“Ai që nuk parashikon ato që do të ndodhin në të ardhmen e largët ekspozohet te palumturia e afërt”. Filozofi kinez, Kǒng Fūzǐ (Konfuci, në shqip), kohë më parë, në dorëshkrimet e tij, do të linte edhe këtë mesazh për njerëzimin…
Nuk duhet shumë shkollë për ta kuptuar. Ai që do të mbjellë dhe do të korrë, por dhe ai që nuk ka punuar për atë ditë, atëherë do të rri duarkryq kur ajo ditë të vijë…
Një mësim që vlen në çdo pikë të jetës dhe sidomos aty ku të bësh biznes përputhet edhe me shkelmimin e një topi. Sepse, futbolli romantik është zhdukur dhe ka mbetur vetëm si koncept, ose në atë fusha ku luhet për qejf, ku janë amatorë që kanë një profesion.
Në futbollin real, atë të sotëm, një klub model është ai që ka të gjitha bilancet në rregull, që paguan futbollistët, arrin objektivat dhe sakrifikon atëherë kur duhet një apo dy elementë cilësorë, për të përfituar dhe, më pas, me ato para investon akoma më shumë në metodologjinë e punës dhe sidomos në… largpamësi.
Në Holandë, prej vitesh, klubet e mëdha, ato që kanë mundësi ekonomike, sponsorizime dhe sidomos një buxhet të përshtatshëm të vendosur ndër vite, kanë ngritur një rrjet të gjërë. Përpara pak ditësh, Holanda shkatërroi Gjermaninë në ndeshjen e Ligës së Kombeve,
por ajo që ra në sy është se në fushë kishte brum dhe talente që mund të rriten akoma më shumë. Një filozofi të cilën e ka ndihmuar shumë edhe Federata Holandeze e Futbollit.
Kohë më parë, Altin Lala, në një bisedë personale, do të më tregonte edhe sekretin e kësaj rritje dhe kultivimi talentesh. “Praktikisht, në Holandë, është vendosur një statut që duhet respektuar në lidhje me futbollistët ekstrakomunitarë dhe, në rast se t’i afron një lojtar nën moshën 21-vjeç, atëherë rroga e tij minimale duhet të jetë 200 mijë euro në sezon, që për standardin e atij kampionati është shumë e madhe…
Këtë rrogë mundet ta mbështesin dhe paguajnë vetëm tre klube të mëdha, si Ajax, PSV dhe Feyenoord. Të tjerat, detyrohen të besojnë te produkti vendas, duke e kultivuar. Ndërsa, nëse është një i huaj mbi 22-vjeç, atëherë rroga minimale është 400 mijë euro
Pikërisht të tjerat, që përmendi Lala, janë ato klube që përpiqen të shohin përpara duke vlerësuar në maksimum një “produkt” që kanë nxjerrë. Nuk shohin vlerën monetare, fillmisht, por të ardhmen, që mund t’i sigurojë shumë më shumë.
Ajax është një dyqan i shtrenjtë, sigurisht, kur flitet për të shitur talente, por në Amsterdam e dinë mjaft mirë se si të operojnë. Flasin faktet. Jo më kot, Ajax është një nga sektoret e rinj më të mirë në Europë. Fidanishte që ka nxjerrë talente pas talentesh. Të fundit, që ndiqen nga klubet e mëdha europiane janë Matthijs de Ligt, mbrojtësi kapiten vetëm 18 vjeç, mesfushori 21-vjeçar Donny van de Beek dhe natyrisht bashkëkombësi Frenkie de Jong, një mbiemër i përhapur në Holandë.
Pikërisht shpërthimi i këtij të fundit është ai që ka rënë më shumë në sy: më shumë se 50 ndeshje me ekipin e parë të Ajax, pasi te rezervat, ose ekipi i dytë, ka “ngrënë” kundërshtarët. Teknikisht me shumë talent, i saktë ne goditjet nga larg dhe ato standarte dhe i rrezikshëm në lëvijet pa top. Karakteristika që futbolli modern i kërkon.
Xhevahiri i radhës te “shigjetarët”, që fërkojnë duart pasi pritet të bëjnë një plusvlerë të jashtëzakonshme. E donin PSG, Manchester City dhe Bayern Munich, por ia hodhi Barcellona, ndoshta shtyrë edhe nga ajo filozofi e qujtur Cruijf.
Duke pasur parasysh investimin fillestar, këtu nis edhe historia: i rritur te klubi me emrin Willem II, De Jong u transferua te Ajaxi për shifrën simbolike 1 Euro. Ishte vera e vitit 2015 dhe drejtuesit e Willem II, duke njohur filozofinë e Ajax dhe vetrinën e tyre europiane, zgjodhën që të mos arkëtonin, por të mbanin 10% në rast të një shitje në të ardhmen nga klubi i Amsterdamit.
Dhe tashmë, fati “i shkeli në derë”. 75 milionë euro dhe 11 mln euro bonuse, sipas arritjeve të Barcellonas. Praktikisht, në rast se do të arrijë bonuset, Ajax duhet të paguajë rreth 9-10 milionë euro te Willem II, klub që me ato para do të rregullojë bilancet. Shigjetarët, ndërkohë, krijojnë një fitim kolosal me futbollistin, sikur ta kishin paguar vetëm 9 mln euro, praktikisht.
Nuk u përsërit gabimi “Eriksen”, që u shit te Tottenham,disa vite më parë, për vetëm 14 milionë euro. Sigurisht, merkato atëherë “udhëtonte” me shifra shumë më të vogla se sot, ku tregu është prishur për shkak të miliardave të naftës, gazit e kështu me radhë.
Largpamësia e Ajax, por edhe e Willem II, për një biznes të mirëmenduar.
Në Shqipëri, përveç Skënderbeut, shumë klube ende njohin termin largpamësi. Udhëtojnë në një det të hapur, duke shpresuar që të era të fryjë gjithmonë në favor dhe të mos i përplasi diku… Sepse, nëse nuk ndërton çatinë dhe themelet e shtëpisë, atëherë është e kot ta mobilosh në mënyrë lluksoze.
@shkodra sport