“I dashur profesor, unë jam një i mbijetuar i një kampi përqendrimi. Pashë atë që askush nuk duhet ta shohë: dhoma gazi të ndërtuara nga inxhinierë të arsimuar, fëmijë të helmuar nga mjekë me përvojë, foshnje të vra.ra nga infermierë të sprovuar, gra dhe fëmijë të vrarë dhe të djegur nga të diplomuarit dhe të kualifikuar.
Unë nuk besoj – prandaj – te arsimi. Ndihmojini studentët tuaj të bëhen qenie njerëzore. Përpjekjet tuaja kurrë nuk duhet të prodhojnë monstra të trajnuar, psikopatë të kualifikuar, Eichmanns të arsimuar.
Leximi, shkrimi, aritmetika nuk janë të rëndësishme nëse nuk shërbejnë për t’i bërë fëmijët tanë më njerëzorë”.
Ishte kujdestari i fundit i shkollës sime, disa vjet më parë, që do ta ndante këtë letër që u shfaq në Le Monde. Rasti ishte Dita e Kujtimit të Viktimave të Holokaustit, një përsëritje e cila na kujton përgjakjen më të madhe të shekullit të njëzetë i gdhendur në histori si pjellë e njerëzve gjakatar.
Shkurorëzimi midis arsimimit dhe edukimit është një e keqe e madhe e shkollës sot, frut i një emëruesi të përbashkët si rezultat i të cilit ekziston ky edukim neutral.
Në vend të kësaj, edukimi duhet të jetë në njëkohësi me mësimin, sepse komunikimi i parë është ai i qënies dhe vetëm pas saj të mbërrijnë fjalët, përndryshe nuk do të ishte e domosdoshme një prezencë e gjallë me nxënësit, por do të ishte e mjaftueshme që të ngarkoheshin mësimet në internet.
Thënë rreptësisht, nuk ekziston mësimi në distancë, por vetëm direkt. Nxënësi, përveç mësimit mëson karakterin e mësuesit.
Mësimdhënia është një degë e dramaturgjisë. Është mësuesi që krijon dije, sepse hap rrugën për dëshirën e nxënësit, e cila zgjon te mësuesi një jetë më të gjallë dhe të lirë, falë kulturës dhe punës së mirë, edhe ai gjithashtu e dëshiron atë për veten.
E kujton me saktësi këtë nobelisti Caneti në autobiografinë e tij:
“GJITHÇKA QË KAM MËSUAR NGA ZËRI I GJALLË I MËSUESVE TË MI KA RUAJTUR FIZIONOMINË E ATIJ QË MË SHPJEGOI DHE NË KUJTESË MBETI I LIDHUR ME IMAZHIN E TIJ. KJO ËSHTË SHKOLLA E PARË E VËRTETË E NJERIUT DREJT NJOHJES”.
Nocionet më të bukura nuk i bëjnë njerëzit, gjithçka varet nga mënyra se si mësuesit lidhen me njëri-tjetrin dhe me nxënësit, sepse, para nocioneve, janë marrëdhëniet, gjenerueset e unit dhe të dijes. Është te marrëdhënia ku mëson ta ndiesh vlerën e vetes si marrës të dhuratës së dijes.
Cilët mësues keni falënderuar dhe për çfarë?
Për mësimin mbi ligjet e termodinamikës dhe mbi Giacomo Leopardin, apo për mënyrën sesi ata jetonin dhe e shpjeguan termodinamikën dhe Leopardin për ju?
Para ca kohësh një student më shkroi:
«Po ju them dy përvoja. E para: faqja e nxirë e shkollës. Një profesor, i cili i kishte tmerruar në vetë të parë të gjithë shkollën e mesme me frazën ”jeni bërë shumë: duhet t’ju pakësojmë”, pak ditë më parë po ky njeri e përkufizoi dashurinë për punën e tij me këtë fjali: “Një mësues nuk duhet të ketë dhembshuri, duhet të ketë një zemër prej guri .. përndryshe ai do të bëhet preferencial, dhe i anshëm “.
Një shaka, menduam. Një mik i imi i përgjigjet: “Por jo, prof! Një mësues duhet të ketë një zemër kaq të madhe sa ai nuk preferon dot njërin më shumë se tjetrin! ” “Dhe, jo: një zemër prej guri”. Ai foli seriozisht.
