Esat Rakiqi, njeriu i rrallë i futbollit shkodran

Futbolli shkodran na ka dhuruar në vite shumë figura të shquara. Dikush si sportist, të tjerë si trajner, por ka patur edhe prej atyre që i kanë bërë të dy këto role. Por më shumë se Esat Rakiqi askush. Ai ka qenë pranë futbollit për plot 58 vjet. Një kontribut i jashtëzakonshëm i këtij njeriu të rrallë.

Esat Rakiqi ka lindur në Shkodër më 29.05.1943 dhe i lindur në një lagje e cila ka nxjerrë futbollistë të mëdhenj, kuptohet që edhe ai kishte atë dëshirë: Të merrej me futboll.

Ka filluar të spikasë në moshën 14 vjeçare kur në Durrës u zhvillua Spartakiada e parë Kombëtare për fëmijët. Trajner kishte Zyhdi Bakallin i cili madje i besoi edhe shiritin e kapitenit. Ka luajtur dy vite me këtë ekip për të kaluar më pas me të rinjtë. Në vitin 1959, ishte vetëm 16 vjeç dhe trajner me këtë ekip ishte Xhelal Juka.

Edhe ai duke parë aftësitë e tij, i beson edhe ai shiritin e kapitenit por vetëm deri me këtë ekip sepse pastaj gjërat ndryshuan edhe për shkak të biografisë time. Kalon tek ekipi i parë në një nga vitet e errëta të Vllaznisë, në vitin 1961 kur ajo ra nga kategoria.

Ekipi drejtohej nga një grup trajnerësh ku i parë ishte Rifat Rusi e bashkë me edhe Muc Koxhja, Muhamet Dibra si dhe Latif Alibali trajner portierësh. Në vitin 1965 Rakiqi bashkë me lojtarët e tjerë fitojnë Kupën e Republikës. Më pas shkon ushtar ku një vit luan me Partizanin ndërsa gjashtë muajt e fundit kalon tek Lokomotiva e Durrësit.

Kthehet tek Vllaznia dhe me të luan në vitet 1968- 1973 duke qenë gjithnjë titullar në formacion dhe duke kontribuar në arritjen e shumë rezultateve pozitive. Në prag të sezonit 1973-74 do të vinte lamtumira nga futbolli.

Luan madje edhe në 3-4 ndeshjet e para por më pas drejtuesit e klubit e detyruan të lërë futbollin sepse kishte mbushur 30 vjeç dhe në atë periudhë sportistët në këtë moshë i quanin të vjetër dhe prandaj duhej t’i lironin vendin më të rinjve. Njëkohësisht e urdhëruan për të nisur në Tiranë kursin njëvjeçar për trajner.

Me të mbaruar kursin njëvjeçar, i japin ekipin e të rinjve të Vllaznisë të cilin e drejton nga viti 1974 deri më 1980 dhe nga duart e tij kanë dalë disa futbollistë të cilët do të bënin emër më pas në futbollin shqiptar si Hysen Zmijani i cili solli ndryshimin e madh në futbollin shqiptar me lojën dhe daljet e tij karakteristike në krahun e djathtë.

Nga duart e tij kanë dalë futbollistë si Ferid Rragami i cili kujt ekipi nuk i ka ba gol, ka dalë Ferid Borshi i talentuar që Partia nuk e lejoi me ba emër. Kanë dalë Roland Luçi, Fatbardh Jera, Hysen Dedja etj. Ndërkohë në vitin 1980 kalon tek ekipi i parë, kur trajner i parë ishte Kolec Kraja dhe prej këtij momenti unë ka vijuar të jetë pjesë e ekipit deri në vitin 2010, natyrisht me disa shkëputje të vogla teksa ka punuar si trajner me Edi Martinin tek Laçi si dhe katër muaj si trajner i parë tek Ada.

Karriera e tij si trajner do mbyllej në sezonin e mrekullueshëm dhe të paharrueshëm 2012-13 me Kukësin kur me trajnerin Armando Cungu, futbollistët dhe drejtuesit e Kukësit bënë historinë e futbollit shqiptar duke mbërritur deri në turin e katërt të Kupave të Europës.
Këtu mbyllet cikli 56 vjeçar i tij pranë futbollit. Ka fituar 5 tituj kampionë si futbollist dhe si trajner pikërisht në sezonet 1971-72 dhe 1973-74 (si futbollist), 1982-83, 1991-92 dhe 2000-01 (si trajner).

