Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka hyrë në një fazë interesante. Bukuria e kampionatit të deritanishëm padyshim ka qenë ekipi i Vllaznisë i cili mban vendin e dytë në renditjes. Ai ka zhvilluar ndeshje shumë të bukura deri më tani dhe ajo çka është më interesantja, ka marrë edhe fitore të rëndësishme.
Një e tillë ka qenë ajo ndaj Flamurtarit kampion në fuqi të vendit. Një fitore që i ka pozicionuar vajzat shkodrane për momentin mbi vlonjatet në renditje. Por pretendimet e vajzave kuqeblu nuk mbeten me kaq.
Ato do të tentojnë të mundin edhe skuadrën e vendit të parë, ekipin e Shoqatës së Klubit Tirana. Ndeshja kundër tij do të zhvillohet të premten pasdite në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Trajneri Bledar Gjeçaj duke folur në lidhje me këtë ndeshje, është shprehur: “Fokusi jonë është përqendruar pikërisht tek kjo sfidë tashmë, do të përballemi me Tiranën e vendit të parë.
Kuptohet që nuk e kam shumë mendjen tek fitorja, por dua që të zhvillohet një ndeshje e bukur dhe vajzat e Vllaznisë të tregojnë vlerat e veta”.
© shkodrasport.com