Skandalet e fundit të publikuara i kanë kushtuar jo pak drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Kreu i ARRSH Afrim Qendro është shkarkuar nga posti që kishte për t’i lënë vendin dikujt tjetër.
Kështu Qendro do t’i lërë vendin ish ministres për Shtetin dhe Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato. Afrim Qendro ishte në fokus kohët e fundit pas fillimisht skandalit të publikuar me kompaninë “DH Albania”.
Kjo nuk është lëvizja e vetme sepse një ditë më parë Klodian Gradeci, drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit dha dorëheqjen përsëri dyshohet për një tjetër skandal që lidhet me “DH Albania”,
pasi kjo firmë mori tenderin prej 12 mln eurosh për një linjë energjitike dhe pas daljes së fakteve publikisht ky tender u anulua dhe për pasoja drejtori Gradeci dha dorëheqjen.
Afrim Qendro si drejtor i ARRSH vetëm 6 ditë më parë ka dhënë një dëshmi për afro dy orë në Prokurorinë e Tiranës për fitimin e tenderit nga “DH Albania” që dyshohet se ka vendosur dokumente të falsifikuara.
Drejtori Qendro sipas burimeve ka mohuar në mënyrë kategorike se ai ka shkelur ligjin për tenderin ndëkohë që ka deklaruar përpara drejtësisë se thjeshtë ka zbatuar ligjin.
Fillimisht skandali me kompaninë Dunëell Haberman nisi pasi u shpall fituese për një pjesë të Unazës së Madhe që ta ndërtojë por ai tender u pezullua nga ARRSH pas publikimit të dokumenteve të falsifikuara në media.
Operatori i Sistemit të Transmetimit i dha 11 milion euro kësaj kompanie për linjën Burrel-Peshkopi por që më pas u anulua. Skandalet me këto kompani bënë që dy drejtues të lartë të largohen, njëri duke dhënë dorëheqjen dhe tjetri duke u shkarkuar.