Astrit Hafizi, pianisti rekordmen i Kombëtares që “shkundi” Gjermaninë

Cila është historia e pa treguar e Astrit Hafizit, nga një muzikant, pianist, në një mesfushor të talentuar dhe më pas trajneri i kombëtares, që tronditi Gjermaninë? Vitet kryeqytetase te Shkëndija, dëshira e Dinamos dhe transferimi brenda ditës nga Kampi i Dajtit në Razëm.

Karriera e gjatë me Vllazninë, largimi pa ceremoni dhe caktimi në stolin shkodran, kur ishte vetëm 32-vjeç. Nga goli në “Praterin” vjenez, te ndëshkimi me “punë edukuese” në Pult të Dukagjinit, lojtar i “17 Nëntorit” me emrin Shuaip, njoftimi surprizë i Eduard Dervishit dhe minutat dramatike në Hanover.

1968-1975, PERIUDHA E SHKËNDISË

Vetëm dy muaj, pranverë-vjeshtë të 1968-ës, kanë mjaftuar që e ardhmja e Astrit Hafizit të ndryshojë, nga pasioni për pianon dhe leksionet me zysh Kristinën, në një futbollist karriere.

Sapo kishte mbaruar 8-vjeçaren, nuk ishte as 15-vjeç, i përzgjedhur nga seleksionierët e moshave në Shkodër Z. Bakalli, E. Helepian, Sh. Ramadani, R. Laçaj, M. Dibra, në qershor luajti në Spartakiadën e Pionierëve, e ndonëse nuk ka asnjë ndeshje me të rinjtë, i evidentuar nga profesor Zyber Konçi që ndjek aktivitetin, si talent i datëlindjes 1953, do të vijë në Tiranë, kur në përfundim të tij, Konci i pat thënë:

Shkëndija 1972

“Nuk ke nevojë për konkurs, emrat do t’jua dërgojmë në Shkodër”. Më 6 tetor, në vitin e dytë të shkollës së mjeshtërisë sportive, të përuruar në janarin e kaluar, ai bashkë me Fatmir Paçramin e Ndrek Brushtullin, kanë zbritur në kryeqytet dhe janë sistemuar në konvikt.

“Dolëm në mjediset e panjohura të shkollës dhe aty kam parë për herë të parë Marjeta Pronjarin duke u stërvitur”, thotë Hafizi për “Panorama Sport”. Shpejt vjen integrimi dhe kampionët me ekipin e të rinjve, me trajner Zyber Konçin. Në sezonin 1970- ’71, skuadra renditet e para në Kategorinë e Dytë dhe në edicionin 1971- ’72, Shkëndija do të luajë në të Parën.

Një skuadër simpatike, të gjithë futbollistë të rinj, jo më shumë se 17-18- vjeçarë, por shumë të talentuar. Mesfusha dhe sulmi përbëheshin nga Gjonaj, Gurma, Ballço, Çuri, Hafizi, Zëri, Sulo, Bulku, Fagu. Midis tyre edhe Hafizi, tashmë titullar.

TRIUMFI I PAHARRUAR NË “QEMAL STAFA”

Nëse e pyet për ndeshjen e paharruar të karrierës, veçon atë PartizaniShkëndija. “E kujtoj gjithmonë atë takim”, thotë ai për gazetën. Dhe vërtet, ka qenë dhe mbetet shumë e veçantë, jo vetëm për Astritin, Shkëndinë, por edhe për historinë e kampionateve shqiptare.

Dinamo-Vllaznia, Astrit Hafizi

Ishte sezoni debutues i formacionit të parë të Mjeshtërisë në Kategorinë e Parë, 1972-73 dhe në “Qemal Stafa” luhej Partizani-Shkëndija. Një stadium i mbushur ka kuriozitet, interesim për të parë skuadrën e re surprizë, të përbërë nga nxënës të shkollës së mesme dhe asnjë dyshim, për një triumf të Partizanit me futbollistë cilësorë e përvojë.

