Vetëm tri javë pas grevës së arsimit në shkollat e Kosovës çdo gjë iu rikthye normalitetit, shkruan Kosovarja.
Në shtetin tonë sikurse në shtetet tjera, çdo shkollë ka rregullat e veta të hartuara sipas ligjeve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë(MASHT).
Jo vetëm disiplina gjatë orëve mësimore, por edhe kohëzgjatja e pushimeve mes orëve janë të hartuara sipas këtyre ligjeve.
Siç e dijmë, pushimi i gjatë në çdo shkollë të Kosovës zgjatë tridhjetë minuta.
Sipas rregullores nxënësit duhet ta shfrytëzojnë këtë kohë për pushim, ushqyerje e aktivitete të tjera që nuk bien ndesh me rregulloren.
Por,të dalësh në orën 15 e 30 në rrugët afër shkollës së gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë, pothuajse çdo cep e sheh të stërmbushur me nxënës.
Madje edhe në skutat e rrugëve, dikush duke ngrënë diçka shpejt në duar, dikush duke bërë muhabetin që nuk ka mundur ta kryejë gjatë orëve, dikush duke pirë duhan, e madje dikush edhe duke flirtuar, e jetuar dashurinë rinore.
Mirëpo, e gjithë kjo zgjat vetëm 30 minuta dhe rrugët afër shkollës boshatisen e nxënësit drejtohen në shkollë për të vazhduar edhe at pjesë të mbetur të mësimit.
Portali i revistës Kosovarja ka provuar të flas me disa prej tyre, për aktivitetet që ata bëjnë gjatë këtij tridhjetë minutëshi dhe sa u mjafton kjo kohë.
Në kushte anonimiteti disa prej tyre shprehën kënaqësitë dhe pakënaqësitë e tyre.
Njëra prej nxënësve tha për redaksinë:
“ Pushimin e gjatë e kemi gjysmë ore. Kohë e pamjaftueshme për arsye se deri sa të dalim prej shkollës dhe deri sa të porositim diçka për të ngrënë është kohë e shkurtë”. Nuk kemi bërë asnjëherë kërkesë për kohëzgjatje të pushimit të gjatë”- tha ajo.
E dikujt tjetër ky tridhjetë minutësh po i mjafton.
“ Pushimin e gjatë e kemi në ora 15:30, që zgjat deri në ora 16:00.
Mendoj që mjafton. Pushimin zakonisht e shfrytëzoj me shoqëri kryesisht për të ngrënë diçka”- theksoi tjetra.
Në anën tjetër ka prej atyre që këtë tridhjetë minutësh e shfrytëzojnë për dashuriçka.
Gjë që në ditët e sotme dikush këtë temë ende e cilëson tabu.
Por,të rinjët botën sot e shohin ndryshe.
Në kafenetë që vizituam afër kësaj shkolle, nuk ishin të paktë të rinjtë që i pamë duke shkëmbyer puthje apo qoftë një gjest të vogël dashurie.
Madje dikush prej tyre nuk hezitoi të flas për portalin tonë.
“ Natyrisht që në shkollë së pari kam ardhë me mësu, por gjithë këto vajza të bukura që janë në shkollë s’mund të shpëtosh pa u dashuruar.
Nuk është marre me pas femen, e nuk osht marre as me puth femnen tane”- tha i riu të cilit i qitshin sytë xixa tek sa fliste për dashuri.
Kujtojmë se historitë dhe rrëfimet më të bukura të dashurisë janë pikërisht ato që kanë nisur nëpër shkolla.