Për Mjeshtrin e merituar të sportit, Hysen Zmijani, Vllaznia e këtyre 7 javëve ka qenë surpriza më e bukur e kampionatit. Sipas tij, te kjo skuadër është ndier dukshëm dora e trajnerit.
Mirsad Jonuz është cilësuar nga ish-mbrojtësi si personi që ka meritën e madhe në këto arritje. Për Zmijanin më e vështirë është që të mbahet dhe të ruhet ky ritëm, sesa këto suksese momentale. Në një intervistë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit shkodran është shprehur ndër të tjera se nuk mund të quhen surprizë arritjet e një klubi me emër, si Vllaznia.
Shumë dyshime për Vllazninë e këtij sezoni, madje kritika të mëdha edhe për zgjedhjet që bënë drejtuesit. Tashmë Vllaznia ka kaluar çdo pritshmëri. Çfarë do t’u thoshit atyre që nuk besuan te ky ekip?
Kur është një surprizë e bukur, kjo ia vlen. Mund të them se pritshmëritë tona nuk ishin deri këtu, por të jem i sinqertë më pëlqen kjo që ka bërë kjo Vllazni deri tani. Po jepet maksimumi dhe po tregohet grintë në çdo sekondë. Më vjen mirë që Vllaznia po bën mirë punën deri tani.
Sa dorë ka trajneri në këto rezultate?
Të them të drejtën, është vetëm dora e trajnerit në këto arritje. Pa i ardhur keq askujt, Vllaznia nuk është se ka atë klas lojtarësh si shumë ekipe me pagesa të larta, që të mendonin se mund të arrihej deri këtu. Por, ja që ky trajner i njeh më mirë e beson te këta lojtarë, duke arritur këto rezultate. Ishim shumë skeptikë te blerjet, folëm me emrat e këtij apo atij, por deri tani mendoj se Jonuz ka pasur të drejtë dhe ka besuar tek ajo që ka shikuar në stërvitje.
Cili është sekreti i këtij ekipi që, ndryshe nga tradita, pëson pak dhe e ka të vështirë të gjejë golin?
Mendoj se e pati vështirësinë e golit vetëm në takimet e para. Jo vetëm Vllaznia, por edhe ekipet e tjera kanë shterpësi në gola. Vllaznia nuk ka një sulmues tipik e duke shikuar këtë, edhe tekniku ka menduar më shumë për prapavijën dhe me këta lojtarë që ka në dispozicion, ka arritur të bëjë maksimumin për gjetjen e golave.
Cili nga lojtarët ju ka befasuar me paraqitjen dhe nga kush keni pritur më tepër?
Mund të them se Vllaznia është grup, pa lojtarë ku mund të mbështetet e gjithë pesha. Kjo është ndoshta edhe më mirë, prandaj janë arritur këto rezultate. Ndoqa edhe ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, ku kundërshtari ka shumë emra cilësorë, që nuk arritën te fitorja. Mendoj se kolektiviteti dhe një menaxhim i mirë mund të të çojnë te suksesi.
Duke parë nivelin e kampionatit, mendoni se janë të gjitha shanset për një Vllazni që do të tentojë deri në fund Europën?
Mendoj se është shumë herët për të folur për këtë. Vllaznia do ta ketë më të vështirë për ta mbajtur këtë pozicion sesa e ka pasur për ta fituar. Megjithatë, Vllaznia mbetet Vllazni. E nëse shkon në Europë nuk është ndonjë surprizë, por një gjë që i shkon përshtat këtij emri.
Pas dy javësh luhet me Partizanin. Prisni një stadium të tejmbushur?
Pse jo. Tifozëria jonë di të mbështesë dhe di të vlerësojë. Ata kërkojnë një ekip pretendent dhe të mirë. Mendoj se kjo Vllazni po tregon se meriton edhe një mbështetje të tifozërisë së saj.
Dy sezone më parë Partizani u bë shkas që Vllaznia të rrëzohej nga Superiorja. Është ky momenti i hakmarrjes?
Në çdo moment mendoj se ka vend për hakmarrje, por nëse kjo është për sezonin që ramë nga kategoria, mund të them se ne ia kishim bërë hyzmetin vetë rënies dhe shkaku nuk ishte Partizani. Por, ne duhet që këtë takim ta fitojmë, të vazhdojmë ecuritë pozitive dhe të jemi në krye. Të tregojmë se jemi Vllaznia. Për çdonjërin prej nesh ky është emër i madh. Gjithçka flasim e gjithçka themi, janë vetëm që ky emër të shkojë aty ku i takon.