Një fëmijë i lindur parakohe i cili peshonte vetëm 245 gramë ka arritur të mbijetojë. Vogëlushja e cila besohet se është krijesa më e vogël që ia ka dalë mbanë, ka lindur premature në një spital në SHBA. Foshnja Saybie peshonte sa një mollë e madhe kur ajo lindi vetëm 23 javë e tre ditëshe në dhjetor 2018.
Duke luftuar për jetën, vogëlushja u transferua në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin ”Sharp Mary Birch” në San Diego të Kalifornisë. Mjekët i thanë prindërve të Saybie se ajo do të mund të jetonte vetëm pak orë. Por vetëm 5 muaj më vonë, vogëlushja është e shëndetshme dhe peshon plot 2.5 kg, duke dalë jashtë të gjitha pritshmërive.
Një infermiere që kujdesej për të ka treguar se shërimi dhe jetesa e foshnjës janë një mrekulli. Regjistri i foshnjave në SHBA tregon se Saybie është foshnja premature më e vogël që ka mbijetuar ndonjëherë.
Më parë rekordin e mbante një vajzë në Gjermani e cila kishte lindur me peshë 252 gramë në vitin 2015, sipas regjistrit të drejtuar nga Universiteti i Ajovës. Një fëmijë, i lindur në Japoni, vetëm 268 gramë në fillim të këtij viti, mendohet të jetë djali më i vogël që ka mbijetuar nga lindja e parakohshme.
Nëna e Saybie e lindi foshnjën nga një operacion cezarian, para kohe, pasi ajo u diagnostikua me pre-eklampsi, një komplikim i shtatzënisë që përfshin presionin e lartë të gjakut, i cili mund të jetë fatal për nënën dhe foshnjën.
Në një video të publikuar nga spitali, nëna e përshkroi lindjen si “dita më e frikshme e jetës sime”. “Unë vazhdoja t’u thosha atyre: Ajo nuk do të mbijetojë. Unë jam vetëm 23 javëshe [shtatzënë] “, tregoi nëna, e cila ka zgjedhur të mbetet anonim. Vogëlushja ishte aq e vogël sa mund të “përshtatej në pëllëmbën e duarve të mjekëve”, tha ajo. Mbijetesa e saj, sipas mjekëve , mund t’i atribuohet faktit se ajo nuk pësoi komplikacione të rënda pas lindjes./BURIMI ”PËR NËNAT”