Kryeministri Edi Rama ka falenderuar sërish në serbisht presidentin Aleksandër Vuçiç, pasi kamionat nga Kosova të bllokuar në kufi u lanë të kalonin.
Në reagimin e tij, Rama shkruan se ky ishte një lajm i mirë dhe një gjest për t’u duartrokitur nga ana e kreut të shtetit serb.
“Lajm i mirë që për kamionët e Kosovës, sot nuk ka pengesë! Jo vetëm lajm i mirë po edhe një gjest për t’u përshëndetur, si shprehje e vullnetit që së bashku ta fitojmë këtë luftë dhe të dalim të gjithë më të mirë e më të fortë prej saj,”-shkruan Rama.
Prej më shumë se një ditë, disa kamionë me mallra të Kosovës kanë mbetur të bllokuar në doganën serbe pasi autoritetet vendase nuk i lejojnë që të kalojnë. Dje Rama i kërkoi Vuçiçit që t’i linte të kalonin.