Të shtunën luhet sfida përcaktuese e titullit kampion në “Reshit Rusi”

Fusha sportive “Reshit Rusi” do të jetë ditën e shtunë e ngarkuar me ndeshje të rëndësishme futbolli. Siç dihet, pasdite në orën 15.00 aty do të luhet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit të kategorisë së parë, pikërisht përballja në mes Vllaznisë dhe Dinamos, por paradite do të luhet edhe një takim tjetër i rëndësishëm.

Bëhet fjalë për ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit të futbollit të femrave, atë në mes dy skuadrave kryesuese, Vllaznisë dhe Tirana AS. Pas 3 muajsh gati shkëputje, kampionati i femrave rikthehet me ndeshjet e rradhës, të cilat janë të vlefshme për javën e fundit të fazës së parë të tij.

Vllaznia pas 10 ndeshjesh të luajtura, kryeson renditjen me pikë të plota 30 ndërkohë që Tirana është e dyta me tre pikë më pak. Edhe golaverazhet e të dy ekipeve kanë ngjashmëri sepse ai shkodran ka shënuar 75 gola dhe ka pësuar vetëm 2 ndërkohë që ekipi kryeqytetas ka shënuar 70 dhe ka pësuar 8. Sfida e së shtunës në “Reshit Rusi” mund të vendosë shumë gjëra.

Tirana ka ende shpresa se mund t’i shkaktojë Vllaznisë të parën humbje në këto 6 vite kampionat, por edhe me një barazim do të ishte e kënaqur ngaqë do ta mbante garën e hapur për fazën e dytë. Por kuptohet që vajzat kuqeblu, bashkë me stafin teknik dhe me presidentin Matija nuk mendojnë kështu.

Ata kanë treguar deri më tani se nuk kanë rivalë dhe padyshim që do tentojnë jo vetëm fitoren, por edhe që ajo të jetë sa më e thellë në mënyrë që t’i tregojnë edhe këtij kundërshtari se Vllaznia nuk ka rivalë në futbollin shqiptar të femrave.

Këtë gjë në fakt po e tregojnë sepse kanë fituar 6 Kupa të Shqipërisë rresht në këto 6 vitet e fundit dhe tashmë do të synojnë edhe titullin e 6-të kampion rradhazi.

© shkodrasport.com

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME