Përfshihet nga zjarri tregu industrial në Laç. Si pasojë e zjarrit, tregu ku ushtrojnë aktivitetin shumë familje është shkrumbuar tërësisht.
Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi tregtarët shprehen se prej kohësh ka pasur konflikt mes pronarit të tregut industrial si dhe pronarëve të tokës.
Gjithashtu tregtarët shprehen se kanë gjetur një bidon benzinë në ambientet e tregut, të cilin policia e ka sekuestruar si provë materiale.
Zjarrëfikëset dhe policia neutralizuan flakët, duke mos lejuar përhapjen e tyre.
Në këtë treg zhvillonin aktivitetin rreth 70 tregtarë, të cilët këtë fundvit do të përballen me vështirësi të mëdha, pas këtij zjarri.