Byreku është një nga recetat më të dashura për shqiptarët.
Prezente në shtëpitë tona për breza me radhë, byreku ka një larmishmëri në përgatitjen e tij.
Çdo krahinë e Shqipërisë ka mënyrat e përgatitjes që e karakterizon këtë gatim kaq të dashur.
Nga petaniku me fasule e deri tek recetat më të lehta të byrekut me qumësht, të gjithë i kemi provuar dhe jemi rritur me aromën e tyre.
Sot AgroWeb.org sjell për ju një recetë vërtetë të veçantë dhe plot shije të mirë.
Byreku i kripur me qumësht dhe arra, është një delikatesë e cila ia vlen të provohet.
I butë nga kombinimi i qumështit, dhe me mbushjen krokante të arrave, ky byrek është një recetë që nuk duhet humbur.
Përbërësit
1 pako me peta të gatshme
300 gr arra të thërrmuara
3 vezë
1 filxhan çaji me vaj ulliri
2 gota e gjysmë qumësht
50 gr gjalpë
Kripë
Përgatitja
Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që rreth 2-3 orë para se të nisni me përgatitjen e byrekut të nxirrni nga frigoriferi petët e gatshme.
Hapini dhe mbulojini me një pecetë të njomur, kështu nuk do të thahen nga ajri i ambientit. Ndërkohë merrni arrat dhe thërrmojini duke i shtypur me petës ose shishe qelqi. Kini Kujdes, pasi duhet të jenë po aq të thërrmuara sa i përdorni për bakllavanë. Arrat përzjejini me gjalpin e shkrirë në mënyrë që të formohet një masë e lidhur.
Nëse ju duhet akoma më shumë gjalpë, mjafton ta shtoni dhe ta përzieni me arrat. Më pas AgroWeb.org ju sugjeron që në një tas të hidhni tre vezët dhe t’i rrihni ato me qumështin. Shtoni kripën dhe përsëri përzjejini në mënyrë që kokrrizat e saj të treten plotësisht. Merrni tavën ku do të piqni byrekun dhe lyejeni me pak vaj.
Kujdesuni që të lyeni dhe anët e saj, në mënyrë që petët të mos ngjiten gjatë pjekjes. Shtroni petën e parë dhe spërkateni me vaj e më pas të dytën. Përsërisni këto hapa derisa të keni shtruar pesë petë. Tani hidhni gjysmën e masës me arra dhe gjalpë dhe mundohuni ta keni përhapur në të gjithë sipërfaqen e petës.
Shtroni një tjetër shtresë me peta duke spërkatur secilën prej tyre me vaj ulliri. Hidhni dhe pjesën e mbetur të arrave, dhe shtroni dhe petët e mbetura. AgroWeb.org ju kujton që është e rëndësishme që çdo petë që shtroni ta spërkatni me vaj ulliri. Diçka e tillë do ta bëjë byrekun tuaj të butë.
Në fund pasi keni mbaruar me petët, hidhni masën e qumështit dhe vezëve që përgatitët më parë. Futeni tavën për t’u pjekur për 35-40 minuta në temperaturë 180 gradë. Pasi të jetë pjekur, lëreni të ftohet për 10 minuta, kështu i keni lënë kohë dhe të mpikset më mirë, e më pas mund ta servir