Në Shkodër kanë dhënë një kontribut të madh në vite edhe shumë arbitra të cilët kanë lënë pas një emër të mirë. Një prej tyre është edhe Astrit Isufi, një arbitër i cili pasionin për këtë profesion e kishte të trashëguar nga familja e tij.
Për të përshkruar karrierën e tij, sot po publikojmë një shkrim që i mirënjohuri Ymer Striniqi ka bërë nëntë vite më parë.
Nga Ymer STRINIQI
Futbollist-trajner- gjyqtar kanë qenë dhe mbeten pjesë përbërese të një trekëndëshi sportiv që ndikojnë aq fort në mbarëvajtjen e një ndeshje sportive.
Veprimet e futbollistëve në fushën e lojës, të kryera me mjeshtri dhe nën drejtimin e trajnerëve të tyre, marrin vlera të pallogaritshme e kënaqin së tepërmi shijet e sportdashësve, kur shkojnë në sinkron të plotë me gjykimet.
Me aftësitë e tyre profesionale, me respektimin e rregullores, paanshmërinë dhe ndershmërinë e tyre, gjyqtarët kanë një rol tepër të rëndësishëm për t’i dhënë auditorëve të stadiumeve notat e spektakleve futbollistike.