Ja sa miliardë dollarë kanë dërguar shqiptarët …

Që kur emigrantët filluan të emigronin jashtë në 1992, dërgesat e parave që ata kanë bërë kanë mbajtur ekonominë shqiptare.

 

 

Kështu në 15 vite pas 1992 emigrantët kanë dërguar plot 26 miliardë dollarë në Shqipëri, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Një pjesë e këtyre parave është përdorur për ushqime dhe një pjesë për t’u arsimuar. Përtej plakjes që i shkaktohet popullsisë sonë me largimin e të rinjve për punë, emigrimi i ndihmon shqiptarët të kontribuojnë shumë në ekonominë shqiptare duke zbutur varfërinë.

 

 

Banka Botërore, në një anketë të fundit, gjeti se rreth 85% e familjeve shqiptare kishin përfituar financime që shkonin deri në 2350 dollarë në vit gjatë një periudhe 10-vjeçare. Në dy vitet e fundit është rritur sërish dëshira e të rinjve për të ikur jashtë vendit. Madje sipas një studimi të publikuar ditën e djeshme 52% e shqiptarëve duan të jetojnë jashtë. Kjo nga njëra anë i shkakton një plagë të madhe shoqërisë sonë, por nga ana tjetër ndihmon ekonominë me dërgesat e emigrantëve.

 

 

Profesor Ilir Gëdëshi, i cili ka bërë një sërë studimesh dhe vrojtimesh lidhur me emigracionin, thotë se, remitancat (dërgesat) kanë luajtur rol të rëndësishëm në reduktimin e varfërisë të shumë familjeve në vend. Ndërkohë, nga këndvështrimi i ndikimit të remitancave në zhvillimin ekonomik, Gëdëshi thotë se vetëm një pjesë e vogël e atij burimi (9-12%) është investuar në ekonomi, në biznese kryesisht të vogla. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo vlerë monetare e injektuar në ekonominë shqiptare nga migrimi deri tani ka qenë e pamjaftueshme për të rritur prodhimin vendas, shkruan Monitor.

 

 

Përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte sikur ato të investoheshin në prodhim. Prurjet e emigrantëve janë një zë i rëndësishëm në statistikat e bilancit të pagesave të Shqipërisë. Edhe pse dinamika aktuale e deficitit është e përcaktuar gjerësisht nga tregtia e mallrave dhe shërbimeve, shpeshherë remitancat kthehen në një kontribuues të rëndësishëm.

 

 

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gati gjysma e prurjeve të emigrantëve, rreth 48% e tyre, përdoren për blerje ushqimesh dhe pije joalkoolike. 3% e prurjeve vlerësohet se shkojnë për mobilimin dhe restaurimin e shtëpive, 4.5% e tyre përdoren për të blerë veshje dhe 5% për shërbimet shëndetësore, 4.8% për udhëtime, 3.3% shpenzohen për t’u arsimuar ndërsa 3,2% harxhohen nga të afërmit në Shqipëri në bare dhe në restorante.

 

 

Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare (INSTAT, 2016) tregoi se në Kukës dhe Dibër, remitancat përbëjnë rreth 15-19% të të ardhurave totale të familjes. Në të njëjtën kohë, këto dy qytete, krahasuar me qytetet e tjera, tregojnë përqendrimin më të lartë të familjeve që pranojnë remitanca në total.

 

 

Për rrjedhojë, remitancat e emigrantëve japin kontributin e tyre pozitiv në reduktimin e varfërisë në këtë qytet. Pjesa e madhe e remitancave të përdorura për konsum tregon se qëllimi parësor i tyre është plotësimi i nevojave bazë.

 

Studime të shumta për ekonominë e remitancave pranojnë se herët a vonë, këto flukse monetare do të bien. Por që efekti pozitiv i tyre të jetë më i gjatë, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve. Në Shqipëri, shumica e remitancave transferohen në rrugë jozyrtare.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME