Në të dalën veriore të qytetit të Shkodrës, ndodhet një fshat që quhet Shtoj i Vjetër.
Në këtë fshat, ndodhet edhe një oborr i motshëm. Në këtë oborr të motshëm, ndodhet një gur ciklopik.Ky gurë i tmerrshëm, që rri në atë oborr si një sfidant kokëngjeshur, brezash dhe burrash, ka një histori.
Një histori, kushedi, ndoshta edhe dy shekuj a më shumë , kur u shkëput nga trualli i vet në Malin e Zi familja shqiptare Arkoçi.
Në Ballkanin antik, sikurse edhe në Evropën antike, janë zhvilluar lojra masive rinie, ku konkuronte zgjuarsia, shpejtësia dhe sidomos forca fizike;ku përfshihej dhe ngritja e gurëve ciklopikë.
Në legjendën e kreshnikëve, Muji, falë mirësisë së tij, u shpërblye me një gjë të shtrenjtë nga zanat e folkut tonë ? krijesat fine më të herëshme sesa Mesjeta ; as me ar, as me armë, as me pasuri e as me hareme.
Duke i dhuruar tri pika qumësht gjiri, qumësht nëneje, zanat plotësuan pasionin e veçantë të mikut të tyre fisnik ? mundësinë për të fituar nëpër garat e ngritjes së gurëve.
Ky gur në oborrin e veçantë të Shtojit të Vjetër, na shpie në djalërinë dhe burrërinë e vjetranës sonë të mrekullueshme. Arkoçët e sapoardhur, papritur u bënë të nderuar shumë nëpër bonorët autoktonë të katundit Shtoj falë atij guri.
Për respektin e të gjith të tjerëve, në një ditë bajrami apo , mbase, Shëngjergji, njëri prej këtyre banorëve të ardhur, e ka tërhequr këtë gur qënga toka , e ka kaluar pranë gjunjve dhe e ka ngritur përmbi kokë i dorovitur nga hareja dhe mahnia e shtojakve.