AFP për Elsidita Selaj, boksierja shkodrane që theu tabutë dhe synon Tokion

Një vajzë “luftarake” që mposhti paragjykimet për të qenë sot e vetmja femër boksiere që përfaqëson Shqipërinë në vend dhe në botë.

 

AFP i ka kushtuar një shkrim asaj dhe bëhet fjalë për shkondranen Elsidita Selaj. Ishte vetëm 15 vjeç kur ajo vendosi se donte të boksonte. Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) shkuan se përmes kokëfortësisë së saj ajo ka arritur të zbusë rezistencën e familjes dhe qëndrimet gjinore, për tu bërë boksierja e parë dhe e vetme konkurruese e Shqipërisë. “Në fillim, boksi ishte për mua një dashuri e pamundur, e paimagjinueshme,” tha 20 vjeçarja për AFP pas një seance stërvitore në qytetin e saj të Shkodrës në veri të Shqipërisë.

 

“Por falë vendosmërisë sime, ajo është bërë një dashuri e mundshme që më përket tërësisht mua,” shtoi ajo. Pesë vjet më parë që ajo nisi të frekuentonte palestrën e boksit çdo ditë pas shkollës, duke u stërvitur në një sport që konsiderohej si domen i burrave në një vend me role të rrepta gjinore. Këtë e trego për AFP dhe trajneri i saj Jetmir Kuçi, nëntë herë kampion dhe trajner shqiptar i boksit, i cili thotë se fillimisht ka refuzuar duke qenë se ishte pak tradicional. “Me vendosmërinë e saj, ajo ishte në gjendje të thyejë një tabu për të gjithë ne.”, thotë Kuçi.

 

Selaj është një boksiere amatore e licencuar, dhe që atëherë ka provuar aftësinë e saj, duke marrë një medalje bronzi në një turne rajonal të Ballkanit në 2017, ndjekur nga një vend i dytë dhe i tretë në Kampionatet Evropiane të Boksit Amator 2018 dhe 2019 respektivisht. Ajo tani ka synimet e saj për Lojërat Olimpike në Tokio, por do të duhet të kapërcejë një raund të vështirë kualifikues në pranverë, për të mos përmendur pengesën financiare të shpenzimeve të tjera të përfshira. “Qëllimi i çdo sportisti, jo vetëm i imi, është Lojërat Olimpike,” tha ajo.

 

Trajneri i saj beson se një shtyrje e Lojërave për shkak të pandemisë “mund të funksionojë në favor të saj sepse i jep asaj më shumë kohë”. Dhe nëse nuk është Japonia, do të ketë ende Paris në 2024, shtoi ai. Media franceze vëren se këmbëngulja e vajzës ka ndryshuar dhe mendimin e familjes. “Unë jam gati të sakrifikoj, të punoj ditë e natë në mënyrë që vajza ime të jetë një ditë kampione bote për mua dhe të gjithë shqiptarët”, tha babai i saj, Luan Selaj.

 

Boksi është një sport relativisht i ri në Shqipëri, pasi ishte ndaluar në vitet 1960 nga ish-diktatori komunist i vendit Enver Hoxha, i cili e konsideroi atë “tepër të dhunshëm”. Sot vendi ka rreth 1,100 entuziastë të boksit, rreth 300 prej të cilëve marrin pjesë në gara kombëtare dhe ndërkombëtare shkruan AFP.

Shperndaje ketë postim:

spot_imgspot_img

- PUBLICITET -

Aktualitet

Te tjera
LAJME