Kanë qenë 90 minuta spektakolare dhe 2-1 për Shkëndinë, me gola të dyshes Sulo-Fagu. Ndërsa humbja për Partizanin ishte si një rrufe në qiell të hapur, pasi klubi u trondit. Më vonë, pati lojtarë që u larguan nga të kuqtë, ndërsa për shkëndijasit e një futbolli të ri spektakolar e argëtues, nuk kishte kohë kohë për festuar, pasi të hënën i priste klasa, mësuesit, librat, provimet…

SHKËNDIJASIT E PARË SHKODRANË…

Janë pak ndeshje në tre kampionate, që ai ka luajtur kundër Vllaznisë, por që kanë shërbyer për ta bërë të njohur edhe në Shkodër: “Ky është futbollist i yni”, flitej në mjediset sportive shkodrane. Ndonëse nuk ka shënuar asnjë gol, kujton disa ndeshje, nga e para në stadiumin “Dinamo”, ku Shkëndija barazon 0-0 ndaj një Vllaznisë, që vinte nga një pjesëmarrje ballkanike.

Vllaznia ne vite

Ishte në kulmin e formës me lojtarë kalibri, protagonistë absolutë të kohës. Kundër Sabah Bizit ka luajtur në atë sfidë. “E shikoja si idhull”, kujton Hafizi. Më pas, një 4-2 e humbur në “Vojo Kushi”, pastaj një tjetër 1- 0 për Shkëndinë me gol të Paçramit.

Bashkë me të janë edhe disa shkodranë shkëndijas, që kanë veshur të dy fanellat: sulmuesi i shpejtë i krahut Paçrami, mesfushori i talentuar A. Arra, organizatori F.Rragami dhe Agim Medja.

NGA KAMPI I DAJTIT, NË RAZËM, BRENDA DITËS

Qershor 1975, diplomohet në ILKF dhe e kanë emëruar pedagog te katedra e futbollit, njëkohësisht kapiten i Shkëndisë dhe ndihmës i trajnerit Rreli. Me 6 gusht, Shkëndia ndodhet në kamping në Malin e Dajtit dhe ka filluar fazën përgatitore. “Më thërret Rreli dhe më thotë: kam një lajm jo të mirë.

Do shkosh në Shkodër, ju kërkon Vllaznia! Nuk kam se çfarë të bëj, jam i detyruar… Ishte një kërkesë nga Ruzhdi Bekteshi, inspektor i Fizkulturës në Rreth, drejtuar Ministrisë së Arsimit me motivim,- rrëfen Hafizi. Pretendimi është lojtar i Shkodrës pasi vjen nga moshat” dhe zv/ministri, Musa Kraja, shkodran, i kishte përcjellë dokumentet në Shkodër.

Ditë e diel, një autobus “Korosa” nga Shkodra për të sjellë pionierë, vjen në Kampin e Dajtit. Flas me shoferin dhe pa takuar asnjë të afërm në Tiranë, nisem e në drekë jam në Shkodër.

Më prisnin dhe Fahri Fani, shef i klubit, i cili më thotë të merrja materialet e bashkë me mjekun Zyhdi Çoba, të nisem në Razëm ku është grumbulluar skuadra. Rreth orës pesë, kam filluar stërvitjen e parë me Vllazninë. Pra, paradite në Malin e Dajtit me Shkëndinë, në mesditë, në Razëm me Vllazninë, që drejtohej nga Xhod Shaqiri” tregon Hafizi.

Aty gjen Rragamin, Zhegën, Bizin, I. Hoxhën, H. Pukën, Ç. Ndojën, S.Çangën, S. Durajn, etj. “Ishte një prezantim i shpejtë, pasi gjatë periudhës shkëndijase, kisha luajtur disa herë kundër Vllaznisë dhe njihesha me të gjithë.”

Ndërkohë, qëndrimi në Tiranë, si futbollist e pedagog, krejt papritur është venitur dhe në shkollën 8-vjeçare “10 Korriku”, ka filluar punë si mësues i edukimit fizik. Ardhja e tij në Shkodër u bë shtysë që edhe i ati, që punonte në Gur të Zi, “si shpërblim” të transferohej në Shkodër.

