Ali Mema, historia e ikonës bardheblu që luajti për Vllazninë dhe u nderua nga Shkodra

Nga Vllaznia tek Tirana kanë luajtur shumë lojtarë. Para viteve ’90 dhe sidomos pas tyre dhe mjafton për këtë të përmendim emra si Auron Miloti, Hamdi Salihi, Vioresin Sinani, Bekim Balaj, Gilman Lika dhe së fundmi Edon Hasani.

Por ndërkohë, nga Tirana (17 Nëntori) i asaj kohe në Shkodër ka ardhur për të luajtur një futbollist, madje ikonë e bardhebluve si Ali Mema. Historia e tij është shumë interesante dhe ai është detyruar të luajë për një vit e gjysëm me Vllazninë.

Ka ardhur në Shkodër “me zbor” në gjysmën e dytë të sezonit 1966-67 dhe ka luajtur edhe në kampionatin e vitit 1968, pikërisht përkrah Në Shkodër gjeti Z.Danin, Çapalikun, Gjonin, Dedjen, Lekajn, Gjergjin, Hoxhën, S.Danin, Pukën, Selmanin, Kocobashin, Qerajn, në veçanti me Bizin luajti për një kohë të gjatë te Vllaznia dhe pak muaj me Rragamin kur ky u kthye në Shkodër, në fillim të ’68-ës.

Ali Mema ndonëse vetëm për pak muaj, ai ka lënë një respekt të madh tek të gjithë shkodranët dhe jo më kot në janar të vitit 2015, në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër u zhvillua një ceremoni për dhënien e titullit “Mirënjohja e Qytetit”.

Aktiviteti në të cilin morën pjesë shumë ish- kolegë të tij. Ky është shembulli më i mirë se shkodranët dinë t’i nderojnë ata që kanë qenë pjesë e tyre dhe kanë dhënë për ta. Ali Mema është shembulli më i mirë për këtë. Më poshte keni pjese te nje shkrimi qe Uvil Zajmi pat shkruar pak kohe me pare per kete futbollist:

Po cila është historia e transferimit të tij në Shkodër?
Ali Mema ka përfunduar Institutin e Lartë të Kulturës Fizike, pas të cilit duhet të kryejë zborin 6-mujor. Sapo është mbyllur sezoni 1965-’66, 17 Nëntori është shpallur kampion, njëkohësisht ai është edhe lojtar i përfaqësueses në kulmin e formës dhe famës.

Partizani e nuhat situatën dhe ka rastin që ta marrë në klubin e tij pasi e kanë mobilizuar pranë repartit ushtarak në Laprakë, madje ka zhvilluar edhe disa seanca stërvitore, ku gjen Panon, me të cilin ka luajtur bashkë te 17 Nëntori i vitit 1960, në Kombëtare.

Gjeneral Petrit Dume e pëlqen, këmbëngul dhe i propozon të qëndrojë te Partizani, por Mema ia ka bërë të qartë se është kundër, e pa dëshirën e tij është e pamundur. Atëherë nisin në Shkodër.

Nga 6 në 18 muaj, në repart me Bujar Kapexhiun
Historia e transferimit në Shkodër e Ali Memës është një ndër “mekanizmat” e sistemit. Nga një zbor 6-mujor, ai u kthye në një shërbim ushtarak që zgjati 18 muaj. Nisi në verën e 1966 dhe Ali Mema u kthye në Tiranë në fillim të vitit 1968 (bashkë me Foto Andonin e Partizanit).

Motivet janë disa: për të dobësuar 17 Nëntorin; arsye politiko-sportive; sipas disa vendimeve për sportistët ushtarë shpallur nga qeveria etj. Por, ende sot mbetet enigmë qëndrimi i gjatë i tij në Shkodër. Në Divizion, në repartin 901 të këmbësorisë, aty ku e kanë caktuar, i janë bashkuar edhe aktorët Bujar Kapexhiu e Fatos Haxhiraj. Edhe ata për zborin 6-mujor…

Madje, vetëm Memës i kanë lejuar të mbajë flokët dhe Kapexhiut mustaqet, pasi “ky luan në film” – thoshte Kapisyzi, gjenerali i famshëm i divizionit.

Si mbret në Shkodër dhe fletërrufetë pse refuzoi të luante ndaj 17 Nëntorit

Transferimi i Ali Memës te Vllaznia u prit me entuziazëm dhe simpatia e lidhja e tij me klubin, qytetin, tifozët, familjet, futbollistët ka qenë dhe mbetet unike edhe sot.I gjithë mjedisi e ka jetuar ardhjen e tij dhe, nëse ka një futbollist që është pritur e trajtuar si mbret, është Ali Mema kur shkoi në Shkodër. Janë 18 muaj ndër më të bukurit e karrierës së tij. Në familjen Dedja, Duria (nëna e Mendu Dedjes) i ka shërbyer me gjithçka.

Një fakt i rëndësishëm është se në aspektin sportiv te Vllaznia Mema u përshtat shpejt duke injektuar egon, shpirtin e sakrificës. Por kur vinin përballjet me 17 Nëntorin, kanë qenë momentet më të vështira gjatë karrierës shkodrane të Ali Memës.

