Historia 99 vjeçare e Vllaznisë ka dhuruar shumë suksese por që mund të kishin qenë edhe më të shumta. Kjo skuadër ka nxjerrë breza të tërë lojtarësh të talentuar dhe një pjesë e tyre për fat të keq, e ka nisur dhe mbyllur karrierën pa fituar asnjë trofe.
Megjithatë, dy periudhat më të arta janë ato të viteve ’70 dhe e viteve ’80. Ekipi ka fituar trofe, ka bërë lojëra të bukura dhe ka patur në rradhët e tij lojtarë të talentuar. Deri vonë është bërë edhe një pyetje: Cili ekip ka qenë më i miri, ai i viteve ’70 apo ’80?
Në vitet ’70 do të kemi mbase periudhën më të ndritshme të futbollit shkodran. Ka qenë një dekadë e mbushur me suksese dhe trofe. Si asnjëherë tjetër. Në vitin 1972 Vllaznia do fitonte kupë e kampionat njëherazi, gjë që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare.
Për të vazhduar me kampionatin sërish më 1973 dhe 1978 dhe pastaj kupën më 1979. Plot 5 trofe për Shkodrën dhe futbollin shkodran. Meritë kjo e padiskutueshme e një brezi të talentuar me emra të tillë si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Paulin Ndoja, Lekë Koçobashi, Hajrullah Lekaj, Esat Rakiqi, Halil Puka, Rauf Çanga, Millan Vaso, Ismet Hoxha, Suad Durraj, Seit Çanga, Çesk Ndoja, Zyhdi Basha, Viktor Plumbini.
Ata më vonë do pasoheshin nga të tjerë si Lutfi Basha, Ahmet Meta, Isa Sukaj, Fatmir Axhani, Fatmir Lugji, Genc Boshnjaku, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Ardian Arra, Selman Gruda etj.
Mbi të gjitha meritën më të madhe në këtë periudhë suksesesh e ka ideatori I këtyre trofeve. Ai është trajneri Xhevdet Shaqiri, njeriu që duke e drejtuar këtë skuadër në pankinë, ka fituar më shumë se çdokush tjetër.
Në vitet ’80, do vazhdojnë sukseset. Do ketë sërish trofe, teksa merren dy kupa në vitet 1981 dhe 1987 si dhe titullin kampion më 1983. Të tjerë sportistë e trajnerë kanë dalë në skenë në këtë dhjetëvjeçar.