Në një rrëfim ekskluziv, studiuesja dhe përkthyesja e veprës amanet të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, Keda Kaceli thotë se përgjigjet kundër medaljeve dhe dekoratave nuk mjaftojnë, pasi “do ish dashur dikur një qëndrim më pak mirëdashës i vetë Kishës Katolike ndaj regjimit të djeshëm dhe atij të sotëm”.
Ajo së fundi ka ndër duar përkthimin në italisht të vëllimit II e III të veprës më të njohur të At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”. Kaceli për këtë rast kujton fjalët e fundit të françeskanit për persekutorët e tij, mbi të cilin ushtruan tortura të shumëfishta në diktaturë: Jeni përkthyesja në italisht e veprës së At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” , punë kjo e lënë amanet nga vetë Ati për ju. Pak ditë më parë, në mediat shqiptare bëri mjaft bujë lajmi se Shyqyri Çoku, hetuesi që vulosi burgosjen shumëvjeçare të At Zef Pllumit, është dekoruar një vit më parë nga shteti shqiptar. Cili është komenti juaj mbi këtë fakt?
Do i bie pak gjatë duke u nisur nga një thënie e çmuar e Shën Agustinit, e cila thotë “Ata që na kanë lënë, jo se nuk janë më, por janë të padukshëm, dhe mbajnë sytë e tyre plot lavdi, të ngulitur në tanët plot lot”. At Zefin e shtrenjtë, sa herë e kujtoj, më vjen ndërmend shikimi i tij mirëdashës, i gjallë, mbërthyes e i kthjellët në takimin tonë të parë dhe në atë të fundit. Takimi i parë me At Zefin ka qenë takimi më i rëndësishëm i jetës time, takim i cili do bëhej udhërrëfyes i veprimtarisë time të ardhshme.
Koha me Padër Zefin ndalej dhe e gjithë jeta merrte një dimension tjetër. Kultura e tij, bujaria e tij fisnike, besimi në Zot, atdhedashuria dhe dashuria për njeriun, dashuria për vlerat e jetës, kaq vyer dëshmuar në atë që unë e quaj Bibla e dhimbjes së gjithë Kombit, rrallë t’i hasje në të përditshmen e varfër të ne frymorëve. Po, ne frymorëve, pasi sot më shumë se kurrë del në pah se ai ishte njeri, njeri që jetoi për të rrëfyer të vërtetën e për të na e përcjellë, ndërsa ne të tjerët më heshtjen tonë vrastare të drejtësisë e të së vërtetës së moralshme, jemi thjesht frymorë. Kur nder ora nismën e përkthimit të veprës së pavdekshme të At Zef Pllumit isha 25 vjeçe.
Sot, kanë kaluar shumë vite plot 10 nga atëherë dhe shumë pak është bërë për të përcjelle veprën monumentale përtej kufijve të kohës. Padër Zefi më dashuri të papërshkrueshme dhe respekt të pashoq, ma besoi përkthimin në italisht të librit “Rrno vetëm për tregue” në 2005, dhe rrugëtimi i realizimit ka qenë shumë i gjatë. Vëllimi i parë i tij, në edicionin e parë italian i erdhi publikut në nëntor të vitit 2013 me titullin “Il sangue di Abele – Vivi për testimoniare” dhe në 2015 u ribotua nga Buongiorno Italia me titullin origjinal “Vivi solo per testimoniare”, dhe u shpërnda nga Mondadori së bashku më numrat e parë të revistës, siç ju e keni pasqyruar mjaft saktë në artikullin tuaj të mëparshëm “Shqipëria fantastikë e Kodrës, Vorpsit dhe Kacelit”.
I kam premtuar Padër Zefit se veprën e tij do e përktheja me përkushtim dhe respekt për çdo presje të tij dhe ashtu kam bërë dhe po vijoj ta bëj me vëllimet II dhe III. Më pati thënë se do kisha vështirësi dhe kështu ka qenë. Jo puna, por njerëzit. Bashkëvuajtësit dhe bashkëfajtorët nuk ndihmonin. Frika e dështimit të bën të dështosh por unë nuk pata frikë, por besim. Besim të plotë tek e Vërteta. Tek e mira.
