Kjo është shtëpia e familjes Asllani në fshatin Pjetroshan në njësinë Kastrat të bashkisë Malësi e Madhe. Muret e kësaj banese mbajnë sa herë që ka shi lagështira për shumë ditë ndërsa brenda saj jetojnë edhe 3 fëmijët e familjes Asllani të cilët gjatë gjithë kohës janë të sëmurë si shkak i mykyt.
E zonja e shtëpisë Vitore Asllani thotë se shëndeti i fëmijëve të saj është tejet i rrezikuar gjë të cilën ia kanë vërtetuar edhe doktorët. E vetmja gjë që kërkojnë është ndihma për të ndërruar çatinë e shtëpisë.
Të ardhurat nuk janë aspak të mëdha për familjen Asllani ndërsa fëmijët gjatë muajve të verës qëndrojnë vetëm në shtëpi sepse prindërit e tyre mundohen që të punojnë kur gjejnë punë.
E zonja e shtëpisë disa herë i është drejtuar bashkisë Malësi e Madhe por nuk ka arritur që ta takojë asnjëherë kryetarin e bashkisë Tonin Marinaj ndërsa situata në banesën e familjes Asllani vazhdon që të jetë e vështirë dhe tashmë presin që dikush t’i ndihmojë për të shpëtuar shëndetin e 3 fëmijëve të vegjël.