NË KUPËN BALLKANIKE, KUNDËR MUSTADANAGIÇ

Nga gushti i 1975 është titullar te Vllaznia, kur në marsin e 1976, i vjen një ftesë nga Dinamo, si përforcim për Kupën Ballkanike, në një grup ku janë Dinamo e Zagrebit dhe Etnikos. Është një preferencë e vjetër e klubit dhe drejtuesit e saj, aplikojnë taktikën e marrjes si përforcim në takimet ndërkombëtare.

Një strategji kjo, duke menduar zëvendësimin e Gani Xhafës, që e ka sezonin e fundit, me një lojtar mesfushor të ngjashëm me stilin e lojën e tij. Ideale për të kompletuar një mesfushë ÇeçoHafizi-Çiraku, që të mbështesë sulmin me Ballgjinin, Zërin e Përnaskën.

Për këtë arsye, klubi kishte caktuar Qamo Hallunin si shkodran e zv.trajner të ndërmjetësonte. Në ndeshjet e Tiranës, që mbyllen 1-2 me fitoren e zagrebasve (Përnaska, Zajec, Bogdanoviç) dhe fitores 2-0 ndaj Etnikos (Zëri, Dibra) Hafizi është titullar, por papritur nuk e marrin në takimet e kthimit.

“Ka bërë thyerje disiplinore, është larguar pa leje nga grumbullimi në Hotel Arbëria”, ishte argumenti enigmatik. Ka dështuar kështu tentativa për të ardhur te Dinamo dhe përfundimisht, deri në fund të karrierës, do të jetë lojtar i Vllaznisë. Nga ajo kupë ka edhe një kujtim: Do të kalonin 40 vite kur me Mustadanagiç, ish-lojtar i Dinamos së Zagrebit, do të pinte një kafe në një lokal të Tiranës.

“Besoj se nuk më mban mend. Kemi luajtur si kundërshtarë në Tiranë për Kupën Ballkanike”, i thashë. Xhemali, hapi sytë, pati një çast hutimi, pastaj u kujtua për ato 90 minuta të largëta”, tregon Hafizi.

TJETËR PËRFORCIM, POR ME EMRIN E TË ATIT

Pas Dinamos, një tjetër skuadër kryeqytetase, “17 Nëntori” do ta marrë si përforcim, sërish në Kupën Ballkanike, disa edicione me vonë. Pasi ka humbur 3-1 në transfertë, në “Qemal Stafa” kërkohet fitorja dhe 3-0 në takimin e kthimit ndaj Larisës, ku Hafizi është në formacion bashkë me Luan Vukatanën.

Por si rrallëherë, madje unike, para ndeshjes, gjatë analizës në Hotel “Arbana”, nga drejtues të Federatës, duke patur frikë se mos njihen nga kundërshtarët, është vendosur që të luajnë me emrat e baballarëve. Për këtë u njoftuan edhe Bellova, Grillo që ishin të kujdesshëm kur topin e kishte Shuaipi (Hafizi), ia pason Shefqetit (Vukatanës).

Njerëzit, të habitur që ndiqnin transmetimin radioteleviziv, nuk e kuptonin, madje mendonin për lojtarë të rinj dhe vetëm në mbrëmje, janë informuar me të vërtetën. “17 Nëntori” siguroi finalen, por në Bullgari ndaj Stara Zagorës, nuk i morën, edhe këtë herë pa asnjë motiv.

MBYLLJE JO E HIJSHME, REFUZIMI I CEREMONISË

Muaji gusht, ndërsa skuadra përgatitet të niset për fazën përgatitore pa e ditur se nuk është në projektet e klubit për sezonin 1984-85, kur i kanë thirrur, shefi i Klubit, Mehdi Milla me një listë në dorë, i ka komunikuar se “kush dëgjon emrin do vijë me skuadrën në Velipojë”. Emri i tij nuk figuron, ndonëse një vit më parë (1982- 83), ishte kapiteni i skuadrës kampione.