E dyta: fytyra e ndritshme e shkollës. Këtë vit unë zbulova poezinë falë gjestit të jashtëzakonshëm të një profesori të zakonshëm të filozofisë, i cili një ditë na tregoi për rininë e tij dhe si poezia në atë kohë e pushtoi jetën e tij dhe përndezi imagjinatën e tij.
I interesuar edhe për veten pasi që nuk kisha lexuar asnjë poet të madh, kërkova këshilla. Ditën tjetër e shoh atë të nxjerrë një libër të vjetër nga çanta e tij. Ai erdhi tek unë. “Kjo është për ty”. Ai më dha një nga kopjet e tij të Elegjive duineze, nga Rainer Maria Rilke, libri i tij i preferuar i poezisë. Libri i rinisë së tij!”
Profesori i parë edukon pandjeshmëri të zemrës, mosqënien e unifikuar të unit, i dyti e bën Rilken interesant ende pa lexuar asnjë rresht prej tij. Elementi që shkakton edukim dhe mësim njëherazi dhe në harmoni efektive mes tyre është dashuria.
Asgjë sentimentale këtu: dashuria është një qëndrim ndaj realitetit që lejon shtimin e njohurive, për shkak se ajo ende mbart ngarkesën potenciale për ta shtyrë individin t’u shkojnë në fund punëve me dëshirën dhe angazhimin e tij personal.
Ju nuk mund kurrsesi t’i rrisni njohuritë për diçka pa rritur më parë interesin për lëndën në fjalë (zbatohet si për miqësinë ashtu dhe për kiminë). Dashuria lind njohuri dhe zgjerimi i njohurisë rinovon dashurinë.
Është e njëjta sfidë e rrëfyer nga Ovidi, në Metamorfozën e tij, për mitin e Pigmalionit. Një skulptor i zhgënjyer nga të gjitha gratë, bie në dashuri me gruan ideale që ka gdhendur në mermer. Transportimi i saj është i tillë që perënditë e transformojnë statujën në një grua prej mishi e gjaku.
Miti është përdorur për të përshkruar efektet arsimore, i ashtuquajturi efekti-Pigmalion, sipas të cilin nëse një mësues (por vlen për çdo edukator) e sheh një nxënës me bindjen se do të bëjë mirë, ajo do të krijojë tek ai një besim që, pothuajse në të gjithë shumësinë e rasteve, madje edhe përballë një dispozite të pamjaftueshme fillestare, ai do të arrijë rezultate pozitive.
Efekti vepron gjithashtu edhe në krahun negativ: nëse jam i bindur se nuk është i vlefshëm, efekti mbi rezultatet do të jetë konsistent me bindjen, madje edhe përballë aftësive të mira. Vështrimi dhe bindja mbi edukimin nuk është kurrë neutral, asnjanës, por gjithnjë profetik, për mirë ose për keq.
Ne kemi konfirmimin e përditshëm të kësaj në fëmijën që sapo është rrëzuar, ai kthehen shikimin nga prindërit të tij, në qoftë se ata tregohen të alarmuar shkaktojnë të qara, në qoftë se buzëqeshin, duket sikur dhimbja, edhe pse objektive, është shndërruar aty për aty nga dhe nëpërmjet syve.
Fëmijët nuk kanë nevojë për miqësim me mësuesit as abuzuesit, por për burra dhe gra të cilët janë në gjendje të shohin me ta, si subjekt i dashur i mundësive të reja që nuk duhen lëshuar të ikin.
Por nuk është e lehtë të jesh një edukator në një sistem shkollor që mbyt me burokraci dhe zbeh dinjitetin social dhe ekonomik, dhe në një kontekst kulturor që shpesh sulmon nga lart (prindërit) dhe nga poshtë (studentët).
Por, këto elemente mund të bëhen edhe justifikime për të mos bërë atë që është brenda mundësive të një njeriu të lirë: duke u kujdesur për ata që i janë besuar atij. Vetëm në këtë mënyrë bëhemi pigmalionë të nxënësve me zemra të ngrohta dhe kokat e ftohta, përballë përhapjes, midis të rriturve në fillim dhe pastaj të rinjve, të kokave të nxehta dhe zemrave të ftohta.