Shprehja e njohur e Mark Twain ‘’Sa më shumë i njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët’’ mund të mos ju pëlqejë të gjithëve, mirëpo pasi të lexoni historinë e mëposhtme do të ndërroni mendje dhe ndoshta do të shihni me një sy më skeptik ato/ata që ju rrethojnë.
Thonë që heronjtë kanë trup të madh e të bëshëm, janë të fortë dhe luftojnë dragonjtë e kuçedrat, sigurisht që ky përshkrim vlen për heronjtë e përrallave, pasi në jetën e përditshme edhe një qen mund të jetë hero.
Macho, një qen i racës Jack Russell Terrier, është shndërruar në heroin e Shën Peterburgut pasi arriti të zbulonte një foshnje të braktisur dhe të lënë në mëshirë të fatit mes shkurresh. E mbështjellë vetëm me një bluzë, vajza ishte në minutat e fundit të jetës dhe po vuante nga hipotermia dhe mungesa e oksigjenit. Por qeni kishte dëgjuar të qarat e foshnjës dhe i tërhoqi vëmendjen pronarit të tij, një pensionisti rus, duke e drejtuar prej nga vinte zëri. Menjëherë sapo vuri re praninë e saj, burri rus lajmëroi ambulancën dhe patrullën e policisë.
Do kishte qenë shumë e vështirë për t’u vënë re nëse nuk do ishte gjetur nga Macho. “Ky qen i zgjuar dërgoi pronarin, kundër vullnetit të tij, në një zonë të shkretë të parkut. Në thellësi të shkurreve, burri pa diçka të mbështjellë me bluzë. Ishte një vajze e vogël, që nuk kishte më fuqi të qante.”- tha një zëdhënës i Gardës Kombëtare Ruse, duke konfirmuar gjithashtu se kishin nisur hetimet për gjetjen e autorëve
Tashmë kanë kaluar pesë ditë nga gjetja e saj dhe stafi mjekësor shprehet se foshnja është mjaft e fortë dhe do të mbijetojë.