Bashkë me të, jashtë liste janë edhe Çanga, Paçrami, Gruda, Boshnjaku, etj. “Kështu e kanë vendosur drejtuesit e klubit, duan të freskojnë skuadrën”, i patën sqaruar. Ishte 31 vjeç, nëntë kampionate, 1975-1984 me Vllazninë, në krah të Bizit, Zhegës, si protagonist.

Në shtator me fillimin e kampionatit, e njoftojnë se duan t’i organizojnë ceremoninë e largimit dhe dorëzimit të fanellës një futbollisti të ri. “Unë e refuzova, nuk shkova, tregon ai. Ma keni bërë njëherë ceremoninë kur më larguat”, ishte përgjigja e Hafizit. Mund të jetë nga të paktët futbollistë të njohur, i cili është ndarë me Vllazninë, pa ceremoninë tradicionale.

NGA GOLAT E PAHARRUAR, AI VJENEZ NË “PRATER”

Ndonëse ka qenë mesfushor, elegant, asitmen, organizator me vizion loje, por edhe goleador. Në të parën ndeshje me bluzën e Vllaznisë, i ka shënuar kundër Shkëndisë në “Qemal Stafa”, 1-2 për shkodranët. Pastaj dy gola ndaj Besës në Shkodër, në ndeshjen e kthimit-finale të Kupës së Republikës (1981), që u mbyll 5-1 (2-1 për kavajasit 90′ e para) kanë qenë spektakolare.

Por goli në shtatorin e 78- tës në “Preterin” e famshëm vienez, për Kupën e Kampioneve ndaj Autrisë është i paharruar, edhe pse Vllaznia humbi 4-1 (2-0 rezultati në Shkodër). Janë minutat e fundit, pasi ka shmangur Obermajer, me të majtën, jo këmbën e tij, ka goditur tokazi. “Të realizoje një gol jashtë vendit, në ato vite ishte e rrallë. Me një gol tjetër kualifikoheshim ne”, thotë Hafizi.

KURSI I PADËSHIRUAR QË I DHA FAMË

Në shtatorin e vitit 1984, ILKF hap një kurs për trajnerë të Kategorisë së Parë. Klubi shkodran, duke shfrytë- zuar hapjen e tij, me pak diplomaci, pas largimit befasues e të pamerituar, e kishte projektuar për ta profilizuar si trajner. Ndërkohë, Hafizi as e kishte menduar atë profesion… E thërrasin dhe i thonë se e kërkon Tirana në një kurs për trajnerë.

“Nuk shkoj, mendoni ndonjë tjetër”, ka qenë i prerë Hafizi. “Mendohu një herë, pastaj flasim”, kanë këmbëngulur ata. Decizive në vendimmarrje ka qenë një bisedë me të atin.

“Falë tij, jam bërë trajner. Me futbollin e ke mbyllur, por duke qenë se i je futur asaj rruge, çoje deri në fund më tha”, tregon Astriti. Nëntë muaj në Tiranë, testime për të marrë diplomën e dytë, pasi ajo që kishte marrë kur u diplomua, i shërbente vetëm si trajner i Kat. II.

PËR HERË TË DYTË TE VLLAZNIA

Sapo është kthyer në Shkodër, e kanë caktuar zv/trajner me të rinjtë, në krah të Selami Danit. Ndërkohë, Vllaznia ka një fillim jo pozitiv dhe B. Axhemi e Dh. Dhora e thërrasin dhe i komunikojnë se do të jetë ai trajner i Vllanisë, duke zëvendësuar dyshen Rragami-Medja. “Ishte surprizë, befasuese dhe e vështirë, kujton ai.

Me Zmijanin, Jerën, Dedjën, Vukatanën, Borshin, Luçin, kisha luajtur deri një vit më parë. Me këmbënguljen time, mora Esat Rakiqin si zëvendës, pasi më duhej një ndihmës me eksperiencë e përvojë.