Sot, jam e lumtur që asgjë nuk më ndali pasi ekzistonte një dorë hyjnore që thuri plane më të bukura e më të mëdha për mua, dhe veprën e pavdekshme të Padër Zefit. Dhe kjo do mjaftonte kundër çdo medalje të turpit. Medalje që fyen çdo plagë në trupin e tij të masakruar nga torturat çnjerëzore. Medalje që fyen përkushtimin vokacionin dhe dashurinë e bashkëvllazënve të tij Fretërit Françeskane si dhe të nipave të dashur si Tonini, Sandri Kanti me familjet e tyre apo mbesa e dhembshur Angjelina, e të afërmit e Atit të shtrenjtë, me të cilët gëzoj miqësi e dashamirësi.
Ndjej dhe të përgëzoj deklaratën dhe punën e palodhur të Padër Vitor Demajt i cili ka ribotuar këtë vit tre vëllimet e librit “Rrno vetëm për me tregue” dhe “Cinarët” e At Konrad Gjolajt, libër po aq i rëndësishëm dhe dëshmi po aq tronditëse dhe e çmuar mbi vuajtjet e Klerit Katolik në Shqipërinë Komuniste si dhe asaj shtrese elitare të popullit që u vu në shënjestrën e kuqe të regjimit gjakatar si armike e popullit dhe pushtetit popullor.
Këto janë përgjigjet kundër medaljeve dhe dekoratave. Por nuk mjaftojnë. Pasi do ish dashur dikur një qëndrim më pak mirëdashës i vetë Kishës Katolike ndaj regjimit të djeshëm dhe atij të sotëm. Por më beso shumë ndjesi dhimbjeje zhgënjimi deri në indinjatë neveri si dhe ndjenja faji dhe turpi më zgjohen sa herë mendoj për varfërinë shpirtërore që na karakterizon ne, frymorët e Shqipërisë.
I vetmi vend që jo vetëm nuk ka rrëzuar ende Murin e tij të Berlinit por – pas çerek shekulli përpjekje për demokratizim – ndërton paturpësisht Bunkerë në mes të Tiranës europiane. Them përpjekje pasi Shqipëria jonë e vogël dhe e gjakosur nuk ka parë ende demokraci të plotë dhe mjerisht këto vitet e fundit u rikthye bindshëm në një sistem autokrat paradiktatorial.
Si mundet ta quajë veten demokratike Republika jonë e Shqipërisë, kur sot udhëheqin po ata njerëz që udhëhoqën, dje në diktaturë? Si mundet ta quaj veten demokratike Shqipëria jonë kur qeveria është e përbërë nga bijtë e ish nomenklaturës komuniste? Si mundemi ta quajmë veten të lirë kur sot ne kemi ende urrejtje klasore që përcillet brez pas brezi?
A e di kush që gjithçka ka filluar me vjedhjen e pushtetit? Me grabitjen që komunistët i bënë vendit dukë vrarë elitën e mëparshme? Dukë ndezur luftën civile në të cilën sabotuan të gjitha Konferencat kundër okupatorëve? A e dinë shqiptarët që historia jonë është një lëmsh mashtrimesh dhe gënjeshtrash të pashoqe? Një përdhunim i së vërtetës me përmasa ç’njerëzore? Në një vend demokratik krimi ndëshkohet nuk dekorohet.
Medalja e dhënë ndaj hetuesit kriminel dhe torturuesit të dhjetëra qindra të pafajshëm politikë, duhet te ishte një turp për më të fundit ndër funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes, jo më për krerët e Qeverisë. Madje Shoqja Ministre si nënë, si grua, si institucion, do duhej të japë dorëheqjen.
Po si nuk doli askush nga këta demokratët e orëve tona, të kërkojë ndjesën e nënave që kurrë nuk panë bijtë më sy e ikën natën në terr për të mos u kthyer më. Si nuk tregoi kush varret? Si nuk kanë humanizmin e mirënjohje që nuk iu prek një fije floku! Dhe dalin e qajnë Bunkerin? Po si nuk i mjaftuan 718.000 bunkerë që shëmtuan Shqipërinë për dekada dhe ende e shëmtojnë, si nuk iu nxi kurrë faqja këtyre të paudhëve, të pafe e paatdhe, për gjakun që ende nuk është tharë e thërret drejtësi? Edhe sa medalje do jepen deri sa të rikthehet vëllavrasja në tokën arbnore? Kjo nuk mban më! Është turp ndaj dinjitetit njerëzor!