatet e të rriturve do të startojnë këtë fundjavë me ndeshjet e javës së parë.
Ekipet e Sportklub Vllaznia, sipas kalendarit të hedhur tashmë, ndeshjet e para do t’i luajnë në Shkodër, por jo të shtunën siç ka ndodhur rëndom gjithë këto vitet e fundit.
Ndeshjet e tyre janë planifikuar të luhen ditën e dielë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Do të nisin me ndeshjen e femrave ku Vllaznia në orën 16.00 do të ketë përballë ekipin e Studentit dhe në orën 18.00 meshkujt do të ndeshen me Goga Basket.
Padyshim që objektivi i të dy atyre do të jetë fitorja megjithatë duhet parë edhe gjendja e ekipeve kuqeblu por edhe ajo e kundërshtarëve. Vllaznia e femrave sivjet siç dihet, do të drejtohet nga trajneri Bledar Gjeçaj, i cili ka nisur një përvojë të re tashmë pas asaj shumëvjeçare në krye të ekipit të meshkujve.
Nga sa mësohet, pjesë e ekipit janë tashmë edhe disa vajza të ardhura nga ekipi i të rejave dhe mosha mesatare e tyre në fakt nuk lë shumë premisa për të patur një ekip pretendent megjithatë, ato do të mundohen të paraqiten sa më mirë.
Tek meshkujt ndërkohë, në pankinë do jetë dyshja e përbërë nga Ervin Berdica dhe Fatjon Taraboshi dhe kuptohet që do të jetë e vështirë për të pretenduar sepse përbërja e ekipit nuk ngroh shumë.
Madje, edhe ndaj Goga basket do ta ketë shumë të vështirë. Ky i fundit ndonëse debutues në kampionat, ka marrë në rradhët e tij disa lojtarë cilësorë, ndër të tjerë edhe basketbollistë amerikanë, çka tregon se ka ambicje për të qenë në mes skuadrave më të mira të kampionatit.
Megjithatë, të dielën mund të mësojmë më shumë në lidhje me pretendimet që do kenë dy ekipet e Sportklub Vllaznia, pasi të jenë njohur edhe me kundërshtarët e parë në kampionat.