Bashkë me të, edhe Paulin Ndojën, si trajner i portierëve, të cilin kishin 12 vite që e kishin larguar.” Këtu fillon karriera e dytë e Hafizit, tashmë në stolin e një klubi, emri, tradite të vjetër të futbollit, ku janë ulur kolosët e futbollit shqiptar dhe atij shkodran, nga Xh.Shaqiri, R. Rragami, M. Zhega, etj. Ishte vetëm 32 vjeç, duke qenë ndoshta me moshën më të re të historisë së futbollit shqiptar si trajner i një skuadre të elitës.

Sezonet 1985, 1986 janë të suksesshme për Vllazninë, finaliste dhe fituese e Kupës së Republikës më 1987, pas dy finaleve dramatike me Flamurtarin 3-1 dhe 3-0. Në Kupën e Kupave, Vllaznia eliminon me dy fitore 2-0/ 4-0 maltezët e Sliemës, në turin e parë dhe humbet në ato pasardhëse 1-/1-0 sfidat ndaj finlandezëve të Rovanien.

Pas kthimit nga Helsinki do ta largojnë nga Vllaznia, tek e cila do të rikthehej duke e shpallur kampione (1991-92), në të parin kampionat postkomunist. Pastaj në vitin 2002, por vetëm gjashtë muaj do të qëndrojë në stolin shkodran.

ME RRAGAMIN, ALTERNIMI I PAFUND

Ndërsa me Ramazan Rragamin, e lidhin disa momente delikate të karrierës, jo vetëm si mesfushorë e kapitenë te Vllaznia. Kur në shtatorin e vitit 1975, futbollisti i shquar vendosi të largohej nga futbolli, gjatë ceremonisë tradicionale ja ka dorëzuar Astrit Hafizit fanellën e tij me numër 5. Kur Hafizin e larguan si futbollist, trajner ishte Ramazan Rragami dhe kur Hafizi u kthye pas kursit një vjeçar, në ’85, i dhanë stolin e Vllanisë, duke zëvendësuar Rragamin e madh.

Kur Astritin e ndëshkuan duke e dërguar në Pult, në nëntor të ’88, skuadrën e mori “Zani” dhe kur Hafizi u kthye, pas dënimit mori Vllazninë e Rragamit. Treshen RragamiHafizi-Zhega, përveç faktit që kanë një karrierë të shkëlqyer si futbollistë me Partizanin, Dinamon, Shkëndinë e spektaklit, kapitenë të Vllaznisë dhe kombëtaret U21 e deri e madhja, i bashkon edhe fakti se Hafizi e Zhega kanë qenë trajnerë të skuadrës kombëtare.

Bashkë me ta edhe Rragami, i shpallur kampion i Ballkanit me U- 23, dhe triumfues në Triret, në barazimin e madh 1-1 me moshatarët e RF Gjermane, në të dyja ngjarjet si zv/ trajner i Sh. Rrelit.

NDËSHKIMI I MADH ABSURD

Gjithçka ka nisur pas ndeshjes në Helsiniki, Rovanien-Vllaznia, kur gjatë qëndrimit në Hotelin “Athinas”, pas mesnate, dy lojtarë Arvid Hoxha e Lulzim Bërshemi, arratisen. Pastaj kthimi dhe fillimi i një kalvari tronditës, ndëshkues, absurd e të pamenduar nga askush. “Sapo kemi mbërritur, na kanë njoftuar për një mbledhje urgjente të nesërmen në mesditë.

Kanë qenë festat e 7-8 Nëntorit”, kujton Hafizi. Orë pafund, një mbledhje në formë ‘gjyqi’, që drejtohej nga udhëheqës partie, punonjës federate, ndërsa qyteti përjetonte situata ankthi. Dhe në përfundim, Bahri Axhemi, përgjegjësi i ekipit, trajner Astrit Hafizi, mjeku Zyhdi Çoba, kapiteni Ferid Rragami për ‘mos vigjilencë’, largohen nga skuadra dhe caktohen të punojnë në fshatin Pult të Mirditës, tre orë larg Shkodrës.

Mësues në shkollën 8-vjeçare, gjashtë muaj në një dhomë me dy mësues, në krevate marinari dhe për të plotësuar orët i ka takuar të japë disa lëndë përveç fizkulturës, si muzikë, kimi. Pastaj me makinën e postës apo kamionët që ngarkonin trupa pemësh, udhëtonte çdo fundjavë për të ardhur në shtëpi.

