Gilman Lika ka vendosur “bast” me veten. Nuk e ka në plan që ta mbyllë me futbollin e luajtur pa fituar një trofe dhe pa çuar Vllazninë në Kupat e Europës.
Kapiteni, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, nuk e diskuton ngjitjen në elitë, e megjithatë mundohet që të mobilizojë grupin, duke i kujtuar se vetëm matematika do t’i mbyllë llogaritë me këtë mision.
Nisur nga kjo, 32- vjeçari kërkon vetëm fitore edhe ndaj përballjes së radhës me Dinamon. Dëmtimi që mori ka lënë pasoja te mesfushori, ndërsa hapur e pranon se shkëputja prej 3 javësh e detyron që ta nisë nga zeroja me stërvitjen.
A ju penalizon ndërprerja, mos po jua ndal hovin?
Nuk besoj se na penalizon ndërprerja. Ne jemi të përgatitur në çdo moment për të dhënë më të mirën. Mendoj se në këtë rast nuk ka asnjë ndikim.
Tashmë që edhe pas formulës së përgjysmimit të pikëve jeni +8, mund të themi se Vllaznia “ka kryer punë me ngjitjen në elitë”?
E kam thënë edhe më parë se ne kemi ekipin më të mirë dhe e meritojmë këtë diferencë që kemi. E megjithatë, nuk mund të themi ende që kemi “kryer punë”, derisa janë për t’u luajtur ende javë. Vetëm kur të mbyllim matematikisht çdo gjë, do të jemi pa dyshim më të qetë. Na duhet t’i japim vlerësimin e duhur që të gjitha takimeve, por duke i marrë me radhë.
Dhe kundërshtari i radhës është Dinamo, si e parashikoni këtë duel?
Është ekip i mirë. Na ka krijuar vështirësi edhe në dy përballjet e para. Emrin e ka pa dyshim të madh, por ne na duhen medoemos 3 pikët e radhës edhe në këtë 90- minutësh. Prandaj them se do të bëjmë maksimumin për ta arritur atë.
Ju vjen keq që dy klube historike dhe me trofe të shumtë në elite detyrohen të përballen në inferiore?
Sigurisht që më vjen keq. Për qejfin tim, ekipet më emër e me traditë i dua në Kategorinë Superiore. Janë pikërisht ato që i japin tonin futbollit, në gjitha drejtimet.
Tifozët duan trofe dhe minimalisht Europën. Nëse misioni “Superiore” mbyllet me sukses, ku mendon Gilmani që mund të shkojë Vllaznia sezonin tjetër?
Ata që thonë “Vllaznia e ka vendin në Superiore”, e kanë gabim. Pasi kjo nuk diskutohet. Vllaznia e ka vendin shumë më lart, duhet që të luftojë për trofe ose minimumi për Kupat e Europës. Nëse nuk arrihet kjo, për mua mund të quhet dështim.
Që ky klub të kthehet në nivele të larta, çfarë duhet ndryshuar, qoftë në menaxhim e tij?
Ka disa gjëra që duhen ndryshuar. Njerëzit që janë tani në drejtim i dinë problemet edhe besoj që do t’i ndryshojnë ato.
Çfarë “basti” i keni vendosur vetes para se ta mbyllni me futbollin e luajtur?
Shpresoj shumë që mos ta mbyll me futbollin e luajtur pa e fituar edhe një trofe me Vllazninë dhe pa shkuar në një pjesëmarrje europiane.
Pas dëmtimit që morët, si është gjendja juaj. Patët pasoja?
Të them të drejtën, pasoja pati. Më la 3 javë pa stërvitje dhe tani i bie që të filloj stërvitjen nga zeroja. Por po përgatitem maksimalisht që të arrij sa më shpejt të jetë e mundur formën optimale, pasi dua që t’i mbyll me sukses këto ndeshje që kanë mbetur.