Dom Simon Jubani njihet nga të gjithë si një nga klerikët më të njohur të vendit tonë. Njihet si meshtari që ka kremtuar për herë të parë meshën publikisht pas rënies së komunizmit më 4 nëntor fillimisht
e më pas me 11 nëntor të vitit 1990 kremtoi meshën e parë publike te Varrezat e Rrmajit në Shkodër.
Ka lindur në Shkodër më 8 mars 1927 dhe ka vdekur më 12 korrik 2011 në moshën 84 vjeçare, duke lënë pas një emër të madh jo vetëm si klerik.
Ajo që është e veçantë te ky njeri, ka të bëjë me atë se para se të shugurohej meshtar, pikërisht në vitin 1958, ka qenë FUTBOLLIST.
Po, po është mëse e vërtetë. Ka luajtur me sukses për 7 vite me radhë me Vllazninë, madje në një ndeshje ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit. Kush e thotë këtë? Historia e klubit Vllaznia, gazetat e kohës por edhe shumë të tjera.
E ka thënë edhe vetë Dom Simoni, ku shpjegonte për herë të parë dhe të vetme kuptohet, karrierën e tij si sportist.
Letra e tij është botuar nga gazetari sportiv në Shkodër, Gjergj Kola. Madje Jubani është marrë jo vetëm me futbollin, por ka qenë edhe atlet i shquar, fitues i disa vendeve të para në garat kombëtare të kohës.
Më poshtë keni letrën e plotë të Dom Simon Jubanit para plot 18 vitesh:
LETRA
“Po mundohem të nxjerrë nga arkivit i trunit ndonjë kujtim nga jeta sportive, por fotografitë, diplomat që kam fitue nëpër gara atletike dhe skuadra sportive që pasqyrojnë
aktivitetin tim sportiv janë sekuestrue dhe zhdukë nga DEGA E PUNEVE TE MBRENDSHME gjatë nandë rekuizimeve që ka psu familja e jeme për nandë herë që jam dënue nga Don Kishoti i Shqipnisë Enver Hoxha,
heroi i Gjirokastrës, që shifte te një besimtar i thjeshtë e sportist diletant, një GJIGAND QE TENTONTE T’I GRABITETE “DULCINENE E TOBOZES”.
Sikurse të gjitha aktivitetet e tjera edhe aspekti sportiv, gjatë terrorit komunist ka psue nje dekadencë të theksueme, sepse muzat për të frymëzue artin, estetikën, forcë, naltësinë, shpejtësinë,
duen paqe e qetësi dhe kur ndiejnë zhurmën e luftës civile që ende s’ka kalue, u larguen nga VENDI YNË dhe nuk kemi nxjerrë më lojtarë si Kryeziu, Lushta, Boriçi etj, që janë edukue gjatë regjimeve para komuniste. Asht e vërtetë se sasija u shtue, por në dam të cilësisë.
Kudo u ndërtuene stadiume, palestra: sikundër ka pasë kasap pa mish, universitetet e akademi pa intelektualë, kështu ka pasë stadiume pa sportista.
Të ashtuquajtunit sportista profesionista hanin bukën me racion dhe vajin me pikatore kur kanë ken të ri, kështu qi trajtimi ushqimor (i vetmi privilegj) ajo triska e randë hahej në shtëpi nga të gjithë pjestarët e familjes.
Në fillim, kur kishin nevojë, nuk shikonin biografinë, por ma vonë duheshin kushte politike për të dalë jashtë shtetit.
E mandej ato skandale nëpër botë, “nuk pranojmë të ndeshemi me Izraelin, sepse asht kubure në duert e imperializmit amerikan” e disa marina të tjera si këto, ja kishin humbë vlerën dhe randësinë sportit.
Ma vonë, Bahri Kavaja me shokë, kur kërkuene strehim politik në Turki, sikurse mjerisht po ndodh edhe sot…
Futbolli asht luejt s’parit nëpër oborret e shkollës së Jezuitëve në Shkodër, ku kam studjue dhe qysh fëmi kam ba pjesë në skuadrën e balilave, jemi ndeshë me skuadrat homologe të shkollave të qytetit;
më vonë në ushtri në vitet 1948-1949 kam vazhdue të marrë pjesë nëpër skuadrat e reparteve dhe në spartakiada të ndryshme sportive.
Kur në vitin 1950 jam lirue nga ushtrija, me përjashtim të Muhamet Dibrës, të gjithë sportistat e tjerë të mirë, bashkë me shkrimtarët dhe artistët, ishin shitë në Tiranë për 30 aspra,
për një copë bukë ma tepër që merrnin në kryeqytet për t’i këndue e për t’i mbajtë humorin “Faraonit”. Dhe kështu Shkodra u vorfnue me shumë nga inteligentia në të gjitha aspektet.
U shkatërrua KRYEQYTETI I ILIRISË, por nuk u ndërtua as Tirana, madje as sot ajo nuk asht si ka ken Shkodra dikur.
Në janarin e vjetit 1950 jam federue me Vllazninë dhe kam luejtë deri në 1957, që u prish dhe më tepër kualiteti i futbollit me formimin e tre klubeve: Puna, Dinamo dhe Spartaku.
Ky i fundit përfaqësonte Artizanatin ku punojshe atëherë, prandaj nga Vllaznia kam kalue te Spartaku me luejtë futboll, por edhe në atletikë gjatë kampionateve kombëtare.
Ma vonë u kritikue shkrirja e Vllaznisë dhe e skuadrave si antimarksiste, sepse edhe në sport Marksi paska qenë kompetent dhe kam rifillue përsëri te Vllaznia si futbollist dhe si atlet në aktivitetet kombëtare.
Andej kah vjeti 1954, jam thirrë e mbledhë në Tiranë me 22 futbollistët e nacionales me trajner sovjetikun e nanës, Aputin Borisin, për të cilin thoshin se asht trajneri ma i mirë në botë.
E dij se kam ba vetëm një ndeshje miqësore, ndaj të ashtuquajturave ekipe të vendeve të demokracisë motra, që ma vonë në fakt na dolën njerka. Ndeshja u ba në Tiranë.
Mbesa e jeme, Gjeltruda Jubani, ka marrë pjesë në kampionatin kombëtar të atletikës së lehtë prej vitit 1971-1973. Jam larguar nga sporti i futbollit në fund të vjetit 1957 dhe kam hy në rrugën e reakcionarëve të Klerit.
Në vendin tonë edhe sot po flitet me grykën e pushkës dhe “KUR FLASIN ARMËT, HESHTIN MUZAT”, prandaj nuk mund të ketë asnjë progres.
Le të lusim Zotin për një të ardhme më të mirë që PERËNDIJA të sjellin paqen në zemrat tona të shqetësueme, paqen familjeve tona të travajueme, Paqen SHQIPNISË!”