Historia e dhimbshme e një gruaje 30-vjeçare nga Fushë Kruja, ka qenë sot tema kryesore në emisionin me “Zemër të Hapur”.
E reja, e cila solli në jetë fëmijën e parë që në moshën 14-vjeçare, vetëm një vit më pas merr vesh se bashkëshorti, moshatarme të, e tradhtonte me shoqen e ngushtë.
Pavarësisht se ajo ia fali tradhtinë dhe solli në jetë edhe 3 fëmijë të tjerë, ai nuk e ndali marrëdhënien me gruan tjetër, por shkoi më tej, sa arriti të ketë një tjetër fëmijë me të.
“Unë jam njohur me ish-bashkëshortin në moshën 13 vjeçare, ishim në shkollë së bashku, ai vinte te klasa ime dhe bënte rrëmujë. Unë dhe ai u dashuruam dhe vendosëm të iknim së bashku pa dijeninë e prindërve. Ikëm dhe ky më çoi tek shtëpia e hallës. Prindërit e mi lajmëruan policinë dhe unë u kapa, më sollën në shtëpi, por unë firmosa në polici se ika me dëshirë. Pastaj po atë ditë unë shkova te shtëpia e tij, pasi babi im mori një telefonatë nga vjehrri im, i cili i tha që lëri të jenë bashkë dhe unë do vij do flasim së bashku”, – tregon 30-vjeçarja nisjen e lidhjes me ish-bashkëshortin.
Më tej, ajo rrëfen momentin e vështirë që ka përjetuar, kur gjeti në dhomë burrin me shoqen e ngushtë të saj.
“Pasi unë ika në familjen e tij, rashë shtatzënë dhe në moshën 14- vjeçare unë u bëra nënë, një shtatzëni e padëshiruar. Lindi vajza, e cila sot është 16-vjeçe. Unë do shkoja te familja e babit pas lindjes dhe pas disa ditësh unë do kthehesha në shtëpi, por kur u ktheva e gjeta bashkëshortin tim në një dhomë me shoqen e ngushtë timen. Unë u tradhtova nga të dy dhe ika në familjen e prindërve të mi, mirëpo ky i mohoi të gjitha dhe më kërkoi të kthehesha në familje. Për shkak të fëmijës unë u ktheva dhe historia kështu vazhdoi.
Ajo sa herë unë ikja nga shtëpia dhe shkoja te prindërit e mi, shkonte te shtëpia e ish-bashkëshortit. Unë e kam marrë vesh pas disa muajsh që kjo shkonte te shtëpia. Unë ia kam fal atij gjithmonë tradhtinë, sepse mendoja se i ri dhe u martua shumë i vogël dhe thosha gjithmonë që do kalojë, do mësojë, por jo, edhe sot ai vazhdon të jetë kështu, edhe pse jeton jashtë dhe ka krijuar një marrëdhënie dhe mesa di unë ka dhe një fëmijë tjetër”.
Gruaja thotë se për atë njeri ka bërë gjithçka, “e kam falur, e kam dashur me shpirt dhe duke qenë se e doja, e falja gjithmonë. Një herë ky kishte sjellë disa rroba nga jashtë dhe në njërin nga xhupat që solli gjeta një kartë telefoni dhe kur e futa në telefon pashë që aty kishte disa video që tregonin se ai kishte një fëmijë tjetër atje jashtë dhe se videot kishin festa dhe çdo gjë që bënte ky me fëmijën. Edhe pse ne na erdhën në jetë 4 fëmijë, ai vetëm vinte nga pak dhe ikte, largohej jetonte jashtë. Ndërkohë që fëmijët e tij nuk merrnin kurrë përkëdhelje, ai i jepte fëmijës tjetër që kishte me atë tjetrën”,- vijoi 30-vjeçarja.
Ajo tregoi edhe momentin e dhimbshëm se si e mori vesh që bashkëshorti kishte fëmijë me shoqen e saj të ngushtë.
“Gruaja që ka tani, kishte futur në disa dhurata që burri iu bëri fëmijëve për Vitin e Ri një kartë memorie në telefon. Djali, duke veshur dhuratën e babait, një xhup, e gjen dhe ma jep mua. Besoj që ajo e ka futur qëllimisht aty. Në atë kartë, kishte video të burrit me të dhe me një fëmijë tjetër, që i thërriste babi. U trondita shumë. Ai kishte krijuar një familje tjetër pas krahëve të mi. Aty vendosa të ndahem përfundimisht”,- rrëfeu ajo mes lotësh.
Por historia është edhe më e trishtë. Ndonëse bashkëshorti e la të jetonte në shtëpinë e tij, pronësinë e saj tashmë e pretendon ish-vjehrri dhe 30-vjeçarja me 4 fëmijët rrezikon të mbetet mes 4 rrugësh.