Shqipëria është ku thërret qameti! Ekipi i trajnerit Christian Panucci ka shumë sasi, por nuk ka cilësi. Kur e mendon, cilësi nuk kishim as në kohën e trajnerit Gianni De Biasi, por asokohe
italiani kishte krijuar një modul të caktuar loje dhe kishte stabilizuar formacionin duke krijuar “liderat” e munguara aq shumë në këtë skuadër.
Puna e kryepankinës tonë mund të vihet në diskutim për cilësi që kur e mendon se futbollistët nuk e dinë formacionin deri në momentin e fundit dhe nuk përgatiten në stërvitje se si të luajnë bashkë.
Në ndeshjen e humbur ndaj Skocisë me rezultatin 0-4 gjithçka ishte katastrofë, përveç një detaji. Në fushën e lojës u hodhën Ardian
Ismajli dhe Kastriot Dermaku, të dy shumë të përfolur në javët e fundit, pasi lanë Kosovën dhe pranuan thirrjet e Shqipërisë.
Ismajli erdhi si kapiteni i U-21 të Kosovës dhe zëvendësoi Ergys Kaçen në minutën e 27′. Paraqitja e tij nuk ishte më e mira, por tashmë është vulosur përfundimisht si kuqezi! Nuk ka mundësi tjetër zgjedhjeje.
E njëjta gjë ndodh dhe për Dermakun. Mbrojtësi u hodh në fushën e lojës në minutën e 52′, pasi Berat Xhimshiti nuk ia doli të vazhdonte më. Futbollisti i
Atalantas luajti si i dëmtuar dhe sakrifikoi, por këmba e tij e la në baltë. Kjo bëri që fati i mbrojtësit të Cosenzas të përcaktohej njëherë e mirë.
Ai do të jetë pjesë e Shqipërisë në vazhdim. Dermaku u ftua dhe nga Kosova, madje ishte dhe i grumbulluar,
por mosaktivizimi nga trajneri Bernard Challandes bëri që të largohej nga përfaqësuesja e Kosovës.