Siç e kam treguar, për stinën 1971-’72 Vllaznia e Shkodrës duhej të kishte luajtur sipas shortit, pikërisht me një skuadër austriake, Rapid të Vjenës për Kupën UEFA, tërhequr nga Regjimi. Dhe mbas 7 vjetëve shorti kapricioz ia ruan me besnikëri një klub po austriak, kësaj radhe Austria e Vjenës!
Është kampionia e famshme e Mitteleuropa-s (Europës Qendrore), Austrisë, e cila në Kampionatin Botëror përfunduar vetëm dy muaj më parë, kishte zënë vendin e 7-të në botë, duke pasur në përbërje 6 lojtarë të kësaj kampioneje me emrin Austria. Ishin Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Baumeister, Prohaska dhe Schachner.
Në fushën e stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës kishte zbritur thuajse Kombëtarja e Austrisë, e cila kishte lënë në kujtimin e Botërorëve edhe fitoren historike 3-2 kundër Gjermanisë! Është 13 shtator 1978. Një ndeshje, e cila parafillon me habinë e parë të madhe për skuadrën mike.
Lojtarët e Vllaznisë i ftojnë ato austriakë për një fotografi të përbashkët para shkelmimit të topit – krejtësisht jashtë protokollit të ndeshjeve të Kupave të Europës! Ata me hezitim dhe të stepur megjithatë pranojnë… Dhe mandej Vllaznia-Austria 2-0!
Nuk duhet harruar se Vllaznia u përforcua me tre futbollistë të tjerë të mëdhenj të kohës, portierin e pazëvendësueshëm Jani Kaçi të Skënderbeut, qendërmbrojtësin numër 1 të Shqipërisë së kohës,
Safet Berisha të Partizanit, dhe sulmuesin e papërmbajtshëm Shyqyri Ballgjini të Dinamos, të cilët plotësuan një Vllazni përtej historisë, “rrëmbime” këto që futbolli shqiptar i kishte mënyrë “origjinale” përfaqësimi.
Sot të duket sikur kemi qenë ne pararendës për UEFA-n, e cila tashmâ i ka ligjëruar këto lloj marrjeje të përkohshme lojtarësh për ndeshjet e Kupave të Europës.
Jam kthyer vonë nga Shkodra atë mbrëmje të 13 shtatorit 1978. Kam propozuar që shkrimi të fillonte nga faqja e parë e “Bashkimit”, çka ishte një kapërcim kompetencash edhe për kryeredaktorin Hamit Boriçi, përveç të tjerave profesor i shquar i gazetarisë, i cili me dituritë dhe stilin e tij guxonte të kalonte caqet e sistemit të ngushtuar të mjedisit shqiptar të kohës. Ai vendosi.
E dinim se fitorja ia kishte marrë mendtë disi edhe vetë Partisë. Shkrimi u vendos dukshëm në “taglio”-n e faqes së parë. Suksesi te publiku ka qenë i papërshkrueshëm… Dy javë më vonë, më 27 shtator 1978, Vllaznia u mund 4-1 në Vjenë dhe në tanësi eliminohet për vetëm 1 gol (4-3). Televizioni Shqiptar çoi kameramanin e tij, të mirënjohurin Astrit Omeri, i cili i vetëm me aftësi të larta profesionale e regjistroi të gjithë ndeshjen.
Kam pas fatin ta shoh ndeshjen e dhënë për zëvendëskryeministrin Manush Myftiu dhe një grup gazetarësh në studion e TVSH dhe nuk qe kaq tragjike. Po ndeshja nuk u transmetua për publikun. E pabesueshme, por e vërtetë! Sidoqoftë, fitorja 2-0 e Shkodrës mbas një ndalimi të futbollit ndërkombëtar prej 6-7 vjetësh për Shqipërinë, përbënte një ndeshje të madhe, të paharrueshme, model, madje një brilant të historisë së futbollit shqiptar.
Gola spektakolarë të Ballgjinit dhe Zhegës, një 11-sh vërtet i rrallë. Kaçi, Berisha, Sh. Ballgjini, të cilët, të shkrirë me Zyhdi Bashën, Seit Çangën, Suat Durajn e paharrueshëm, Luan Vukatanën – vetëm 19 vjeç, Astrit Hafizin, Sabah Bizin, Fatmir Axhanin – zbulim i bukur i kësaj ndeshjeje, Medin Zhegën – futbollistin tonë të madh po aq të pashlyeshëm dhe të paharrueshëm, të cilët paraqitën një bukuri të tanë shqiptare në Europë mbas një izolimi të paprecedentë gjashtëvjeçar.
Shkruaja në “Bashkimi”: “…E Bizi si në vitet e tij më të mira, plot freski lëvizjeje e teknikë pasimi, me një roveshatë emocionuese nis Zhegën, ky Axhanin, i cili krejt i vetëm i detyron Baumgartnerit një pritje të përsosur. Veç nuk ka shumë kohë të ndiejë kënaqësinë e saj. Se vjen minuta e 16-të me kombinacionin e rrufeshëm Zhega-Bizi.
Gjuajtja e Sabahut nga 20 metra larg vulos shtyllën e portës së “Austria”-s në një goditje që në stadiumin ‘Vojo Kushi’ do të kujtohet gjithnjë”. “…Në pjesën e dytë pas kombinacioneve të shpejta, të nisura që nga Basha, Berisha, Duraj e Çanga, të përpunuara me inteligjencë nga Bizi, vazhdojnë gjuajtjet…”. “…Minuta e 57-të.
E nis sulmin Bizi, e vazhdon Zhega me koleksionin e finteve të tij dhe, ashtu siç i shërbeu Ballgjinit për golin e parë, tamam kështu i shërben tani kapiteni sulmuesit tonë energjik….”. “… Stadiumi ‘Vojo Kushi’ gradualisht bie në qetësi.
Vllaznia me kapitenin 33-vjeçar Zhega, me Bizin e gjithanshëm, me Kaçin më të përpiktë se asnjëherë, me Bashën luftarak, me Çangën, Durajn, A. Hafizin, Vukatanën, Axhanin e me Ballgjinin, shpërthyes e golashënues, e lë fushën e lojës nën duartrokitjen entuziaste të spektatorëve”…
Në të vërtetë një patetikë që vetvetiu sikur pasqyron një shfrim ndjenjash të ndrydhura… “Keni sportistë të mrekullueshëm”, thotë i deleguari i UEFA-s. “Skuadra e Shkodrës ishte shumë e mirë, – thotë trajneri austriak Shtesl, – dhe në të gjitha pikat e formacionit ka qenë më e mirë se ne.
Ajo më la një përshtypje të shkëlqyer teknike, taktike e fizike në këtë ndeshje të nivelit të vërtetë ndërkombëtar”.
“Kundërshtari im Bizi, – thotë Prohaska, – ishte shumë i mirë, por e gjithë skuadra shqiptare ishte e përgatitur dhe ajo ka një futboll teknik, me lëvizshmëri, moderne”.
Ndersa gjithashtu i shqetësuar për rezultatin, shton: “Vllaznia ka luajtur mjaft mirë, – pohon kapiteni R. Sara, – dhe rezultati 2-0 i përgjigjet lojës së saj teknike e të fortë”. Kjo ishte historia “epike” e çizolimit bizian në 2-0 Austrisë së Vjenës.
Besnik DIZDARI