Shqipëria do të luajë kundër Islandës dhe Moldavisë, në kuadër të eliminatoreve të Europianit. Para këtyre sfidave, tre futbollistë kanë shfaqur probleme duke shkurtuar në këtë mënyrë listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për trajnerin Edi Reja.
Ndryshe sa ishte thënë, nuk do të ketë futbollistë të tjerë që do të zëvendësojnë lojtarët e dëmtuar. Më poshtë njihuni me njoftimin e plotë të FSHF-së:
“Ka ndryshime në listën e kombëtares A për dy ndeshjet zyrtare ndaj Islandës në transfertë më 8 qershor dhe Moldavisë në “Elbasan Arena” më 11 qershor ora 20:45.
Egzon Binaku është dëmtuar në ekipin e tij IFK Norrkoping në ligën suedeze dhe në këto kushte e ka të pamundur të bashkohet me kuqezinjtë. Poashtu mesfushori Ledian Memushaj i grumbulluar me përfaqësuesen në kompleksin “Tropikal” ka shfaqur probleme fizike duke e bërë të pamundur rikuperimin në kohë për dy përballjet.
Një tjetër futbollist që do të mungojë është edhe Marash Kumbulla, i cili për shkak të angazhimit me klubin e tij, Hellas Verona në Itali do të bashkohet me U-21 në datë 3 qershor për transfertën e Turqisë”, bëhet me dije në kanalin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit.