Deri në vitin 1983, Luljeta Përbasha ishte një emër i njohur me një karrierë të pasur artistike.
Ajo është fituese e anketave muzikore dhe e çmimeve në Festivale të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Ka qenë këngëtare e estradës profesioniste të qytetit të Rrëshenit, po ashtu edhe drejtoreshë e bibliotekës së fëmijëve në Mirditë.
Ndërsa sot, është kjo grua që heq dorë nga krenaria për të kërkuar ndihmë.
“E bëra zemrën gur dhe thashë të dalë si të dalë, vetëm ju lutem më ndihmoni. Ndihmoni këtë Luljetë të shkretë. Mos më hidhni poshtë 30 vite të jetës time që kam dhënë për këtë Shqipëri. Si artiste e kam nxjerrë Mirditën në piedestal.”
Luljeta është 59 vjeçe, jeton me bashkëshortin në Bilisht në kushte shumë të vështira ekonomike. Prej 7 vitesh, kujdeset për burrin e saj të paralizuar, i cili nuk mund të ecë apo lëvizë. Ndërsa jetojnë në një dhomë të vogël, e cila është gati për tu rrënuar. Çdo natë, ajo fle me frikën se shtëpia mund të shembet mbi ata.