Kujtimet për Fishtën në penën e Atë Zef Pllumit… Njohja kur ishte ende fëmijë, dhe si u denigrua figura e tij gjatë komunizmit
Atë Zef Pllumi ishte vetëm 16 vjeç dhjetorin e vitit 1940 kur një nga personazhet më të njohura të mendimit shqip, Atë Gjergj Fishta, mbylli sytë përgjithmonë. Djaloshi që ende nuk kishte kaluar adoleshencën, e ndiente se ajo mbrëmje e ftohtë dhjetori kishte marrë me vete një figurë që do të mbetej në kujtesën jo vetëm të qytetit të tij. Ai e kishte takuar Fishtën kur ishte ende fëmijë, kur ai bashkë me Padër Anton Harapin kishin ardhur miq te xhaxhai i tyre në bjeshkë.
Shtati dhe prania imponuese e Fishtës, do t’i mbetej në mendje. Ai ishte përshëndetur me ta, dhe gjatë asaj përshëndetjeje të shkurtër xhaxhai u kishte thënë miqve që djaloshi donte të bëhej frat kur të rritej. Padër Arapi do t’i afrohej duke i dhuruar një medaljon të Shën Françeskut që do ta mbante gjatë në qafë, duke i thënë ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në kolegjin françeskan ta paraqiste atë medaljon.Më pas Atë Zef Pllumi do ta njihte Fishtën si mësuesin e tij, kur më 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës. Në kujtimet e shkruara pas burgut, Atë Zef Pllumi do të linte pasazhe të gjata dhe për Fishtën. Në vitin 1996 revista “Hylli i dritës” do t’i kushtonte një numër të posaçëm Atë Gjergj Fishtës, i cili hapet me shkrimin e Atë Zef Pllumit “Nji vorr për Atë Gjergj Fishtën”.
“Ajo natë e 31 dhjetorit 1940 nuk kje natë gzimi: nji ndër bijt ma në za të Shqipnisë mbulohej në dhe të zi. Nuk pati andrra lirije, pse dy pushtues të huej luftojshin mes vedit mbi këtë truell. Qielli kje i ngrysun, i ftoftë, i merdhitun si zemrat e shqiptarëve e toka me borë e me skllotë, kur po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës.
Vonë në natën e 31 dhjetorit nji grup i vogël françeskanësh hapëm atë vorr me zemër të thyeme e me lot ndër sy. Te kryet nji kryq dullije për me çue në vend dishirin: Nji kryq druni, t’kojsha true,/nxierre e venma përmbi krye…Qindra kurora lulesh, që e mbuluen vorrin, nuk e zbukuruen atë vdekje”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas ai ndalet në kohën kur komunizmi nisi të instalohej në vend, dhe lufta e parë që ai shpalli ishte kundër fesë.
Ja si e përshkruan ai momentin kur ushtarët hynë në kishë dhe kërkuan të dinin ku ishte varri i Fishtës, për t’u hakmarrë ndaj tij. “Dukej sikur në luftën e madhe të popujve mëndjeçoroditun Fishta po binte fli. Vorri ishte aty, në fund të kishës. Heshtje e mallëngjim. A thue se bota kje përmbysë me tërbim. Furishëm hynë ushtarët e 1944-trës me hyllin e kuq në ballë. Ata shpallën se kishin shembë botën e vjetër dhe do të ndërtonin “botën e re”: “Internacionale do të jetë bota e re!”. Para tyne u duk sikur kombit tonë iu përvdorën të gjithë hyjt e diejt e vet.Nga vorri në fund të kishës u hoqën në fillim kunorat me lule. Kryeqi dullije u zhgul.
Mbet vetëm nji rrasë e bardhë e ftohtë mermeri, pa emen e pa kombsi. “Bota e re” që kishte ardhë nuk kje botë shqiptare; kjo e huej, sdihej e kujë. Nji botë me inade e maraze, pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, pa nderë e pa liri, pa gëzime as dëshirë , pa shpresa për të ardhmen. Kështu u ngrysën vitet e gjatë mbi atë vorr, ku prehej poeti: në nji robni që vetëm armiku e dëshiron”, shkruan At Zef Pllumi. Më pas frati françeskan ndalet në 6 shkurtin e vitit 1967 për të shpjeguar atë që u quajt nga regjimi si “revolucion kulturor” në qendër të cilit ishte shfarosja e fesë. “Kishat e xhamijat u shembën në tokë, bashkë me to Atdheu e njeriu. Herojt e kombit u quejtën spijuen e tradhëtarë. Hienat e kuqe, në tërbim e sipër iu suellën varrit në fund të kishës e dhunuen e shkatërruen”, kujton Atë Zef Pllumi. Më tej ai vazhdon duke shkruar se “Kjo natë.
Simbas nji dishmitari okular, eshtnat e të vorruemit i nxuerën gjithë inad e i hodhën në Drin. partia kishte vendosë që Kishën Françeskane ta kthejë në kino-teatër, ndoshta nga friga se nga fundi i Kishës mund të ngjallej nji za, kje shkak i veprimit të shëmtuem. Por ai çast i turpshëm për mbarë kombin dhe racën shqiptare ishte pregatitë kaherë: fillonte që te programet e para shkollore të pushtetit të ri. Vazhdonte me urdhën partiak, në fillim në surdinë te mbledhjet e plenumet e shkrimtarëve e gjuhëtarëve ndër rrethe të mbyllura, deri që shpërthente haptë me korin e neveritshëm të shkrimtarëve, kritikëve e historianëve të realizmit socialist, që u vunë në garë mes vedit se cili po hjedh gurë e baltë më shumë mbi poetin”, shkruan At Zef Pllumi. Gazeta letrare “Drita” do të niste një fushatë kundër personalitetit të Fishtës, e cila më pas do të vijonte dhe me heqjen e emrit të tij nga tekstet shkollore.
Por sipas Atë Zefit, një sistem i tërë diktatorial nuk mundi ta hidhte në koshin e harresës një personazh si Fishta. “I mbetun pa vorr, Fishta vazhdoi me jetue i strukun në kujtesën e legjendën e kombit, bashkë me herojt e epopesë së tij. Me gjasë lexuesit e tij nuk dinin kurrgja mbi fatin e trupit e t’eshtnave , dinin se kishte dikund një vorr, ku Poeti pushonte në paqe , ndoshta as nuk u jepnin randësi të mbetunave të tij. Ndërkaq në heshtje nën za, recitonin me ngulm kangët e “Lahutës së Malcis”, ky ishte një veprim konspirativ antishtetnor, antisocialit, antitiranik, antiservil që dënohej së paku me 10 vjet burg”, kujton At Zefi. pas rënies së regjimit komunist në 50-vjetorin e vdekjes së Fishtës një grup intelektualësh vendosin që ky përvjetor të mos kalohej në heshtje. Ishin Aurel Plasari, Skëndër Buçpapaj, Rudolf Marku, të cilëve iu bashkua dhe aktori Ndrekë Luca.
Më 28 dhjetor 1990 në sallën e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve do të ishte një moment emocionues, pikërisht në vendin ku ishte denigruar figura e tij. “Gjysmë shekulli ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifikisht të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë. Na bie neve, breznisë që do të përgjigjemi tash e tutje për respektin ndaj traditës sonë letrare, t’ia japim asaj votën e dashurisë. Jo me fjalë. Ta mbrojmë me jetëgjatësi, duke ia shtypur e rishtypur pjesën më të mirë të kësaj vepre, e sidomos duke rregulluar marrëdhëniet e saj me historinë e letërsisë. Unë do të thosha jo duke i dhënë Fishtës vendin që i takon, por duke i kthyer historisë së letërsisë atë çka i mungon”, do të shprehej Aurel Plasari. Pas kësaj ceremonie do të niste rikthimi i emrit të Fishtës në letrat shqipe, përmes aktiviteteve në Shkodër e Tiranë e shkrimeve që nisën që nga gazeta “Drita”.
Ndërkohë, në vitin 1993 kishte nisur rindërtimi i Kishës Françeskane të Gjuhadolit. “Kur u emnue Provinçial Superjoj i françeskanëve të Shqipërisë, At Flavio Cavallini, fola me të për këtë punë që na priste. Dhe ma premtoi se kah mbarimi i rindërtimit të kishës, me siguri do të punohej edhe për reperimin e vorrit të përdhunuem. E mbajti premtimin. Mbas dy vjet punimesh erdh radha me u shtrue dyshemeja e kishës me rrasa mermeri. Ajo nuk u shtrue pa u ba sondazhet për vorrin, simbas të dhanave që kishim tregue. Më datë 13.11.1995 ditën e hënë, rreth orës 14.30 minuta, filluen gërmimet në prani të noteres Vjoleta Sulkaj.
Aty kah ora 18.00 mbërritja edhe unë me At Leo Kabashin dhe kryeredaktorin e Hylli Aurel Plasari, kishim thirrë edhe drejtorin e radio Shkodrës, Z.D Luka. Me disa të tjerë që punojshim në rindërtimin e kishës ishte dhe Z. Ferdinand Topalli i cili dishmonte se e kishte pa me sy dikur kah i bajtën me karro eshtnat e Fishtës për me i hedh në Drin. Nga gërmimi i deriatyshëm u pa kjartë se nuk ishte dhe i zakonshëm i tokës, por nji material i ardhun nga prishje ndërtesash si copa tullash, gëlqere suvatimi, etj.
Atë natë u punue deri aty kah ora 21 në thellësinë rreth 2 metra u gjetën vetëm pak eshtra të vogla dhe nji unazë kurrizore. U vërtetue plotësisht se vorrprishësit kishin gërmue jo vetëm në mes, ku gjindej rrasa e mermertë por në çdo qoshe, derisa kishin ra në eshtna. N’e nesre gërmimet vazhduen përsëri. U gjet fundi i kalbun i nji arkivoli drunit, nji copë nga petku fetar (stola), si dhe pak ornamente metalike t’arkës. Dheu aty përreth u kalue nëpër sitë e u gjetën edhe nji pakicë eshtnash , shpëtue prej dhunimit të vorrit”, kujton At Zef Pllumi, i cili do të vazhdonte të këmbëngulte deri në rivarrosjen dinjitoze të Fishtës.