Një përplasje e fortë fizike ka ndodhur në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Shkodër. Në një rast të paprecedent drejtori Gentian Ibro dhe inspektori i tij Naim Deniku janë përfshirë në një konflikt fizik.
Burime pranë bashkisë Shkodër bëjnë me dije se këta dy persona janë rrahur me grushte brenda në zyrën e drejtorit Ibro. Perleshja mes tyre ka ardhur pas një sërë ngjarjesh dhe debatesh.
Mesohet se drejtori Ibro ka tentuar që inspektorin e tij ta dërgojë sipas dëshirës në disa vende për prishje ndërtimesh apo edhe urdhëra të tjerë të qëllimshëm ku vetë drejtori Ibro mund të ketë qenë i përfshirë në pazare të ndryshme.
Inspektori Deniku duket se e ka kuptuar lojën e eprorit Ibro dhe nuk ka pranuar që të veprojë në këtë mënyrë aspak normale dhe dashakeqëse ndaj ndonjë personi në qytet.
Sipas burimeve të pakonfirmuara drejtorit Ibro i ka bërë vërejtje me paralajmërim për heqje nga puna gjë e cila e ka tensionuar më shumë situatën mes tyre. Inspektori Deniku nuk ka pranuar të dalë në punë deri në sqarimin e rrethanave dhe pas këtij momenti të dy janë rrahur ashpër me grushte në zyrën e drejtorit Ibro.
Sipas burimeve edhe më përpara ka patur dyshime të forta se drejtori Ibro ka vepruar sipas dëshirës së tij duke krijuar shumë pakënaqësi dhe probleme për shkak të dyshimeve të forta të përfshirjes së tij në pazare të ndryshme.
Në bashkinë Shkodër ka mbërritur edhe policia vendore e Shkodrës për të hetuar mbi atë që ka ndodhur duke e dokumentuar si ngjarje. Ky është një rast i paprecedent që ka ndodhur në bashkinë Shkodër si shkak i pazareve të mundshme të drejtorit Ibro, gjithnjë sipas burimeve pranë këtij institucioni.