Punimi i tokës në Shqipëri, ka ardhur duke u mekanizuar vit pas viti dhe nevoja për të përdorur kafshë për plugim dhe transport rrjedhimisht është ulur. Shtimi i traktorëve, minitraktorëve dhe autokombajnave ka zëvendësuar me kalimin e viteve kaun, kalin, mushkën, gomarin.
Të mos qenurit më të nevojshme, ka sjellë “zhdukjen” e disa kafshëve, që tradicionalisht kanë qenë të lidhura ngushtë me bujqësinë. Gomerët janë një prej këtyre kafshëve, të cilat hasen gjithmonë e më rrallë.
Numri i njëthundrakëve në vendin tonë, ku përfshihen gomerët dhe kuajt, prej vitit 2001 është përgjysmuar. Nëse dikur numëroheshin 194 mijë thundrakë, sot ky numër është 91 mijë.
Gomerët dhe mushkat janë më pak se 60 mijë në vitin 2015, krahasuar me 127 mijë në vitin 2001.
Ulja e numrit të këtyre kafshëve ka ndikuar negativisht sidomos për fermerët e vegjël, të cilët nuk kanë kushte për të modernizuar mënyrën e punimit të tokës. Çmimi i gomerëve vitet e fundit është thuajse dyfishuar, ndërsa në disa zona thuhet me shaka se ka arritur në 1 mijë euro.
Zvogëlimi i “popullatës” së kësaj kafshe është një fenomen që ka ndodhur më herët në vendet sot ku bujqësia është mekanizuar plotësisht, por edhe në rajone të tjera si Azia Qendrore dhe Afrika.
Në ndryshim nga Shqipëria, arsyeja kryesore është kërkesa e lartë nga Kina për xhelatinën e lëkurës së gomarit, të njohur si “ejiao”. Kjo e fundit është një përbërës në mjekësinë tradicionale kineze, e cila është shumë popullore në vend.
Xhelatina mendohet të ketë veti kuruese dhe përdoret për të trajtuar mes të tjerash kollën e thatë dhe aneminë. Ajo përzihet me fryta pylli e arra dhe konsumohet si ëmbëlsirë.
Kërkesa në Taxhikistan është aq e lartë saqë njerëzve po u vidhen gomerët, e transportohen drejt Kinës përmes Kirgistanit.
Në Kinë, numri i gomerëve nga 11 milionë në vitin 1990 ka rënë në 6 milionë. E frikësuar nga një rënie e tillë, disa shtete në Afrikë kanë vendosur një ndalim eksportesh të kësaj kafshe.
Kështu, zhvlerësimi i forcës së gomerëve, po shfaros atë që dikur ishte lokomotiva e bujqësisë. Nëse i referohemi statistikave zyrtare të shtetit shqiptar, nëse doni të shihni një gomar këto ditë, duhet të shkoni medoemos në Korçë, Fier ose Elbasan, të paktën derisa të vijnë edhe tek ne oferta për lëkurën e tyre./