“Para një sfide, kur flitej se Alija ishte në pikëpyetje nëse do të luante apo jo, trajnerin Xhod Shaqiri e thërrisnin në Komitetin e Partisë”, kujton Ramazan Rragami. “Pse nuk don me lujt Mema? – e pyesin. – Ai është titullar dhe duhet me qenë në fushë”. Si një strateg, Shaqiri gjykon se është më mirë të mos e aktivizojë dhe kështu vepron.

Mirëpo të nesërmen, qytetarët sportivë pasionantë shkodranë, të painformuar, shpërthejnë në fletërrufe ndaj trajnerit por mosaktivizimin e Memës.

Por, edhe në një sfidë tjetër 17 Nëntori-Vllaznia (Kupë, takimi i dytë) në pjesën e parë Mema godet traversën e portës veriore të kryeqytetasve që mbrohet nga Tafaj, por në pushim, me sinqeritetin që e karakterizon, i është drejtuar trajnerit:

“Nuk mundem, e kam shumë të vështirë të luaj kundër Tiranës”. Janë pjesë të memories sportive, në veçanti asaj shkodrane, të klubit Vllaznia për të cilin ai luajti deri në sekondën e fundit. “Alija, Alija dona gol!”, ka bërtitur stadiumi “Vojo Kushi” kur kërkohej goli i shumëpritur. Sa herë është kthyer si kundërshtar vetëm e kanë duartrokitur.

Letër qeverisë dhe Beqir Ballukut

Qëndrimi shumëmujor pas përfundimit të 6 muajve të zborit në Shkodër me Vllazninë e detyroi të atin e Memës që t’i shkruante një letër qeverisë, në të cilin i kërkonte kthimin i Ali Memës në shtëpi, pranë familjes.

Një kërkesë e tillë iu dërgua edhe Beqir Ballukut si ministër i Mbrojtjes që ishte. I kërkohej motivi i qëndrimit të tejzgjatur pa arsye dhe kthimin e Ali Memës pranë familjes, pasi ishte i martuar dhe me fëmijë. Letra humbi dhe nga Dikasteri nuk pati asnjëherë përgjigje zyrtare.

Qëndroi te Vllaznia edhe në muajt e parë të kampionatit të 1968-ës, i cili u zhvillua në harkun e një viti kalendarik, duke fituar me tiranasit titullin kampion në muajin dhjetor pas një rivaliteti deri në fund me Partizanin.

Prenk Jakova mbyll provat e “Skënderbeu”-t

Një çast tejet emocionues e lidh karrierën e Ali Memës me artistin, kompozitorin Prenk Jakova, një nga kolosët e mëdhenj të muzikës shqiptare. I njohur me “Mrika”-n, si opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, apo me “Margjelo”- n, edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, mbetet unik episodi kur ai ishte në Tiranë duke zhvilluar provat me orkestrën e Teatrit të Operës dhe në kulmin e intensitetit për të vënë në skenë operën e dytë të tij “Skënderbeu”, ai iu drejtua orkestrës dhe me zërin e një muzikanti i thotë: “Do t’i mbyllim shpejt provat, se do të nisem për në Shkodër, pasi sot lot për herë të fundit Alija”.

“Kollosët” e mesfushës
Por, kolosët e mesfushës shqiptare do t’i bashkonte edhe kombëtarja, madje në disa sfida epokale, të paharruara: Në barazimin 1-1 me Irlandën në Tiranë në nëntorin e ’65-ës janë Rragami (Partizani), Ali Mema (17 Nëntori) madje edhe Foto Andoni (Partizani).

Ndërsa tre mjeshtrit e mesfushës do të jenë bashkë në takimet vijuese gjatë vitit 1967: Në Dortmund, prill: RFGJ-Shqipëri 6-0, në formacion janë: R.Rragami (Partizani), A. Mema (17 Nëntori) dhe S. Bizi (Vllaznia). Pastaj në Beograd, Jugosllavi-Shqipëri 4-0, nëntor, sërish në fushë: Rr.Ragami(Partizani), S. Bizi (Vllaznia) dhe A. Mema (17 N ë n t o r i ) .

Ndërsa në takimin e 17 dhjetorit Shqipëri- RFGJ 0-0, reparti i mesit përbëhet nga: A. Mema (Vllaznia), R. R r a g a m i (Partizani), S. Bizi (Vllaznia). Me ekipin përfaqësues, Ali Mema luajti në 11 takime zyrtare dhe 1 miqësore. I pari më 30 tetor në Tiranë, Shqipëri- Danimarkë 1-0 dhe i fundit ai ndaj RFGJ-së, 0-0 në “Qemal Stafa”.

Ja pse historia e Ali Memes eshte shume interesante. Dhe periudha e tij me Vllaznine ka lene gjurme tek ky lojtar qe eshte nje nga simbolet e Tiranes, por qe beri shume shoke e miq edhe ne Shkoder.
Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME