Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar për herë të parë pas denoncimit të ish-oficerit të policisë së Krujës, Emiljano Nuhu, i cili më pas u arratis duke kërkuar azil në Zvicër.
Institucioni i drejtuar nga Arta Marku, sqaron se letra e n/komisarit është dërguar për dijeni, ndërsa Prokuroria e ka dërguar materialin te Akuza e Tiranës për të kryer verifikimet mbi pretendimin e Nuhut se është kërcënuar.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin duke nisur hetimet. Prokuroria e Përgjithshme thotë se Nuhu pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga deputeti Rrahman Rraja dhe djali i tij Rexhep Rraja.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu.
Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën.
Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë.
Deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme
Emiljano Nuhu pretendon se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja.
Ai akuzoi vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan. N/komisari Emiljano Nuhu deklaroi se u kërcënua prandaj u arratis nga Shqipëria në datë 13.09.2018 duke braktisur detyrën, ndërsa nuk dorëzoi sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative.
Ai kaloi kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës dhe në datë 15 shtator 2018 ka udhëtuar me avionin e linjës Prishtinë–Verona, ndërsa më pas është larguar, në drejtim të Zvicrës duke u pajisur me dokumente azili.