Po ashtu kam fituar 4 Kupa të Republikës si futbollist dhe si trajner në vitet: 1965, 1971-72 (si futbollist), 1980-81, 1986-87 (si trajner). Ka fituar një Superkupë si trajner në vitin 2001 kur mundën Tiranën dhe është shpallur dy herë kampionë në kategorinë e dytë, në vitin 1962 me Vllazninë si futbollist dhe në vitin 2008 me Laçin si trajner. Të gjithë e kanë njohur Rakiqin si “zëvendëstrajnerin e përjetshëm”.

“Kam punuar me shumë trajnerë në këto vite, duke filluar siç thashë nga Kolec Kraja, e për të vazhduar me Medin Zhegën, Ramazan Rragamin, Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Ferid Rragamin, Hysen Dedjen, Dervish Haxhiosmanoviç, Ramadan Shehun, Edi Martinin dhe me të fundit dhe më të suksesshmin, Armando Cungun.

Me disa prej tyre kam punuar madje nga 2-3 herë në periudha të ndryshme si me Zanin (Rragamin) 3 herë, po aq edhe me Dinin (Zhegën) e Astritin (Hafizin).Madje, për kuriozitet, me këtë të fundit kam punuar 11 vjet me rradhë. Si ia kam arritur? Kam bërë gjithmonë punën time, kam respektuar kolegët e mi, futbollistët dhe jo më kot në gjithë këto vite si trajner, nuk kam marrë asnjëherë asnjë ofendim nga askush, nuk kam patur incidentin më të vogël dhe as shqetësimin më të vogël.

Për mua ka qenë disi e lehtë të punoja si zëvendëstrajner edhe sepse shumë prej atyre që u bënë trajnera, kishin qenë nxënësit e mij më parë dhe kur ato më thërrisnin “profesor”, ndjehesha keq sepse në fakt ata ishin drejtuesit e parë”- do të shprehej për “Shkodra Sport” profesor Esat në një intervistë dhënë pak muaj para se të ndërronte jetë.

“Kam qenë trajner i Ferid Rragamit që kujt s’i ka ba gol, i Borshit të talentuar por që Partia nuk e ba hajër, i Bardh Jerës, Roland Luçi, Viktor Brizës, Hysen Dedjes, e shumë e shumë të tjerëve të talentuar.Për të vazhduar me brezin më të ri ku do të veçoja Sinanin i cili arriti në një sezon të vetëm të shënonte 36 gola dhe pa një skuadër pretendente, duke shënuar po aq gola sa Besa që ra prej kategorisë.

Respekt për Edi Martinin, lojtarin e talentuar që në vitin 1992 para se të shkonim në Francë, nuk e futëm me dashje në një ndeshje që luajtëm në Shkodër sepse mendonim se do shënonte gol medoemos dhe do kishim presionin e publikut për ta marrë me vete në Francë ndërkohë që ne nuk e donim këtë gjë për vetë moshën e tij.

Respekt për Cungun si lojtar por edhe si trajner, për më tepër që më mori ndihmës tek Kukësi në moshën 69 vjeçare, respekt për Armir Grimën, Luan Zmijanin, Safet Osjen, Suad Licin, Ilir Dibrën etj.Ajo që kam tentuar unë si zëvendëstrajner ka qenë mbajtja e raporteve të afërta me kapitenin e skuadrës dhe si amortizator të fortë, të dy kemi rregulluar çdo marëdhënie në ekip.

Trajneri i dytë duhet me pasë diçka të veçantë: duhet të jetë pedagog, prind, edukator dhe njëkohësisht edhe kërkuar. Unë mendoj se i kam patur të gjitha këto dhe prandaj kam patur sukses”- do të thoshtë më tej profesor Esat që punoi plot 33 vite si zëvendëstrajner. Si askush tjetër. Jo më kot do të mbetet gjithmonë në mendjen e njerëzve si njeri i rrallë! Esat Rakiqi është ndarë nga jeta më 14 tetor 2016 në moshën 73 vjeçare.
Gjergj KOLA

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME