E cilësuar si kryeqyendra e Shqipërisë së Veriut, Shkodra mahnit këdo me bukuritë e saj të lashta që nga muret e Kalasë së Rozafës e deri tek traditat karakteristike të qytetit, ku padyshim, spikat kuzhina me gatimet e shijshme të saj.
E njohur për tavën e famshme të krapit, kuzhina tradicionale shkodrane është e pasur me receta autentike të shijshme dhe të veçanta, që sigurisht mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së kulinarisë shqiptare.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e veçantë të Jahnisë së Shkodrës, një gjellë e hershme e amvisave shkodrane e përgatitur për shekuj e shekuj me radhë, e që sot vijon të mbetet në listën e gjellëve të shijshme, karakteristike të këtij qyteti.
Përgatitja e Jahnisë së Shkodrës në Shtëpi
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
4-5 thela mish viçi ose dashi, 1 lugë gjelle salcë domatesh, 1 lugë gjelle narden kumbullash (Mund ta përgatisni edhe pa narden), 2-3 thelpinj hudhra, 4-5 kokrra qepë, 10 kumbulla të thata, 1 lugë kafeje sheqer, Kripë, Piper, Uthull molle, 2-3 gjethe dafine, Majdanoz
Përgatitja
Copat e mishit kaurdisen bashkë me qepët e grira hollë. Shtohet nardeni i kumbullës dhe kumbullat e thata, kaurdisen pak, më pas hudhrat e shtypura, salca e domates, kripa, sheqeri, piperi, gjethet e dafinës dhe ujë sa të gjithë përbërësit të mbulohen. Tenxherja mbyllet me kapak dhe gjella lihet të ziejë në zjarr shumë të ngadalshëm.
Zierja lihet derisa mishi të jetë zbutur dhe gjella të ketë pak lëng. Në fund spërkatet me majdanoz të grirë hollë dhe uthull. AgroWeb.org ju sugjeron që këtë pjatë karakteristike shkodrane ta shoqëroni në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura etj.
Gjithashtu kjo pjatë shoqërohet në mënyrë fantastike me zahire të ndryshme të amvisave shqiptare siç janë lakrat turshi apo edhe perimet e tjera turshi. Zakonisht jahnia shoqërohet me pilaf por edhe pure të ndryshme, kryesisht pure patatesh./AgroWeb.org