Në krahinat fshatare të Rumanisë, sidomos para Luftës së Dytë Botërore, ndodhte që ndonjë fshatar dhe më së shpeshti fshatare, t’i kërkonte dikujt ca fije floku.
Një kërkesë e tillë i tensiononte shumë marrëdhëniet ndërmjet atij që kërkonte dhe atij që duhet të jepte flokët, sepse simbolikisht dhënësi i flokëve identifikohej si njeri me sy të keq, i cili me fuqinë ndjellaligë të shikimit kishte sëmurur ndonjë anëtar dhe më dendur ndonjë fëmijë të familjes së atij që artikolunte kërkesën.
Në ditarin e tij mjaft analitik, George Ulieru, i cili pergjatë viteve 1913-1939 ka shërbyer si mjek në disa fshatra të Rumanisë, ndër të tjera ka shkruar:
“Një trokitje e fortë në dritare më zgjoi nga gjumi. Pyeta se kush ishte…
– Unë, i ati i fëmijës.
– I cilës fëmijë?
– I asaj fëmije për të cilën ti dje the i habitur se ishte e bukur.
Mundohem ta sjell ndërmend…
– Mirë, çfrarë do? – e pyes.
– Të vish ta vizitosh, se është keq.
Vishem, marrë çantën me ilaçet dhe nëpër errësirë i shkoj nga pas të panjohurit. Mbërrij. Një grua me një fëmijë në krah, që klith, ecën e shqetësuar poshtë e lartë nëpër dhomë. Më shikon vëngër, si armik.
– Ç’ka ndodhur? – pyes.
– Ç’të ndodhë? E more më sysh ti dje, kur kalove nga porta jonë dhe tani ja shiko sap o vuan.
E vështroj me vëmendje fëmijën dhe filloj ta përkëdhel. Vërtet ishte fëmija që kisha soditur disa orë më parë. Dukej edhe më i bukur, me faqet e ndezura nga ethet. Konstatoj një pneumoni.
I them së ëmës se fëmijën e kanë mbajtur në të ftohtë për një kohë të gjatë dhe tani ka një bymehje të mushkërive. Ajo më dëgjon me mosbesim. Zgjedh disa ilaçe që i kisha me vete dhe i them se si t’ia japë fëmijës.
– Meqë ma ke marrë ti mësysh, më mirë më jep disa qime nga flokët e tu që t’i tymos dhe t’i namatis, – më thotë ajo e vendosur.
I them se fëmija ka nevojë për një trajtim serioz që të shërohet dhe t’i linte mënjanë flokët dhe namatisjet. Mirëpo, s’donte t’ia dinte. Zuri të vajtonte dhe më kërkoi me këmbëngulje t’i jepja disa fije floku që t’i tymoste dhe ta namatiste”
Kësisoj, për fshatarët rumunë, që mbanin “syze” paragjykimesh, edhe mjeku, që si profesionist duhet t’i shikonte me vëmendje të përqendruar të sëmurët, për të përcaktuar saktësisht diagnozën e për t’i shëruar, mund t’i sëmurte pacientët me fuqinë ndjellaligë të syrit të keq.
Dhe në rrethana të tilla mjekut i kërkohej ta shëronte atë që kishte “viktimizuar” jo me ilaçe dhe metoda shkencore, por me dhurimin e flokëve që do tymoseshin dhe do përdoreshin për namatisje.
Kësisoj, të zhytyr në mjgull paragjykimesh e besëtytnish, fshatarët rumunë jo vetëm nuk e lejonin mjekun t’u ofronte shërbim shëndetësor të kualifikuar, por edhe e fyenin atë, duke e konsideruar shkaktar sëmundjesh dhe jo shërues.