Në muajin maj, vjen transferimi. Një grup nga Ministra e Arsimit ka inspektuar shkollën, ka parë këndin sportiv duke informuar se me punën e bërë, mësuesi Hafizi “e kishte kuptuar gabimin”, urdhërojnë kthimin e tij në Shkodër, duke e emëruar në gjimnazin “Oso Kuka”.

Ndërkohë, Vllaznia që drejtohet nga Rragami, pas shkatërrimit dhe largimit të Rudi Vatës, Vukatanës, Maliqatit, thuajse gjysma e ekipit, ka krijuar një skuadër të re.

DËNIMI I DYTË, TJETËR PADREJTËSI

Në vitin 1991, bashkë me ekipin kombëtar për në Islandë, udhëton edhe ekipi U-21, me trajner Neptun Bajkon e Astrit Hafizin. Në aeroportin e Londrës, disa futbollistë shqiptarë ndalohen nga policia vendase. I detyruar, stafi me trajner e drejtues të sistemuar provizorisht në një hotel pranë aeroportit, qëndrojnë 28 orë.

Vetëm me ndërhyrjen e ministrive respektive, pasi çështja u konsiderua si një incident dhe problem diplomatik, i kanë liruar dhe me një avion çarter të vënë nga anglezët, i gjithë grupi niset drejt Reikjavikut. Pas kthimit në Tiranë, mbledhje maratonë… Ka “fajtorë” dhe vjen ndëshkimi tjetër për Astrit Hafizin. E largojnë nga kombëtare U-21 e Vllaznia. Por vetëm 3 muaj, pasi e rikthejnë, këtë herë me një ndryshim esencial: Trajner te Vllaznia dhe ndihmës i Birçes në kombëtaren A.

ME KOMBËTAREN, PJESA E TRETË E

KARRIERËS

Ka lënë Vllazninë, ka ardhur në Tiranë si inspektor në FSHF në vitin 1995, pastaj trajner i U-21 dhe në tetor të ’96. kur Bajko jep dorëheqjen, Eduard Dervishi, Sekretar i FSHF-së, i ka propozuar drejtimin e skuadrës kombëtare, me ndihmës Faruk Sejdinin e Perlat Mustën.

Edhe në këtë rast, është shumë i ri, vetëm 43 vjeç, kur në nëntor ka debutuar suksesshëm, Shqipëri-Armeni 1-1. Në këtë stol do të qëndrojë deri në tetorin e vitit 1999, Shqipëri-Gjeorgji 2-1, për t’ia lënë vendin, një tjetër personaliteti, shkodranit Medin Zhega. Stoli kuqezi i Hafizit: 4 fitore, 7 barazime e 14 humbje. Por me faktin më absurd që mund të shoqërojë një trajner kombëtareje: Nga 25 takime, 18-të i zhvilloi jashtë vendit dhe vetëm 7 në “Qemal Stafa”.

NJË PËRFAQËSUESE ME EMRA TË RINJ

Nga formacioni Bajkos, ku gjen Rrakllin, Vatën, Abazin, Dëman, Xhumbën, Millon, Lekbellon, Shulkun, Bellain, Strakoshën, Kaçajn, Bozgon, B. Kolën që luajnë me klube të huaja. Ndryshimet, Hafizi i fillon duke aktivizuar Nallbanin, Prengën, Fortuzin, Fakajn, Lalën, Gallon, Peçon, Kotrin, Bejzaden, Grimën, Mukën, Tolen, Pinarin, Halilin, Dalipin, Jupin, Merkoçin, Duron.

Por, produkt autentik i tij do të jenë: Tare, Lala, Haxhi, Bushi, Murati, Bogdani, Fakaj, disa prej të cilëve ishin larguar nga të rinjtë e pak informacion kishin shqiptarët për ta. Ishte trajneri i parë që pas lufte, ka aktivizuar Beqajn, kosovarin e parë me ekipin kombëtar.

