E ftuara e sotme në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Rita Petro një grua e veçantë,
e cila e jeton jetën e saj me shumë pasion, guxon dhe e prek atë në shumë dimensione, dashuron lirinë, jetën, librat, botën shpirtërore. Shkruan vargje të mrekullueshme, drejton një shtëpi botuese të rëndësishme në vend, dhe nuk e kursen asnjëherë fjalën e lirë.
Duke qenë se jemi në prag të festës së të dashuruarëve, Shën Valentinit, nuk është rastësi që sot ka qenë e ftuar pasi kush më bukur se ajo do të rrëfente për dashurinë duke e konsideruar dhe ndjerë deri në kornizat e të përjetshmes.
Rita ka folur për humbjen e partnerit të saj Latif Ajrullai me të cilin jetonte prej 20 vitesh. Ajo tregon se u infektua nga Covid 1 ditë pas humbjes së tij dhe se e ka kaluar lehtë. Nuk ka qenë një periudhë aspak e lehtë për të dhe se ndjen një mall shumë të madh për të.
Mirela Milori: Covidin e ke kaluar apo jo?
Rita Petro: Unë e kam kaluar, është e habitshme mu shfaq një ditë pasi më ndodhi fatkeqësia, një ditë pasi Latifi u largua nga jeta. Në ishim ndarë përkohësisht siç ndaheshim gjithmonë kur ai shkonte në Maqedoni, kujdeset për pjesën e biznesit tonë në Maqedoni dhe Kosovë ku dhe u sëmur dhe ishte e habitshme se si mu shfaq mua, pata pak ethe, temperaturë dhe mendova që me siguri e kam nga shqetësimi, mërzitja dhe mund të them që e kalova relativisht lehtë, nuk më kapi as paniku, as frika. Mbase më ndihmoi dhe frika që kisha dhe më përziheshin të dyja, dhimbja dhe pjesa e sëmundjes.
Mirela Milori: Latif Ajrullai është shoku jot i jetës, sa vite bashkë?
Rita Petro: Ne kemi 22 vite që jemi njohur.
Mirela Milori: Si e ke përjetuar ikjen e tij?
Rita Petro: Ishte një moment që isha vërtet e shokuar edhe kur flisja edhe kur bisedoja dhe kur ruaja atë buzëqeshjen, e dija që ishte një lloj adrenaline por për keq. Fjalët, vlerësimi, shokimi është një gjendje që njerëzit që kanë provuar humbje të mëdha në jetë e kanë provuar të gjithë. Ndërsa tani u mësova me mungesën, por fillon një ndjesi tjetër, ndjesia e mallit. Është një mall aq i madh sa kur e shoh në ëndërr e shoh gjithmonë duke u përqafuar. Është e habitshme që kur hap sytë, më duket sikur me të vërtetë ka ekzistuar dhe prekja, e kam prekur domethënë.
Mirela Milori: Nëse do ta kishe përpara, një gjë që nuk ia ke thënë në 20 vite, një peng, ka ndonjë gjë të pathënë mes jush që t’i do doje t’ja kishe thënë.
Rita Petro: Me thënë të drejtën që nga humbja gjatë gjithë kohës kam menduar a kam pishmane, a kanë mbetur gjëra pa thënë, por edhe ato ditët tona se çdo njeri ka ditë monotone sado që të themi neve që ishte një lidhje e përsosur, ke ato pjesët të cilat të mungojnë dhe që prapë do t’i thoja të mbushim atë ditët që na kanë ikur kështu monotone ose pa i thënë njëri-tjetrit të dua. /tvklan.al