Rikthehet Aida Shtino, gazetarja tregon ç’ka …

Prej shumë vitesh Aida Shtino i mungon ekranit. Moderatorja që pas mbylljes së emisionit “Njerëz të humbur” iu dedikua politikës, duke zgjedhur një profil të ulët edhe në media.

Pas disa vitesh mungesë, ajo vjen me një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, duke zbuluar sesi ka vijuar jeta për të që nga largimi nga ekrani. Duke rikthyer edhe njëherë kujtimet e “Njerëz të humbur”, duke u shprehur se u bë pjesë e politikës pikërisht për të gjetur të gjithë të humburit që nuk mundi të gjejë në emision. Më tej, Aida shprehet e zhgënjyer nga politika, sidomos për femrat shqiptare në politikë.

Aida Shtino, një nga personazhet më të dashur për publikun për vite me radhë, u bë kohë që jeni larguar nga emisioni, megjithatë njerëzit ende ju kujtojnë. E ndjeni këtë në ditët tuaja?
Po, e ndjej çdo ditë, sa herë që dal në rrugë dhe sidomos nga gjithë ata njerëz që më shkruajnë nga e gjithë bota dhe më pyesin se kur do të dal sërish. Është një marrëdhënie e ngushtë, që unë kam lidhur me këta njerëz, të cilët besuan në punën time.

Duket se të paktë janë personazhet që identifikohen me formatin që bëjnë, ju jeni një ndër ta. Sa ju mungon “Njerëz të Humbur”?

Më mungon shumë. Çdo moment kur jam vetëm e ndjej atë boshllëk. “Njerëz të Humbur” ishte për mua si një fëmijë. E ngrita me shumë dashuri dhe pasion, sigurisht në bashkëpunim me të gjitha stafet e gazetarëve që punuan me mua, korrespondenteve, grupit teknik që unë kam pasur, por mbi të gjitha më mungon mbështetja e publikut, i cili më ndiqte deri në orët a para të mëngjesit. Është një mungesë që krijohet për historitë, të cilat ngelën përgjysmë dhe pa u kërkuar. Sigurisht i mendoj të gjitha këto, sepse “Njerëz të Humbur” ishte vetë jeta ime. Unë u lidha me ata njerëz edhe shpirtërisht. Vazhdoj të mendoj për ta edhe sot, me enigmën se ku ndodhen ata njerëz, të cilët unë i kërkova për vite me radhë. Prandaj për të gjitha këto arsye më mungon.

E keni parë ndonjëherë veten në një tjetër format?

Po sigurisht që e kam parë. Unë jam gazetare dhe gjithmonë jam në kërkim të formateve të reja, që bëhen me dashuri dhe pasion dhe shpalosin vlerat e vërteta të gazetarisë.

Në media keni deklaruar se ia u mbyllën emisionin, çfarë ndodhi? Keni menduar për ta rihapur?

Po, fatkeqësisht ma mbyllën. Dhe ajo ka qenë dita ime më e mërzitur gjatë gjithë kohës të punës sime. Jam përpjekur shumë ta mbaja me mish e me shpirt, madje disa muaj e kam paguar vetë nga financat e mia personale stafin tim, sepse doja që ajo punë të vazhdonte dhe për këtë nuk jam penduar. Atë ditë kur kam parë të më prishin studion dhe kur erdhi urdhri se duhej të lija zyrat, kam marrë makinën dhe kam shkuar diku vetëm dhe ka qenë një nga ato momente, ku jam ligështuar dhe mendoja se ku gabova? Pse? Si mundet të mbyllet gjithë ajo punë? Gjithë ato struktura të ngritura në të gjithë botën në kërkim të atyre që mungonin, në kërkim të fëmijëve të zhdukur. Të gjitha i shkatërruan. Në fakt janë shumë “pse” që unë edhe sot nuk u jap dot përgjigje. Për mua, ai nuk ishte vetëm një emision televiziv, por ishte një mision ku ne, një grup gazetaresh po bënim diçka që nuk po e bënte as policia. Ju jeni dëshmitarë vetë të rasteve që ne kemi gjetur.

Keni një histori që ju ka mbetur në mendje?

Ka shumë histori. Por sigurisht do të veçoja historitë e fëmijëve të zhdukur. Sa shumë kemi kërkuar dhe atë periudhë pak nga pak po zbulonim atë pazëll që shoqëronte humbjet e tyre. Kur dëgjoj të flitet për historinë e Bleonës apo fëmijëve të tjerë, më vjen keq që nuk bëhen kërkime në thellësi, por thjesht publikohen sa për të bërë lajm. Historia e Bleonës ka dëshmitarë dhe ata dinë gjithë të vërtetën se çfarë ndodhi me vajzën. Këtu nuk e kuptoj pse nuk vepron policia e prokuroria.

Prej kohësh keni ruajtur një profil të ulët në media, përse kjo zgjedhje?

Po, kam dashur të bëj një pushim, në mënyrë të tillë që njerëzit t’i marrë malli (qesh). Në fakt, kam qenë aktive në rrjetet sociale, ku aty kam shprehur edhe mendimet dhe idetë e mia.

Si i shikoni sot formatet televizive, çfarë u mungon? Çfarë ka ndryshuar që nga koha kur ju bënit televizion?