MINUTAT DRAMATIKE NË GRANADA DHE HANOVER

Ka drejtuar skuadrën kombëtare në periudhën më të vështirë social-politike, kur kanë shpërthyer piramidat financiare, i gjithë populli ishte në protesta dhe i armatosur, madje edhe FIFA e UEFA ndaluan zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare në vendin tonë. Kujton udhëtimet, vështirësitë në akomodime, grumbullimet pa kushte, Petrit Tafallën, menaxherin historik të FSHF-së, pagesat e vogla, etj.

Por, ato tre vite i ka më të bukurat e karrierës si trajner. Nga barazimi 0-0 me Greqinë në Tiranë, tek ai 2-2 spektakolar në Oslo me Norvegjinë, triumfin e madh 1-0 ndaj Irlandës së Veriut në Zyrih, (fushë asnjanëse -97), të papërsëritshmen miqësore në Antalia, Turqi-Shqipëri 1-4, por mbi të gjitha, ndalet në dy përballje, që edhe pse janë humbur, nuk harrohen e mbartin vlera të mëdha historike: në Granda (Spanjë), prill 1997, ShqipëriRF Gjermane 3-4 dhe Hanover, tetorin vijues, RF Gjermane-Shqipëri 4-3.

Rezultati 3-3, ishte deri në ’92, kur në Shqipëri është ndërprerë energjia elektrike e të entuziazmuar, shqiptarët e kanë menduar barazim sfidën, pa ditur se Bierhof, në minutë e ’93 ka shënuar për vendasit golin e fitores.

Një informacion që erdhi me vonesë. Pastaj konferenca për shtyp, ku dukej qartë trishtimi në fytyrën e Hafizit. Në karrierën e tij si trajner ka edhe dy stola klubesh kryeqytetase: Dinamon në vitin 2001 dhe 17 Nëntorin në 2007, por nuk qëndroi gjatë.

PENGU QË E NDJEK

Askush nuk e beson se nuk ka luajtur asnjë ndeshje me ekipin kombëtar (disa të tilla vetëm me Shpresën), ndërkohë që si trajner, ka qenë ndër më të rëndësishmit e historisë së tij. Edhe pse në vite ekipi përfaqësues është drejtuar nga ish-pedagogët e tij Konçi e Rreli, vetem Boriçi e ka grumbulluar në një zbor disa ditor. Ka një dilemë:

“Nuk e di, a kam qenë më i mirë lojtar apo trajner?!” Ka ndjesinë se si lojtar, ka qenë më i mirë. Pastaj tregon një peng: Me punën, kontributin, nuk ka asnjë vlerësim, mirënjohje nga Shkodra, ku qëndroi një dekadë si futbollist, po aq si trajner, madje as edhe një certifikatë.

MOTRAT SULO, ME DHËNDURË NGA NJË SKUADËR

Asnjë traditë familjare në futboll, i shtyrë vetëm nga një dëshirë nga i ati. Vëllai i tij, Arturi është mjek. Edhe nga dy djemtë, Arensi ndoqi rrugën e babait, por pak vite luajti. Gruaja Nimfa, të dashuruar në vitet shkodrane, është mësuese fizike, ashtu si dhe motra e saj Najada. Janë pikërisht motrat Sulo, që kanë bashkuar dy dhëndurët, Astrit e Hysen Dedja, ky i fundit bashkëshorti i Najadës. “Shok, mik, partner te Vllaznia, pastaj së bashku, për pak kohë në stolin e kësaj skuadre.” Në ekranin televiziv është protagonist si opinionist, por edhe si vallëzues…

E ndërsa vitet kalojnë, ato nuk kanë ndikuar shumë te Astrit Hafizi, pasi është po ai, i qetë, i edukuar, i matur e korrekt, miqësor, komunikues, aktiv, siç e tregoi edhe në mbrëmjet televizive vallëzuese.

Ka vite që jep mësim në katedrën e futbollit të Universitetit të Sporteve të Tiranës, aty ky gjysmë shekulli më parë, e caktuan pedagog, por që nuk e lejuan.
Uvil ZAJMI

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME