Vera e lajmëroi ardhjen e saj me temperaturat që çdo ditë e më shumë po arrijnë majat dhe duket sikur nuk po mbaron. Zgjidhja e vetme për t’i shpëtuar nxehtësisë duket se janë pijet e freskëta.
Përveç ujit shumë të shëndetëshëm, në Shqipëri një ndër pijet më të dashura dhe të shëndetëshme gjithashtu është dhalla. E pasur me kalçium dhe proteina nga kosi, është shumë e thjeshtë në përgatitje dhe e mrekullueshme në shijim. Ka shoqëruar familjet për qindra vite me rradhë dhe është një pije tradicionale me bazë kosi të holluar me ujë.
Prandaj sot po j’ua sjellim në vëmendje dhallën e mrekullueshme dhe freskuese. Në shkrimin e sotëm AgroWeb.org ju tregon se si t’a përgatisni këtë pije me dy shije të reja. Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së re të dhallës që do t’ju freskojë gjatë gjithë verës.
Dhallë me ujë të gazuar
Uji i gazuar i jep një shije interesante kësaj pije pasi e bën të ngjashme me pijet e zakonshem të gazuara, veçse shumë më të shëndetëshme. Duke qënë se është një pije tradicionale dhalla përgatitet me një mjet po ashtu tradicional siç është dybeku. Gjithësesi nëse nuk e keni në shtëpi mund të zhgjidhni t’a kryeni proçesin e bërjes së kësaj pije në mikser apo duke e tundur për disa minuta në një shishe të thjeshtë.
Për të përgatitur këtë dhallë të gazuar do t’ju duhen 500 ml kos dhe 1 litër ujë i gazuar. Hidhini të dy këta përbërës në mikser, dybek apo shishe dhe mbyllini mirë me kapak ose tapë. Nëse ju pëlqen që kjo pije të ketë një shije më të trashë mund të shtoni pak më shumë kos. Një tjetër mënyrë është të mos shtoni shumë ujë në këtë mënyrë do të jetë më kremoze. Ndërkohë filloni të tundni apo përzieni dhallën për 30 sekonda deri 1 minutë derisa të shikoni që është holluar plotësisht. Sipas dëshirës shtoni akull dhe ruajeni gjithnjë të freskët në frigorifer.
Dhallë me gjethe nenexhiku
Mënyra e dytë dhe shumë interesante e përgatitjes së kësaj pije plot me shije, është t’i shtoni disa gjethe nenxhiku brenda. Njejtë si në proçesin e mësipërm do t’ju duhen 500 ml kos dhe 1 litër ujë që në këtë rast mund t’a zgjidhni natyral. Tundini mirë të dy këta përbërës dhe në fund shtojini disa gjethe të grira nenexhiku. Lëreni dhallën në frigorifer për rreth 1 orë, në mënyrë që të jetë mjaftueshëm e ftohtë.
Në këtë mënyrë edhe nenexhiku të lëshojë aromën e tij të freskët. Bashkimi i freskisë së nenexhikut dhe shijes së mirë të dhallës do të kthehet ndër më të preferuarat e të gjithë stinës. Jo vetëm shumë e shijshme dhalla me nenexhik është edhe një burim i madh vlerash për kockat dhe qetësimin e mendjes. Ditëve përvëluese të verës tashmë mund t’ju bëni ballë duke konsumuar këtë pije të mrekullueshme.