Do të them të vërtetën, sepse nuk mundem të bëj kompromis mbi profesionin. I shikoj shumë dobët formatet televizive. Gazetarë që nuk lexojnë dhe janë të painformuar. Gazetarë që nga frika se ngelen pa punë u shërbejnë padroneve, pa pasur integritetin e tyre. Më vjen keq ta them dhe kur e them këtë, ta dini se më dhemb shumë, por kemi gazetarë pa mision, vetëm shërbëtorë me pagesë dhe kaq. Sot më mungojnë ato formate origjinale dhe të pastisura. Më mungon vërtetësia në televizion. Tani për formatet mendoj që janë shtuar shumë ato politike, ku mblidhen disa analistë dhe japin opinion dhe mungojnë formatet investigative dhe hulumtuese, madje le të themi se s’ka fare. Kur unë bëja televizion, jam përpjekur të isha e vërtetë, çdo gjë ndodhte “live”, asgjë nuk montohej, apo rregullohej dhe duhej të ishe shumë e kujdesshme që të përballoje gjithë atë fluks informacioni, si edhe të ruaje privatësinë, duke mos shkaktuar drama te të ftuarit. Në disa raste kam pretenduar që më mirë të mos kisha audiencë, sesa të shkaktoja drama tek të ftuarit apo personazhet që kërkoja. Fatkeqësisht sot ka disa formate që nuk respektojnë asgjë, por publikojnë në studio gjëra shumë personale, të cilat shkaktojnë trauma te të ftuarit. Nëse këto bëhen vetëm për audiencë, nuk di ç’të them, thjesht do t’ju sugjeroja të nderuar kolegë, se audienca fitohet vetëm me punë, madje me shumë punë sistematike. Kjo është këshilla ime për të gjithë ata që sot drejtojnë formate televizive.

Mendoni se nëse sot do të rikthehej “Njerëz të Humbur” do të kishte sukses më të madh sesa kishte?

Nuk e di. Unë mendoj që suksesi ynë varej nga vërtetësia dhe puna sistematike e bërë me shpirt e zemër dhe shumë pasion. Ky është çelësi i suksesit.

Ndërkohë, Aida Shtino në politikë, si ishte ky kapërcim për ju?

Ishte një moment kur unë mendova e nisur nga emisioni, se me gjithë ato raste të humburish, do të duhej një impenjim më i madh në rang shtetëror. Kjo qe arsyeja pse u futa në politikë. Për të qenë një zë i atyre njerëzve që vinin tek unë dhe kërkonin ndihmë e që për vite të tëra nuk ishte bërë asgjë.

Çfarë i dhatë dhe çfarë i morët politikës?

Politikës i dhashë shumë kohë, impenjim, përkushtim. Nga politika mora një shije të hidhur. Kuptova sesi funksionojnë gjërat në këtë vend.

Sa e vështirë është politika për femrat shqiptare?

Është shumë e vështirë. Jetojmë në një shoqëri maskiliste dhe sigurisht kuota e grave në politikë për mendimin tim është vetëm sa për numër. Nëse do të ndryshojë kjo gjë, këtë nuk e di, por për momentin gratë nuk kanë asnjë pozicion, i cili do të favorizonte figurën e një femre në politikë. Sigurisht ne kemi ministre femra e deputete, por unë nuk spikas ndonjë femër politikane sot që të ketë bërë diferencën dhe të tregojë pikëpamjet e veta, edhe pse ato mundet të jenë në kundërshtim me vijën e partisë, apo të kryetarit të saj.

E shikoni të ardhmen tuaj në politikë? Çfarë aspironi?

Në fakt, politika është si loja e shahut. Nëse je lojtare e mirë, do t’ia dalësh, përndryshe do të të djegë kundërshtari. Unë politikën e shikoj si një qëllim për ta ndryshuar këtë vend, që e dua kaq shumë. Për momentin më duket e paarritshme kjo gjë, por jo e pamundur. Këtë frazë e kam thënë gjithmonë në emision, kur shumë kolegë të mi më thoshin se nuk e bën dot këtë punë, hiq dorë, por unë ia dola.

Veçmas politikës, cili është angazhimi juaj aktual?

Po këtë kohë pandemie unë e kam kaluar me lexime dhe kam shkruar. Kam bërë një analizë me veten dhe jam munduar të kuptoj shumë gjëra, që më parë as nuk i kisha vënë re për shkak të ritmit të shpejtë të jetës. Përfundova një libër që do ta botoj së shpejti dhe besoj do të jetë me interes edhe për publikun.

Aida si nënë, çfarë marrëdhënie keni me djalin tuaj?

Jam një nënë si të gjitha, e përkushtuar. Tani ai është këshilltari im më i mirë. Ai është arkitekt dhe megjithëse jemi larg, ne jemi të lidhur shumë. Diskutojmë me orë e flasim për shumë gjëra.

Në media keni folur edhe për divorcin tuaj. Si vijon jeta tanimë si nënë beqare, cilat janë vështirësitë?

Fillimi mbas divorcit ishte shumë i vështirë dhe sidomos kur je person publik e ke akoma më të vështirë, sepse nuk ke jetë personale, ti i takon publikut. Sot çdo gjë i ka kaluar normalitetit. Çdo njeri ka gjetur rrugën e tij. Për mua si nënë beqare ka qenë e vështirë, por jam tip luftëtare dhe në çdo moment luftoj pa e humbur kurrë besimin në Zot dhe në familjen time, që me ka qëndruar gjithmonë pranë në kohët e mia të vështira. Unë jam optimiste nga natyra dhe mendoj gjithmonë pozitivisht se e ardhmja do të jetë më e mirë. Dhe këtë do t’u sugjeroja të gjithëve, mblidhini fuqitë edhe në ditët tuaja më të vështira, mendoni pozitivisht dhe largojeni errësirën nga mendja dhe zemra juaj, duke mbajtur vështrimin drejt dritës. Ky është sekreti i kësaj jete.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME