Mësuesi shqiptar për rekordet Guines: 550 mijë km në këmbë, 13 mijë gazeta të arkivuara, 2400 fjalë dhe…

Fiqiri Beluli është një nga ata mësuesit e sakrificës së komunizmit, ku koha e deshi që të shkonin në çdo fshat të thellë për të përhapur dije dhe arsim. Sot 84 vjeç vazhdon të jetë një shembull energjik me një kujtesë fantastike dhe me pasionin e një arsimtari të përjetshëm.

Është veçuar si personazh pasi ka prekur zonat më të thella nga njëri skaj të tjetrin mes vështirësive të shumta dhe mikpritjes dhe dashurisë së zonave ku dha mësim. Ka regjistruar rreth 550 mijë kilometër në këmbë për 40 vitet e punës së tij dhe ka marrë mbresat nga Shën kolli(sot fshat i Tiranës) në Mamël, nga Mamli në Zavalinë, apo Sulovë si shembull sakrifice e përkushtimi.

Fiqiri Beluli u lind në lagjen Teqe të Peqinit. I ri u angazhua shumë shpejt me lëvizjen nacional-çlirimtare si debatikas. Për këtë fakt ka edhe një deklaratë të Thoma Delianës, ku shprehet vlerësimi për të si pjesë e lëvizjeve për liri.

Mbaroi shkollën Pedagogjike dhe u emërua mësues fillimisht në fshatin Selvias të Elbasanit. Nga Peqini në zonën e Sulovës duhet të qëndronte në fshat dhe kthehej një herë në muaj në shtëpinë e tij. Lëvizjet u bënë të shpeshta pasi në zona të ndryshme kishte nevojë për mësues gjuhe. U spostua në 1957 në fshatin Shënkoll e në Vrap të Peqinit,

Më pas për 3 vjet në fshatin e thellë Mamël të Elbasanit. Pasi ka qëndruar edhe 2 vjet në Zavalinë, ku edhe njohu bashkëshorten, për t’u transferuar në fshatin Vashaj ku qëndroi 8 vjet dhe më pas 7 vjet në Gjocaj. Ndërkohë në vitin 1882 u zhvendos në qytetin e Peqinit, ku edhe doli në pension në vitin 1989.

Ndërkohë mbaroi shkollën e lartë për gjuhë-letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik në vitin 1978. Po kështu mbaroi edhe një kurs dy-vjeçar për Punonjësit e Arsimit.

Gjatë 40 viteve të mësimdhënies ka nxjerrë shumë specialistë, mjekë, farmacistë, inxhinierë, shkrimtarë dhe profesione të respektuara. “Në atë kohë isha i gatshëm kudo që të më çonin.

Në të gjitha fshatrat që kam shkuar, kam pasur mikpritje nga banorët. Ata ishin arsimdashës dhe të zgjuar. Ka shumë emra të njohur sot që i kam pasur nxënës dhe janë profesionistë të nderuar. Në të gjitha fshatrat kam ngritur grupe teatrore dhe kishim vlerësim të madh pasi mësuesi në atë kohë ishte figura më e respektuar”.

Fiqiriu veç mësimdhënies ka kontribuar edhe në pasurimin e folklorit të Peqinit. “Kam mbledhur dhe sistemuar 2400 fjalë të rralla sipas alfabetit, të cilat i kam dërguar tek Instituti i Shkencave Gjuhësore.

Për këtë nuk kam marrë asnjë vlerësim vetëm lavdërim me gojë. Po kështu kam mbledhur dhe 40 këngë qytetare të Peqinit nga viti 1911 e këtej. Janë disa emra të spikatur të këngës qytetare të Peqinit si Xhelal Deliu dhe Halit Nuka, etj. ”

Fiqiriu nuk ka thyer rekord vetëm me kilomentrat në këmbë. Ai ka 27 vjet që blen gazeta të përditshme dhe e gjitha kjo ka një arsye mjaft të rëndësishme për të, pronën. Edhe pse zotëron të gjithë dokumentacionin e vjetër për 27 vjet nuk ka marrë qoftë edhe një metër tokë apo kompensim si pronar i vjetër.

“Kam në shtëpi 13 mijë gazeta të përditshme nga 90-ta e deri më sot. Nuk i kam marrë vetëm për kënaqësi leximi por për një fakt. Unë kam në pronësi në letra Turqisë të vjetra t tokë bujqësore dhe truall në fshatin Fatishë të Përparimit.

Kur shkova në institucione të kërkoj kthimin e saj më thanë: “Prit të dalë emri në gazetë”. Nga ajo kohë kam blerë gazeta çdo ditë dhe kam pritur të më dalë emri. Më në fund një vit më parë më doli emri në gazetë.

Kur shkova të kërkoj sërish pronën time, më thanë: Prit vendimin e Këshillit të Ministrave. Tashmë po pres vendimin, që nuk dihet se kur do të dalë dhe vazhdoj të blej gazeta me shpresën se do vijë edhe vendimi”.

Telashet me pronat për Fiqiriun nuk kanë të sosur. Së fundi ndërtimi i rrugës së lagjes në Teqe të Peqinit përfshiu dhe një pjesë të pronës së tij me dokumente të rregullta, sërish i thanë se duhet të presë kur bashkia të ketë fonde që ta kompensojë.

Pë punën, përkushtimin, pasionin ka marrë urdhrin “Naim Frashëri, klasi i tretë” dhe “Mësues i Nderuar”. Ka nga viti 2005 që kërkon ti akordohet pension i posaçëm duke plotësuar të gjitha kriteret, por asnjëherë nuk mori përgjigje për kërkesën e tij kur kanë kaluar më shumë se 10 vjet.

Duke u përballur me burokracitë shtetërore për vite të tëra, të habit shpresa dhe energjia e 84-vjeçarit që gjithë jetën e tij ia kushtoi arsimit dhe kulturës por nga qyteti, shteti apo institucione të tjera nuk mori asnjëherë atë që meritonte

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME